ISIS-K është aktualisht bartësi standard i Shtetit Islamik dhe filiali më i aftë në aspektin operacional, duke nxitur krahasime me degën jemenase të Al-Kaedës në Gadishullin Arabik, e cila krijoi reputacionin e një organizate të aftë të hartojë dhe kryejë sulme terroriste të profilit të lartë...
Pesë vjet më parë u shkatërruan edhe mbetjet e fundit të së ashtuquajturit Kalifat të Shtetit Islamik. Forcat Demokratike Siriane (SDF), një milici kurde e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, u futën në qytetin sirian Baghouz për të kapur luftëtarët e mbetur të grupit dhe familjet e tyre.
Rënia e bastionit të fundit të ISIS, ishte kulmi i një përpjekjeje shumëvjeçare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre për të dëbuar grupin radikal nga Levanti. Në kulmin e tij në vitet 2015-2017, territori i kontrolluar nga ISIS ishte më i madh se sa territori aktual i Britanisë së Madhe.
Ai mburrej me dhjetëra mijëra luftëtarë të huaj të ardhur nga dhjetëra vende, por edhe për faktin që ishte në gjendje të kryente sulme komplekse terroriste në zemër të Evropës, siç ishte ai i Parisit në nëntor 2015 dhe në Bruksel në marsin e vitit 2016.
Propaganda e tij frymëzoi “ujqërit e vetmuar” që të ndërmerrnin aktet brutale që synonin shtypjen me automjete të turmave me civilë. Luftëtarët e tij i prenë kokat pengjeve perëndimorë dhe i përdorën videot dhe imazhet e tyre për të joshur rekrutët e radikalizuar.
Por në fillim të vitit 2024, organizata është gati e panjohur nga ajo që ishte vetëm 5 vjet më parë. Megjithëse ISIS nuk është më në pozita të forta në Lindjen e Mesme, një numër i madh luftëtarësh mbeten në Irak dhe Siri, ku ata kryejnë operacione të stilit gueril. Shumë nga degët e tij më aktive ndodhen aktualisht në Afrikë, ku degët e ISIS pretendojnë rregullisht autorësinë e sulmeve në Republikën Demokratike të Kongos (DRC), Egjipt, Mozambik dhe Nigeri.
Dega e tij në Afganistan, ISIS-Khorasan (ISIS-K), është grupi përgjegjës për sulmin terrorist të 22 marsit në Moskë, përveç sulmeve në Iran dhe Turqi në fillim të këtij vitit. ISIS-K është aktualisht bartësi standard i Shtetit Islamik dhe filiali më i aftë në aspektin operacional, duke nxitur krahasime me degën jemenase të Al-Kaedës në Gadishullin Arabik, e cila krijoi reputacionin e një organizate të aftë të hartojë dhe kryejë sulme terroriste të profilit të lartë.
ISIS dhe bashkëpunëtorët e tij kanë treguar një aftësi të jashtëzakonshme për t'iu përshtatur rrethanave dhe për të mbijetuar. Pasi pësoi humbje të mëdha territoriale në Lindjen e Mesme, pakësim të ndjeshëm të luftëtarëve dhe eliminimin e udhëheqësve kryesorë, ISIS ia doli që të transformohej në një rrjet të decentralizuar me degë rajonale, shumë prej të cilave e ruajnë ende kapacitetin për të kryer sulme terroriste të profilit të lartë.
I ndërtuar rreth ideologjisë së tij qendrore ekstremiste salafito-xhihadiste, që vazhdon të joshë ekstremistët aspirantë, ISIS ka vazhduar të shfrytëzojë mediat sociale, forumet e internetit si dhe një aparat të sofistikuar propagandistik për të promovuar mesazhet e tij të dhunshme dhe virulente sektare për segmentet e cenueshme të popullatës që janë lënë pas dore nga qeveritë e vendeve të tyre.
Aftësia e ISIS-it për të rekrutuar, frymëzuar, radikalizuar dhe mobilizuar mbështetësit e tij ndaj dhunës lidhet direkt me efektivitetin e tij në shfrytëzimin e ankesave historike dhe strategjinë e tij të qëllimshme për të krijuar grupe ekskluzive në rajone të karakterizuara nga korrupsioni politik, pabarazitë e mëdha socio-ekonomike dhe qeverisja e dobët.
Efektiviteti i ISIS-it në identifikimin e terrenit më pjellor për të promovuar ideologjinë dhe markën e tij, ka çuar në lindjen e degëve me peshë në Gadishullin Sinai të Egjiptit, Somali, Mozambik, Afrikën Perëndimore dhe Filipinet Jugore etj. Aleanca e çdo dege me ISIS-in varet nga zotimi i tyre për baja’t (besnikëri) ndaj udhëheqjes kryesore të ISIS-it.
Struktura e decentralizuar e organizatës, i lejon degët që të veprojnë në mënyrë gjysmë të pavarur jashtë një strukture tradicionale të ngurtë të komandimit dhe kontrollit. Por nga ana tjetër, ajo lejon që aktivitetet e tyre të pozicionohen brenda planeve globale të terrorizmit të grupit, si dhe të përforcojë objektivat e tij të përgjithshëm.
