
Presidenti amerikan, Donald Trump mblodhi sot kabinetin e tij, një ditë pasi mori vendimin për të pezualluar tarifat ndaj vendeve të tjera për 90 ditë, (përveç Kinës).
Trump e nisi takimin duke i thënë kabinetit të tij se gjërat po shkojnë shumë mirë dhe pranoi se tarifat do të sjellin disa vështirësi për amerikanët, por sipas tij, gjithçka do t’ia vlejë në fund.
“Do të ketë një kosto tranzicioni dhe probleme tranzicioni, por në fund do të jetë një gjë e bukur. Ne po bëjmë atë që duhet të kishim bërë shumë vite më parë. Ne e lamë të dilte jashtë kontrollit dhe lejuam disa vende të bëhen shumë të mëdha dhe shumë të pasura në kurrizin tonë. Dhe unë nuk do ta lejoj këtë të ndodhë. Nuk është një formulë e qëndrueshme", tha Trump.
Trump më pas lavdëron kabinetin e tij, duke thënë se të gjithë në këtë tryezë po bëjnë gjëra të pabesueshme. Sekretari amerikan i tregtisë, Howard Lutnick më pas flet për vendet që kërkojnë marrëveshje me administratën për të ndryshuar tarifat.
"Nuk jam i sigurt se mund të kemi kohë të mjaftueshme gjatë ditës për të biseduar me të gjitha këto vende sepse ata duan të bisedojnë dhe duan të flasin tani. Ata kanë ardhur me oferta që nuk do t’i kishin ardhur kurrë më parë", thotë ai.
Më pas Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, tha se po vendoset një proces për të negociuar me vendet mbi tregtinë dhe tarifat.
"Pra, sillni marrëveshjen tuaj më të mirë", tha ai, teksa bëri të ditur se Trump do të jetë pjesë e negociatave.
Ndërkohë që Trump tha se do t'i pëlqente marrëveshja me Kinën, pavarësisht rritjes së tarifave.
I pyetur nga gazetarët se cilat janë hapat e tij të ardhshëm për Kinën, Trump tha se do të shohin si do të shkojnë gjërat dhe nëse Pekini është i gatshëm për të negociuar. Ai vijojë të këmbëngulë se Kina kishte përfituar në kurriz të Amerikës, por zbuti tonet teksa foli për presidentit Xi Jinping të cilin e konsideroi një mik të vjetër të tij.
"Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë me Kinën. Ne do të donim të ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje. Ata me të vërtetë kanë përfituar nga vendi ynë për një periudhë të gjatë kohore. Ata na kanë zhveshur. Gjithçka që po bëjmë është ta kthejmë atë në formë. Ne jemi duke e rivendosur tabelën dhe jam i sigurt se do të jemi në gjendje të shkojmë shumë mirë. Kam respekt të madh për presidentin Xi. Ai ka qenë, në kuptimin e vërtetë, një mik i imi për një periudhë të gjatë kohore. Unë mendoj se ne do të përfundojmë duke punuar për diçka që është shumë e mirë për të dy vendet. Unë e pres me padurim atë", tha Trump.
Sa i takon gatishmërisë së BER-së për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve me SHBA-në, Trump e quajti një vendim shumë të zgjuar.
BE-ja ishte shumë e ashpër, por edhe shumë e zgjuar, ata vendosën të përmbahen pak me hakmarrjen e tyre pasi panë sesi u trajtua Kina.
Lini një Përgjigje