Zëvendësministri i mbrojtjes thotë se sistemet e reja të mbrojtjes ajrore do të përfundojnë brenda 24 muajsh.
Polonia po planifikon të përfundojë një grup të ri fortifikimesh kundër dronëve përgjatë kufijve të saj lindorë brenda dy viteve, ka deklaruar një zyrtar i lartë i mbrojtjes, pas një pushtimi masiv të mjeteve ajrore luftarake ruse pa pilot në hapësirën ajrore polake më herët gjatë këtij viti.
“Presim që kapacitetet e para të sistemit t’i kemi brenda rreth gjashtë muajsh, ndoshta edhe më shpejt. Ndërsa sistemi i plotë do të kërkojë 24 muaj për t’u përfunduar”, i tha The Guardian në një intervistë në Varshavë zëvendësministri i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk.
Tomczyk tha se sistemet e reja të mbrojtjes ajrore do të integrohen në një linjë më të vjetër mbrojtjeje të ndërtuar një dekadë më parë. Ai shpjegoi se do të përfshihen shtresa të ndryshme mbrojtjeje, përfshirë mitralozë, topa, raketa dhe sisteme për bllokimin e dronëve.
“Disa prej këtyre janë për përdorim vetëm në kushte ekstreme ose lufte. Për shembull, këta mitralozë me shumë tytë janë të vështirë për t’u përdorur në kohë paqeje, sepse gjithçka që ngrihet lart duhet edhe të bjerë poshtë”, tha ai.
Më shumë se një duzinë dronësh të dyshuar rusë hynë në hapësirën ajrore polake në shtator, në një incident që çoi në mbylljen e aeroporteve, ngritjen e avionëve luftarakë dhe dëme në ndërtesa në tokë, pasi dronët u rrëzuan. Ministri i Jashtëm, Radosław Sikorski, i tha Guardian-it në atë kohë se sulmet, të cilat përfshinin dronë që nuk mbanin municion, ishin një përpjekje nga Rusia “për të na testuar pa nisur një luftë”.
Që atëherë, Polonia ka përditësuar planet tashmë ekzistuese për të përforcuar kufijtë e saj lindorë. Ndërsa asnjë sistem kundër dronëve nuk mund të jetë plotësisht efektiv kundër një goditjeje sistematike dhe masive, si ajo që Ukraina ka përjetuar, vendet evropiane përgjatë krahut lindor po nxitojnë të përmirësojnë sistemet e tyre për t’iu përshtatur kërcënimit të ri.
Tomczyk tha se projekti do të kushtojë më shumë se 2 miliardë euro (1.75 miliardë paund) dhe do të financohet kryesisht me fonde evropiane përmes programit të huave të mbrojtjes SAFE (Security Action for Europe), si dhe me disa kontribute nga buxheti i shtetit.
Gjatë gati katër viteve të luftës në shkallë të plotë në Ukrainë, Polonia e ka vendosur gjithnjë e më shumë veten në gjendje gatishmërie lufte, ndërsa rastet e sabotazhit dhe zjarrvënieve, të cilat shërbimet polake i lidhin me agjencitë ruse të inteligjencës, janë në rritje. Vendi ka plane për të trajnuar qindra mijëra qytetarë në aftësi mbijetese, ndërsa të tjerë po ndjekin trajnime ushtarake vullnetare.
Përveç murit kundër dronëve, Polonia po ndërton fortifikime edhe përgjatë kufijve tokësorë me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit, të njohura si “Mburoja Lindore”, me synimin për të parandaluar një pushtim të mundshëm rus në të ardhmen. Tomczyk tha se në çdo komunë kufitare do të ndërtohen qendra të posaçme logjistike, ku do të ruhen pajisje për bllokimin e kufirit, të gatshme për t’u vendosur brenda pak orësh.
“E vërteta është se, për sa kohë që Ukraina po mbrohet dhe po lufton Rusinë, Evropa nuk është në rrezik lufte në kuptimin konvencional dhe të ngushtë të fjalës. Ajo me të cilën do të përballemi janë provokime dhe akte sabotazhi”, tha Tomczyk. Por, shtoi ai, nëse Perëndimi do ta lejonte Rusinë të fitonte në Ukrainë, nuk do të kalonte shumë kohë përpara se Kremlini të kthente sytë nga Evropa.
Polonia e ka rritur shpenzimin për mbrojtjen në 4.7% të PBB-së, një nga normat më të larta në Bashkimin Evropian, mes frikës së vazhdueshme për operacione hibride ruse dhe kërcënime të mundshme ushtarake ndaj vendit.
“Sot, Ukraina po shpenzon rreth 40% të PBB-së së saj për luftën, dhe kushdo që pyet se çfarë përqindjeje duhet t’i kushtojmë ushtrisë, duhet të pyesë veten nëse është më mirë ta rrisësh shpenzimin nga, të themi, 2% në 3 ose 3.5%, apo ta lejosh të rritet nga 2% deri në 40% më vonë”, tha Tomczyk.
I pyetur nëse Rusia vërtet kishte plane ushtarake ndaj Polonisë, ashtu siç kishte ndaj Ukrainës për të cilën presidenti rus Vladimir Putin ka thënë prej kohësh se është qendrore për identitetin rus Tomczyk iu referua historisë së gjatë të agresionit dhe ekspansionizmit rus në Evropën Lindore. Ai tha se, “si në romanin 1984 të Orwell-it”, mesazhet për armikun e ditës mund të ndryshohen shumë shpejt.
“Këto pushtime funksionojnë kryesisht si një mjet politik për ruajtjen e pushtetit: një motiv i përsëritur në historinë ruse. Qeveria duhet të tregojë se është e fortë, se komandon një ushtri të fuqishme dhe se askush nuk duhet të guxojë ta sfidojë. Në këtë kuptim, një luftë e jashtme shndërrohet në një instrument të brendshëm në Rusi”, tha ai.
Lini një Përgjigje