Presidenti i Libanit, Joseph Aoun ka përsëritur thirrjen për armëpushim dhe nisjen e negociatave me Izraelin, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Francës, Jean-Noël Barrot. Lajmi u raportua nga AFP.
Aoun deklaroi se përshkallëzimi i konfliktit mes Hezbollahut dhe Izraelit duhet të ndalet dhe kërkoi garanci ndërkombëtare për të siguruar zbatimin e një armëpushimi. Sipas presidencës libaneze, ai theksoi se iniciativa e tij për negociata mbetet në fuqi, por zhvillimet ushtarake po pengojnë nisjen e saj.
Libani u përfshi në konfliktin rajonal më 2 mars, pasi Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit, në përgjigje të vrasjes së një figure të lartë të lidhur me Iranin gjatë sulmeve izraelito-amerikane. Izraeli reagoi me sulme ajrore intensive dhe operacione tokësore, të cilat, sipas burimeve zyrtare, kanë shkaktuar mbi një mijë viktima.
Më 9 mars, Aoun paraqiti një plan me katër pika që përfshin armëpushim të plotë, mbështetje për ushtrinë libaneze me synim çarmatimin e Hezbollahut dhe nisjen e negociatave të drejtpërdrejta mes Libanit dhe Izraelit nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot deklaroi se vizita e tij në Liban synon të shprehë solidaritetin e Francës me popullin libanez, i cili, sipas tij, është përfshirë në një konflikt që nuk e ka zgjedhur vetë. Gjatë qëndrimit në Bejrut, ai zhvilloi takime edhe me kryeministrin Nawaf Salam dhe kryetarin e parlamentit Nabih Berri, si dhe vizitoi një qendër strehimi për të zhvendosurit nga lufta.
Ministria e Jashtme franceze bëri të ditur se bisedimet u përqendruan në situatën e sigurisë dhe mënyrat për uljen e tensioneve.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi biseda telefonike me drejtuesit libanezë dhe i bëri thirrje Izraelit të pranojë negociata të drejtpërdrejta me qeverinë e Libanit. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Francës për të ndërmjetësuar dhe për të pritur bisedimet në Paris.
Lini një Përgjigje