Trump është shpërfillës ndaj kufizimeve demokratike, aq sa në vitin 2020 u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve për të mbetur në pushtet. Ai e vlerëson besnikërinë e stafit mbi të gjitha cilësitë e tjera. Familja e ngushtë është mbi gjithçka, po ashtu ai është shumë transaksional.
Donald Trump ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të marrë Grenlandën nga Danimarka apo Kanalin e Panamasë nga Panamaja. Edhe vetëm mendimi se Amerika do të hynte në luftë kundër një aleati të ngushtë të NATO-s për të ndryshuar ilegalisht kufijtë e tyre sovranë, duket shumë qesharak.
Megjithatë, kërcënimet po duken gjithnjë e më të njohura. Ndërsa presidenti i zgjedhur dhe disa nga anëtarët e ekipit të tij po bëhen gati të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë, po flasin dhe sillen çdo ditë më shumë si presidenti rus Vladimir Putin.
Po sikur Trump të ketë planifikuar të sundojë në këtë mënyrë në mandatin e tij të dytë dhe të fundit? Tek e fundit, ai ka shprehur admirim për Putinin në shumë raste, dhe tashmë po përpiqet të organizojë një takim dypalësh. Kremlini thotë se dakord.
Në një model të qartë të sjelljes së Kremlinit, Trump ka folur për bërjen pjesë të SHBA-së jo vetëm të Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë, por edhe të Kanadasë. Po ashtu, ai ka folur për riemërtimin e Gjirit të Meksikës në Gjiri i Amerikës (“Është i yni”, tha ai; “Nashi” siç thonë nacionalistët rusë).
Në të njëjtën kohë, ndihmësi aktual i Trump dhe anëtari i ekipit të ardhshëm të administratës, Elon Musk, është angazhuar hapur në përpjekjet për të minuar - dhe sipas Financial Times për të rrëzuar - një udhëheqës të huaj, kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer.
Putinizmi përmban të paktën 3 karakteristika përcaktuese. E para është përbuzja e thellë për kufizimet demokratike, faktet dhe liberalizmin social, në favor të oligarkisë personale, manipulimit dhe anti-narrativës.
Rezultati është një ekonomi politike ruse, në të cilën Putin shpërndan pushtetin, të vërtetën dhe pasurinë si të ishin trashëgimia e tij personale. Besnikëria është kriteri kryesor për të qenë i favorizuar, teksa paratë dhe frika janë “ngjitësi” që e mban sistemin të bashkuar.
Tipari i dytë, ka të bëjë me një mentalitet mafioz, në të cilin të gjitha marrëdhëniet trajtohen si çështje besnikërie apo pronësie, qoftë brenda Rusisë apo me vende të tjera. Miqësia dhe besimi, mund të jenë fjalët që Putin përdor për t’i përshkruar këto lidhje, por ato janë pa ndryshim ose transaksionale ose imponuese.
Elementi i fundit në këtë skemë shumë të egër të Putinizmit, është bindja se pas një devijimi të shkurtër 30-40-vjeçar, bota po rikthehet në rendin e saj natyror darvinian. Në të, fuqitë e mëdha i dominojnë rajonet përreth tyre si sfera ndikimi ose mundësisht si koloni.
Fqinjët më të dobët nënshtrohen ose vuajnë ndëshkimin. Udhëheqësit e mëdhenj, si heronjtë e Putinit, Pjetri dhe Katerina e Madhe, bëjnë historinë duke zgjeruar zonën e kontrollit të vendit të tyre. Trump dhe Putin, janë personalitete shumë të ndryshme me prejardhje të ndryshme.
I pari është një shoumen i guximshëm, i padisiplinuar nga paratë e trashëguara. I dyti, një fëmijë rruge nga Leningradi i epokës sovjetike, i cili u trajnua në xhudo dhe u formua si agjent i KGB-së. Pavarësisht kësaj, pikëpamjet e tyre kanë shumë të përbashkëta.
Sepse edhe Trump është shpërfillës ndaj kufizimeve demokratike, aq sa në vitin 2020 u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve për të mbetur në pushtet. Ai e vlerëson besnikërinë e stafit mbi të gjitha cilësitë e tjera. Familja e ngushtë është mbi gjithçka, po ashtu ai është shumë transaksional.
Ashtu si Putin, është edhe nacionalist, dhe i sheh si armiq liberalët dhe institucionet shumëpalëshe, qoftë në SHBA, Evropë apo gjetkë. Por mbi të gjitha, Trump duket se ndan pikëpamjen e Putinit se rendi ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja, i dalë nga Lufta e Ftohtë, është i vdekur tashmë.
Ndërsa po ndërtohet një rend i ri, i takon çdo lloj fuqie të madhe që të imponohet në periferinë e tij. Për Putinin kjo nënkupton kërkesën, dhe nëse është e nevojshme imponimin e bindjes tek Armenia, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina.
Për Trump, kjo do të thotë të nënshtrojë Kanadanë, Grenlandën, Meksikën dhe Panamanë. S’ka asnjë provë për një komplot të madh apo një marrëveshje të fshehtë me Kremlinin. Duke qenë po aq nacionalist, ka të ngjarë që Trump të miqësohet shumë sa të nisë një aleancë të ngushtë me Putinin.
Unë prirem të hamendësoj se si do të mbajë ai premtimin e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë (afati kohor sapo ndryshoi nga 24 orë në 6 muaj), apo për t’u marrë me programin bërthamor të Iranit. Dhe as nuk e di se sa kohë do të qëndrojë Musk në orbitën e presidentit të zgjedhur, apo nëse “oligarku” më i pasur në botë, e ka nisur fushatën e tij kundër Starmer me pëlqimin e shefit të tij të ardhshëm.
Por është e qartë se Trump, ashtu si Putin, i pëlqen të tregojë muskujt ndaj cilitdo që ulet përballë tij në tryezën e negociatave. Dhe krahasuar me SHBA-në, Kanadaja, Evropa dhe Panamaja janë të dobëta. Danimarka nuk mund ta mbronte dot Grenlandën nga një pushtim ushtarak i SHBA.
Edhe sikur të kishte trupat dhe pajisjet e nevojshme, asaj i mungojnë aftësitë për t’i transportuar dhe mbështetur. Shtetet e Bashkuara i janë imponuar Panamasë më parë, dhe pa dyshim mund ta bëjnë sërish.
Unë dyshoj se Trump ka synimin më të vogël për të përdorur ushtrinë amerikane, duke ditur dëmin ekonomik që mund t’u shkaktojë aleatëve për të marrë atë që do edhe pa pasur nevojë të përdorë forcën. Ky lloj imponimi, buron direkt nga manuali i lojërave të Putinit.
Ndoshta leksioni më i mirë që mund të mësojë Trump nga Kremlini, është të analizojë se si funksionuan të gjitha ato ofensiva tregtare dhe energjitike për udhëheqësin diktatorial të Rusisë. Sigurisht, rezultati nuk është ajo që ai planifikoi apo shpresonte në fillim. /Përshtati "Pamfleti" nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje