
Besnikët e Macron, biseda të fshehta me Le Pen dhe njerëzit e saj....
Hije skandali në Francë. Në apartamentin privat të Thierry Solère, këshilltarit jozyrtar të Emmanuel Macron, muajt e fundit janë zhvilluar darka sekrete mes kampit të Macron dhe Marine Le Pen e Jordan Bardella.
Zbulimi është bërë nga “Libération” dhe vjen në një kohë kur vijojnë negociatat për një kryeministër të ri. Vendi i takimit është shtëpia e re e Thierry Solère në rue d'Aumale, në lagjen e 9-të të Parisit, në lagjen e modës në jug të Pigalle.
Hyrje-daljet e vazhdueshme e makinave blu dhe truprojave në vendet e takimit të klasës politike parizianem kanë tërhequr vëmendjen e fqinjëve dhe së fundi të gazetarëve. Takimet vazhduan edhe në ditët e krizës pas zgjedhjeve evropiane, sepse dy dëshmitarë thanë se kishin parë Jordan Bardellan të dilte nga dera e rue d'Aumale dhe të hipte në makinën e tij të zakonshme DS, e cila e priste në rrugë, rreth orës 4 pasdite, të mërkurën e 12 qershorit.
Roli i Solère dhe këtyre takimeve ishte të lehtësonte kontaktet jozyrtare midis shumicës qendrore, që deri më tani mbështeste Presidentin Macron, dhe opozitës. Midis të ftuarve të Solère ishte ish-kryeministri centrist Edouard Philippe, i cili konfirmoi në një intervistë televizive se kishte darkuar me Marine Le Pen dhjetorin e kaluar. “Po, është e vërtetë, kemi ngrënë darkë së bashku sepse dimë pak për njëri-tjetrin – tha Edouard Philippe –. Dhe me rastin e asaj darke, e cila ishte e përzemërt, kemi vërejtur se kemi pasur mosmarrëveshje shumë të thella për shumë tema”.
Është e drejta e kujtdo që të flasë me këdo, por takimet vijnë në një kohë kur u bë luftë e madhe për të bllokuar Le Pen.
"Është një sinjal i gabuar", komentoi menjëherë François Bayrou, partneri i Philippe në koalicion, i cili doli i dyti pas Nouveau Front Populaire. "Ka një hendek të pakapërcyeshëm midis nesh dhe të djathtës ekstreme, ne nuk duhet të shumëfishojmë sinjalet e favorshme për RN, të cilat mund të sugjerojnë një afrim me ta", shtoi ai.
Gérald Darmanin, ministri i Brendshëm, u distancua gjithashtu: "Eduard Philippe darkon me kë të dojë, por unë nuk do të kisha darkuar me Marine Le Pen". Te e majta ka shumë zemërim, për shembull deputeti i Frontit Nouveau Populaire, Benjamin Lucas tha: “Të gjithë këta makronistë të zgjedhur falë rezistencës së një kandidati të frontit të ri popullor, që tani duan të censurojnë një qeveri të mundshme si e jona, kanë darkur me Marine Le Pen?”.
Nga zbulimi i darkave të famshme përfiton padyshim Marine Le Pen, e cila mund të denoncojë mes rreshtave hipokrizinë e një sistemi që në publik i sulmon ekstremistët, por privatisht i takon me synimin për bashkëpunime të mundshme në të ardhmen. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriera Della Sera"
Lini një Përgjigje