Ish-zyrtari i sigurisë së Katarit, Nawaf al Thani, ka ngritur alarmin për situatën në Ngushticën e Hormuzit. Ai e ka cilësuar sjelljen e Gardës Revolucionare të Iranit si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.
Në një intervistë për "Sky News", ai iu referua raportimeve për përfshirjen e anijeve luftarake iraniane në incidente me mjete tregtare në këtë korridor strategjik.
"Nëse këto raportime janë të vërteta, kjo është një sjellje shumë e pamatur nga ana e IRGC-së", u shpreh Al Thani.
Duke theksuar rëndësinë jetike të Ngushticës së Hormuzit për tregtinë globale, ai paralajmëroi se mbyllja e saj nga Irani krijon një situatë të rrezikshme për qarkullimin detar.
Al Thani kritikoi gjithashtu deklaratat e fundit të udhëheqjes iraniane për përdorimin e forcës ndaj kundërshtarëve, duke i cilësuar si përshkallëzim të tensioneve në rajon.
Sipas tij, zhvillimet e fundit mund të ndikojnë edhe në negociatat e vazhdueshme dhe në të ardhmen e sigurisë së transportit detar në këtë zonë kyçe.
Lini një Përgjigje