TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Mars 2026, 17:26

Policia franceze parandalon një sulm me bombë, në shënjestër Banka Amerikane

Shkruar nga Pamfleti
Policia franceze parandalon një sulm me bombë, në
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia franceze ka parandaluar një sulm të dyshuar me karakter terrorist në qendër të Parisit, duke arrestuar një të ri që dyshohet se kishte vendosur një mjet shpërthyes artizanal pranë një dege të Bank of America në distriktin e 8-të.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 03:25, në rrugën Rue de La Boétie, një zonë pranë Champs-Élysées. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat franceze, efektivët e Brigadës Antikriminale (BAC), të vendosur aty në kuadër të një operacioni sigurie për mbrojtjen e interesave amerikane, ndërhynë në momentin kur i dyshuari sapo kishte vendosur pajisjen shpërthyese në hyrje të godinës.

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, reagoi publikisht duke theksuar se ndërhyrja e shpejtë e policisë shmangu një “akt të dhunshëm me karakter terrorist”. Ai shtoi se niveli i gatishmërisë mbetet i lartë, duke e lidhur këtë me kontekstin ndërkombëtar dhe tensionet e lidhura me luftën në Lindjen e Mesme.

Sipas të dhënave paraprake, mjeti shpërthyes përbëhej nga një bidon transparent prej rreth pesë litrash me një lëng ende të paidentifikuar, i kombinuar me një ngarkesë shpërthyese që përmbante rreth 650 gramë material piroteknik. Pajisja u sekuestrua dhe po analizohet nga laboratorët e policisë së Parisit.

I dyshuari, një i ri që pretendon se është me origjinë nga Senegali, është arrestuar në vendngjarje dhe ndodhet në paraburgim. Sipas burimeve hetimore, ai është i njohur më parë nga policia për çështje të lidhura me narkotikët. Në momentin e arrestimit nuk kishte dokumente identifikimi dhe mosha e tij nuk është konfirmuar ende, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që të jetë i mitur.

Hetimet paraprake sugjerojnë se ai mund të jetë rekrutuar përmes rrjeteve sociale, konkretisht në Snapchat, dhe se ishte paguar rreth 600 euro për të kryer veprimin. Një person i dytë që dyshohet se ishte i përfshirë ka arritur të largohet dhe është në kërkim.

Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për autorët apo porositësit e mundshëm të sulmit. Megjithatë, mediat franceze raportojnë se një grup i panjohur që e quan veten “Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya” kishte përmendur më herët në kanale Telegram mundësinë e një sulmi ndaj një banke amerikane në Paris. Autoritetet nuk kanë verifikuar lidhje të drejtpërdrejtë mes këtij grupi dhe rastit në fjalë.

Prokuroria Kombëtare Antiterroriste (PNAT) ka marrë në dorë çështjen dhe ka hapur një hetim të menjëhershëm. Hetimet po kryhen nga policia gjyqësore e Parisit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurisë së Brendshme (DGSI).

Ngjarja ndodh në një periudhë rritjeje të masave të sigurisë në Francë, ku autoritetet kanë identifikuar si objektiva të mundshëm interesat amerikane, komunitetet hebraike dhe grupet opozitare iraniane, në sfondin e tensioneve të vazhdueshme ndërkombëtare.

 

franc sulm

Lini një Përgjigje