TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Korrik 2024, 21:45

Përplasja e klaneve: a mund të qëndrojnë demokratët të bashkuar nëse rrëzohet Biden?

Shkruar nga Pamfleti

Përplasja e klaneve: a mund të qëndrojnë demokratët

Nga Obama, te Clinton, si janë ndarë klanet brenda Partisë Demokratike lidhur me kandidimin e Biden?

Mbledhja e fondeve gjatë muajit të kaluar në Los Anxhelos për Joe Biden, ishte një sukses i jashtëzakonshëm, duke grumbulluar më shumë se 30 milionë dollarë donacione për fushatën e rizgjedhjes së presidentit. Kjo falë edhe mbështetjes nga George Clooney-t dhe Julia Roberts.

Në fund të mbrëmjes, turma brohoriste, grupi po luante muzikë dhe ishte koha për t'u larguar nga skena. Por  Biden dukej se ngriu. Ish-shefi i tij, Barack Obama, i erdhi në ndihmë, duke marrë presidentin 81-vjeçar për krahun.

Shumë demokratë tani po shpresojnë se Obama do të jetë përsëri ai që do ta lërë mënjanë Bidenin, pasi performanca e zymtë e presidentit në debatin e javës së kaluar kundër Donald Trump i bindi ata që fushata e tij për rizgjedhje në nëntor është e kotë.

Problemi, paralajmërojnë ata që e njohin presidentin dhe ekipin e tij, është se një ndërhyrje e Obamës mund të ketë efektin e kundërt. Midis Bidenëve, ka ende hidhërim ndaj Obamës për mbështetjen e Hillary Clinton - kundër zëvendëspresidentit të tij - si pasardhës të tij në 2015.

"Nëse Obama përpiqet të përfshihet, do të jetë kundërproduktive", tha një donator i lartë i partisë Demokratike .

Një lobist demokrat ra dakord: "Unë mendoj se gjëja që shumë njerëz nuk e kuptojnë është se Barack Obama, Clinton dhe Biden nuk kanë një marrëdhënie të mirë".

Marrëdhëniet midis tre klaneve drejtuese të Partisë Demokratike nuk kanë qenë kurrë të drejtpërdrejta. Obama tërhoqi zemërimin e Klintonëve kur, si senator i mandatit të parë, pati guximin të sfidonte Hillary Clinton-in për nominimin e partisë në vitin 2008.

Lidhjet e Biden me Klintonët nuk ishin kurrë veçanërisht të forta, sipas një operativi tjetër, i cili besonte pak në përpjekjet për të përfshirë Bill-in dhe Hillary-n në fushatën për të mënjanuar presidentin.

Ato plagë dhe rivalitete të vjetra, tani formojnë një shtresë mosbesimi në krye të një partie tashmë të thyer.

Katër vjet më parë, Biden ishte ai që mbajti së bashku një koalicion të gjerë – progresistë, votues me jakë blu, të rinj e të vjetër, njerës me ngjyrë, etj., – për të mposhtur Trump. Largimi i tij kërcënon ta shkatërojë këtë bashkim.

"Nuk ka unitet mes demokratëve sepse, në thelb, pjesët e koalicionit demokratik nuk ndajnë të njëjtat vlera", tha Hank Sheinkopf, një strateg i vjetër i partisë, duke përmendur thellimin e hendekut midis bazës së tij tradicionale jakë blu dhe elitave të tij të arsimuara urbane. Për familjet drejtuese të partisë ai tha: “Ata të gjithë përfaqësojnë fraksione të ndryshme”.

Në të kundërt, Partia Republikane është shfaqur gjithnjë e më uniforme nën dominimin e Trump. Uniteti i saj është arritur, pjesërisht, duke persekutuar disidentët, përfshirë ata që fajësuan ish-presidentin për nxitjen e kryengritjes së 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA.

Një operativ veteran demokrat paralajmëroi për "një show gjigant" nëse Biden do të rrëzohej.

Disa nga ndarjet e demokratëve u shfaqën në garën e fundit paraprake të Kongresit në distriktin e 16-të të Nju Jorkut. Ai vuri përballë një anëtar me ngjyrë të "Skuadrës" progresive, kongresmenin Jamaal Boëman, kundër një figure të bardhë të establishmentit, George Latimer, i cili kishte mbështetjen e Hillary Clinton. Ajo që pasoi ishte një garë brenda partiake që paraqiste akuza për racizëm dhe antisemitizëm, të ndezur nga mosmarrëveshjet e brezave mbi luftën e Izraelit në Gaza.

Një shenjë të çarjeve të mundshme në parti dha edhe Jim Clyburn, kongresmeni i Karolinës së Jugut që ndihmoi në forcimin e mbështetjes së personave me ngjyrë për Biden katër vjet më parë. Këtë javë ai doli kundër kandidimit të zëvendëspresidentes Kamala Harris, e cila është gjithashtu me ngjyrë.

Demokratë të tjerë hedhin poshtë parashikimet e kaosit dhe debateve, si një argument egoist për të mbajtur Bidenin në garë.

Deri më tani, peshat e rënda të partisë kanë arritur të mbajnë të fshehta mosmarrëveshjet e tyre. Por disa të dhëna janë shfaqur në media. Ata kanë ardhur nëpërmjet ish-këshilltarëve të Klintonit dhe Obamës, të kthyer në ekspertë, James Carville dhe David Axelrod, thirrjet e të cilëve për presidentin të largohej mënjanë kanë goditur kampin e Bidenit.

Pas debatit, Ben Rhodes, ish ndihmësi i Obamës, kritikoi përpjekjen e fushatës së Bidenit për të riparuar dëmin. "T'u thuash njerëzve se nuk e panë atë që panë nuk është mënyra për t'iu përgjigjur kësaj," tha ai. / Përshtati “Pamfleti” nga “Finacial Times”

Lini një Përgjigje