Shembulli më i qartë shihet aty ku lufta kundër ISIS-it ka mbetur e papërfunduar, në Irak dhe Siri. Afro 46.500 gra dhe fëmijë janë ende duke lënguar në kampet problematike të refugjatëve në verilindje të Sirisë, ndërsa 9.000 luftëtarë të tjerë të ISIS mbahen në qendrat e paraburgimit të menaxhuara nga kurdët e SDF.
Në shumë raste, luftëtarët e ISIS janë përpjekur të lirojnë shokët e tyre nga burgu, madje kanë nisur një fushatë sulmesh të quajtur “Thyerja e mureve”, e fokusuar në sulmin ndaj burgjeve dhe nxitjen e trazirave brenda tyre. Në janarin e vitit 2022, ISIS sulmoi një burg në Hasakah të Sirisë, duke shkaktar një rebelim 10-ditor, që u dha mundësinë qindra të burgosurve xhihadistë që të arratiseshin.
Në rajonin e Sahelit në Afrikës, një hapësirë e madhe gjysmë e thatë e shkretëtirës që përfshin Afrikën Perëndimore dhe Veri-qendrore, provinca Sahel e Shtetit Islamik dhe provinca e Afrikës Perëndimore të Shtetit islamik kontrollojnë pjesë të territorit që shtrihen nga bregu i Afrikës Perëndimore deri në pellgun e liqenit Çad.
Sipas Indeksit Global të Terrorizmit, 4 nga 10 vendet më të prekura nga dhuna e terrorizmit vitin e kaluar ndodhen në këtë rajon:Burkina Faso (1), Mali (3), Nigeria (8) dhe Nigeri (10). Ndërkohë ISIS-K ka qenë i lidhur me një numër në rritje komplotesh në Evropë kohët e fundit.
Tre burra u arrestuan në fund të vitit të kaluar në landin gjerman Rhine-Westphalia-s mbi planet e dyshuara për të sulmuar Katedralen e Këlnit natën e Vitit të Ri. Sulmet lidheshin me tre arrestime të tjera në Austri dhe një në Gjermani që ndodhën më 24 dhjetor. Thuhet se të 4 personat po vepronin në mbështetje të ISIS-K.
Në korrik 2023, Gjermania dhe Holanda koordinuan një operacion që synonte një rrjet të lidhur me ISIS-K, i dyshuar për përgatitjen e disa sulmeve në Gjermani. Gati 4 vjet më parë, policia gjermane ndaloi një plan për të sulmuar bazat ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s në Gjermani (prilli i vitit 2020). U raportua se 4 shtetas taxhikë të arrestuar ishin në kontakt me zyrtarët e Shtetit Islamik në Afganistan dhe Siri.
Sulmi i ISIS-K në Moskë 10 ditë më parë, ishte një kujtesë e fortë e shtrirjes së këtij grupi. Ai tregoi se me kombinimin e aftësive dhe qëllimeve, xhihadistët e Shtetit Islamik mund të synojnë ambasadat, objektet ose personelin amerikan jashtë vendit. Shteti Islamik tërhiqet nga rajone të paqëndrueshme, duke shtrirë tentakulat e tij në Azinë Qendrore, Kaukaz dhe Ballkan.
Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, raporti i komisionit të posaçëm foli për terrorizmin si një sfidë brezash. Për ata që i përjetuan pasojat, si ne të dy, kjo sfidë mbetet pavarësisht lodhjes së kuptueshme nga Lufta Globale kundër Terrorizmit. Aktualisht vëmendja kryesore në Uashington dhe Bruksel ka të bëjë me ‘konkurrencën e fuqive të mëdha’.
Në horizont janë shfaqur sfida të mëdha, ndaj ka kuptim që të devijohen disa nga burimet për të kundërshtuar ngritjen e Kinës dhe për t'u marrë me problemet komplekse të sjella nga Inteligjenca Artificiale. Megjithatë, distancimi nga anti-terrorizmi do të ketë pasoja serioze për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.
Së pari, është thelbësore të pranohet se Shteti Islamik dhe anëtarët e tij janë një kërcënim i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm. Ndërsa kalifati territorial është çmontuar, tërheqja e tij ideologjike dhe metastazat e tij paraqesin sfida të rëndësishme sigurie për Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar më gjerësisht.
Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur kryesisht një strategji monolitike kundër terrorizmit për dy dekadat e fundit të bazuar pothuajse ekskluzivisht në forcën ushtarake, dhe në një farë mënyre, ajo ka qenë viktimë e suksesit të saj. Tani është e domosdoshme të kuptohet se terrorizmi është një sfidë komplekse që shtrihet në sferat politike, ushtarake, diplomatike dhe ekonomike. Prandaj është e vetëkuptueshme nevoja për të ndërtuar një strategji kundër terrorizmit që tejkalon fuqinë ushtarake. Hapi i parë jetik është hartimi dhe zbatimi i një strategjie kundër terrorizmit të evoluar plotësisht që ndërthur komponentët e “fuqisë së butë” me mjete të kufizuara të fuqisë së fortë, duke përdorur spektrin e plotë të fuqisë kombëtare./Përshtati Pamfleti për “Eurasia Riview”
Lini një Përgjigje