TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Korrik 2023, 16:03

Po shuante zjarret, rrëzohet avioni në Greqi; humbin jetën dy persona (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Po shuante zjarret, rrëzohet avioni në Greqi; humbin jetën dy

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të martë në Greqi, ku një avion me dy pilotë në bord u rrëzua teksa po përpiqej të shuante zjarret në Karystos.

Mediat greke bëjnë me dije se avioni i modelit “Canadair“ ra gjatë përpjekjeve për të shuar flakët në vatrën e shpërthyer prej ditësh në jug të ishullit Eubea, pasi goditi një pemë.

Sipas informacioneve në avion ndodheshin dy persona, të cilët humbën jetën. 

Gjatë operacionit të shuarjes së zjarrit, avioni u përplas me një pemë, duke bërë që të rrëzohej në tokë dhe të shpërthente në flakë.

“Të martën, 25 korrik 2023, në orën 15:05, një avion CL-215, me një ekuipazh prej dy personash, u rrëzua gjatë shuarjes së zjarrit ajror në Platanistos, Evia.

Një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar për gjetjen e dy pilotëve. Në zonë janë nisur 1 helikopter Super Puma dhe 1 helikopter AB-205 i Forcave Ajrore, si dhe 1 helikopter S-70 i Marinës.", thuhet në njoftimin e Forcave Ajrore greke.

Situata më e rëndë është në ishullin e Rodosit, ku vatra e madhe që u duk sikur u vu nën kontroll është rikativizuar me valën e re të të nxehtit të kësaj të martë, ku temperaturat kanë arritur 45 gradë Celsius. Flakët masive kanë djegur gati 1/3-ën e ishullit dhe kanë detyruar të evakuohen mbi 20 mijë banorë e turistë.

Evakuime masive po bëhen edhe në Korfuz, ku vatra është aq e madhe sa duket edhe nga Saranda, siç vihen në dukje në këtë video të publikuar nga e prestigjozja britanike “The Guardian”.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kërkoi marrjen urgjente të masave para fuqizimit të erërave që parashikohen këtë javë dhe që pritet të vështirësojnë situatën.

“Ditët në vazhdim, veçanërisht të enjten, do ta kemi shumë të vështirë. Mesdheu është shndërruar në një pikë të nxehtë të ndryshimeve klimatike, ndaj më lejoni ta them qartë, mbrojtja ndaj pasojave të kësaj situate nuk vjen me magji”.

Mitsotakis paralajmëroi gjithashtu ndëshkime të ashpra për zjarrvëniet. Për 7 ditë në gjithë Greqinë janë djegur në total mbi 340 mijë hektarë pyje.

greqi avion zjarre

Lini një Përgjigje