Pak para konferencës për shtyp të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, stafi i zyrës së tij u kërkoi gazetarëve të vendosin telefonat në “flight mode”, në një masë të pazakontë sigurie.
Kërkesa lidhet me shqetësimet për sigurinë në momentin kur Netanyahu do të ishte fizikisht pranë gazetarëve, në një periudhë tensioni të lartë dhe rreziku të shtuar për incidente.
Ky veprim reflekton nivelin e alarmit në Izrael, ndërsa përshkallëzimi me Iranin mbetet i hapur dhe i paparashikueshëm.
Në deklaratat e tij, Netanyahu akuzoi Iranin për përpjekje për të ushtruar presion global. “Irani po përpiqet të shantazhojë botën – nuk do të ketë sukses”, u shpreh ai.
Ai paralajmëroi për pasojat e një Irani më të fuqizuar ushtarakisht: “Imagjinoni se si regjimi iranian do ta shantazhonte gjithë botën nëse do të kishte raketa balistike me koka bërthamore”.
Kryeministri izraelit theksoi se Irani përbën kërcënim për të gjithë botën dhe për Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se ka diskutuar këtë çështje me dhjetëra liderë ndërkombëtarë.
Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi rolin e SHBA-së, duke deklaruar se “bota i detyrohet presidentit Trump” për drejtimin e përpjekjeve për mbrojtjen e sigurisë globale.
Netanyahu shtoi se Izraeli po kontribuon në mënyrën e tij për të mbajtur të hapura ngushticat strategjike, në një referencë për rëndësinë e Hormuzit në tregtinë globale të energjisë.
Lini një Përgjigje