Zëvendësministër i Jashtëm i Iranit ka deklaruar se Teherani nuk merr urdhra nga SHBA-të, teksa ushtria ka rimarrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Saeed Khatibzadeh, deklaroi në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalia se Teherani nuk do të pranojë kurrë urdhra ose bllokada të Ngushticës së Hormuzit nga Shtetet e Bashkuara.
"Nuk do të ketë bllokadë në të ardhmen", tha Khatibzadeh.
"Epoka e kolonializmit duhet të marrë fund; SHBA-të nuk mund t'u japin urdhra kombeve të tjera". Lidhur me datën e mundshme për një raund të ri negociatash me Uashingtonin, zëvendësministri shpjegoi se ajo nuk mund të caktohet derisa të arrihet një marrëveshje për strukturën e bisedimeve. "Irani nuk do të pranojë të jetë një përjashtim në të drejtën ndërkombëtare ose të heqë dorë nga të drejtat e tij", shtoi Khatibzadeh.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRIB tha se shkak u bë bllokada e Shteteve të Bashkuara, që vazhdoi pavarësisht masave për lehtësimin e kalimit nga Teherani.
Siç duket edhe përmes kësaj harte, shumë anije të ngarkuara me naftë, që përpiqeshin të eksportonin naftën e vendeve të Gjirit, u kthyen mbrapsht pasi njësitë e Gardës Revolucionare penguan kalimin e tyre. Teherani tha se që nga e premtja, kur u vendos kthimi i kalimit të lirë, ka kaluar vetëm një numër i kufizuar anijesh.
Zëdhënësi i presidentit iranian tha të premten se hapja e kanalit ishte provë se sa e angazhuar ishte pala kundërshtare për të çuar përpara përpjekjet për paqe.
Ndërsa ministri i jashtëm Abbas Araghchi, që njoftoi i pari vendimin, tha se ngushtica do të qëndronte e hapur deri të martën, kur skadon armëpushimi i përkohshëm mes SHBA-ve dhe Iranit.
Presidenti amerikan Donald Trump e konsideroi një ditë madhështore dhe falënderoi Iranin. Megjithatë, në një seri postimesh në rrjetin X, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se bllokada amerikane e Hormuzit do të vijojë të jetë në fuqi, deri në arritjen e një marrëveshjeje të plotë me Iranin.
Trump u shpreh optimist se këtë fundjavë do të kishte sërish bisedime të ndërmjetësuara nga Pakistani, megjithatë ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim.
Lini një Përgjigje