TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Shkurt 2024, 11:04

Perëndimi duhet të jetë vigjilent për spiunët e Rusisë, Kinës dhe Iranit që ndodhen midis nesh

Shkruar nga Elisabeth Braw

 Perëndimi duhet të jetë vigjilent për spiunët e

 “Armiqtë tanë po ushtrojnë presion nga çdo anë”- Spiunazhi që po kryhet kundër nesh sot, është gjithëpërfshirës në ambiciet, metodat dhe mjetet që përdor...

Në një koordinim shembullor, agjencitë norvegjeze të inteligjencës, kanë publikuar raportet e tyre vjetore. Dhe gjetjet e tyre janë shumë shqetësuese. Të tre dokumentet përshkruajnë mënyrat e reja, përmes të cilave Rusia dhe Kina, por edhe Irani dhe Koreja e Veriut, përpiqen të grumbullojnë të dhëna mbi rivalët e tyre në Perëndim, tani që rruga e zakonshme nëpërmjet ambasadave është bërë për ta shumë më e vështirë.

Agjencitë norvegjeze, e vënë theksin tek një sërë aktivitetesh spiunazhi, nga detarët civilë që zbulojnë instalimet në det të hapur, deri tek agjentët e fshehtë që spiunojnë çdo aspekt të jetës së përditshme në vendet perëndimore. Dhe mbi këto raporte duhet të nxirren leksione dhe të merren masa shumë përtej kufijve të Norvegjisë.

Spiunazhi kundër vendeve perëndimore nuk ka pushuar asnjëherë, madje as në vitet disi më të qeta pas fundit të Luftës së Ftohtë. Megjithatë, ai ka ardhur duke u rritur ndjeshëm vitet e fundit. Deri në pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, shumë agjentë rusë punuan nën mbulesën zyrtare në ambasadat ruse në kryeqytetet evropiane.

Por pas pushtimit, qeveritë perëndimore dëbuan më shumë se 400 prej tyre. “Ne presim që Rusia të përpiqet ta kompensojë dëbimin e oficerëve të saj të inteligjencës. Ajo mund ta bëjnë këtë duke dërguar më shumë agjentë vizitorë, ose duke rekrutuar burime nëpërmjet kontakteve dixhitale”- vëren Shërbimi i Sigurisë së Policisë Norvegjeze (PST), agjencia përgjegjëse për sigurinë e brendshme dhe kundërzbulimin, në raportin e saj të fillimit të këtij viti.

Pra do të ketë më shumë raste si ai i Jose Assis Giammaria, një akademik i supozuar brazilian që nisi punë në një universitet norvegjez në vitin 2021, por u demaskua si një agjent i fshehtë i rusëve vetëm një vit më vonë. Tani ai është në pritje të gjykimit. Në fakt, përpjekjet inovative të spiunazhit janë një rezultat paradoksal i sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Në fillim u supozua se sanksionet do ta dëmtonin rëndë spiunazhin rus. Por shefat e spiunazhit e kanë shtuar spiunazhin që përfshin individë që punojnë nën një mbulesë shumë të thellë, duke u paraqitur si anëtarë të zakonshëm të shoqërisë. Dhe agjentë të tillë, janë shumë më të vështirë për t’u identifikuar dhe gjurmuar.

Sepse në dallim nga oficerët e inteligjencës nën mbulimin zyrtar, ata nuk kërkojnë viza diplomatike. Madje mund të mos kenë fare nevojë për viza, dhe mund të jenë qytetarë vendas apo të shtiren si të tillë. “Ndërsa Rusia po synon ende të vendosë oficerët e inteligjencës nën mbulimin tradicional diplomatik, ajo është e detyruar të gjejë mënyra për të kompensuar mungesën e inteligjencës njerëzore, si për shembull duke adoptuar gjithnjë e më shumë forma të tjera të operacionit të fshehtë jashtë vendit”- tha për POLITICO prillin e vitit të kaluar Antti Pelttari, drejtor i shërbimit sekret finlandez.

Por nuk është vetëm Rusia. Edhe shërbimet sekrete të Kinës, po përfitojnë gjithashtu nga të gjitha llojet e njerëzve që kanë arsye legjitime për të hyrë në Norvegji, Finlandë apo ndonjë vend tjetër perëndimor. Për shembull, PST raporton se “aktivitetet e inteligjencës dhe ndikimit kinez në Norvegji, po kryhen në një masë të madhe nga ndërmjetës, kompani shtetërore dhe private kineze, organizata, institucione akademike dhe grupe të mendimit”.

Atëherë kush është një akademik dhe biznesmen i zakonshëm, dhe kush një spiun? Ne qytetarët e thjeshtë, e kemi të pamundur ta dallojmë. “Në projekte më të mëdha, kompanitë shtetërore dhe private kineze veprojnë shpesh në konsorciume. Përmes mbivendosjes së interesave të pronësisë, shteti kinez përfaqësohet në të gjithë zinxhirin e sipërmarrjes.

Shpeshherë kompanitë kineze përdorin nënkontraktorë, të cilët gjithashtu kanë lidhje me autoritetet kineze, thekson në raportin e saj agjencia e inteligjencës ushtarake e Norvegjisë, Etterretningstjenesten. Por sfida me të cilën përballet Norvegjia dhe vendet e tjera perëndimore nuk është vetëm se spiunët e huaj po bëhen më të vështirë për t’u identifikuar.

Por sepse ata po monitorojnë gjithçka.

Disa dekada më parë, biznesi dhe bota akademike ishin një terren pjellor i bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërsa sot vjedhja të drejtës së pronës përbën një problem të madh. Tani studiuesit janë po aq të cenueshëm ndaj spiunazhit rus dhe kinez sa edhe institucionet qeveritare, dhe ky rrezik vetëm sa do të rritet vetëm gjatë viteve të ardhshme.

Irani ka interesa të ngjashme, edhe pse duket se ai fokusohet tek depërtimi në teknologjitë më të avancuara të zhvilluara në universitete dhe laboratorë. Natyrisht, objektivi i Teheranit është të vërë teknologjinë që vjedh në përdorim ushtarak. Sipas PST, edhe Koreja e Veriut kryen ndërhyrje kibernetike kundër Norvegjisë për të fituar qasje në kërkime pioniere (por edhe për të vjedhur para).

Dhe një pjesë të shoqërisë moderne perëndimore është edhe më e ndjeshme ndaj spiunazhit dhe dëmeve që rrjedhin prej tij se të tjerat:infrastruktura e bazuar në det. Për dekada të tëra, anijet tregtare dhe kërkimore kanë shkelur rregullat detare për të kryer edhe spiunazh. Dhe vitet e fundit, me rritjen e flotës, është rritur edhe spiunazhi.

Në një raport të janarit të këtij viti, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare zbuloi se 80 për qind e anijeve kërkimore të Kinës, kishin lidhje që sugjeronin “përfshirje në axhendën gjeopolitike të Pekinit”. PST raporton se anijet tregtare kryejnë spiunazh në ujërat norvegjeze, dhe se kjo mund të përfshijë hartimin ose sabotimin e infrastrukturës në det

Apo që këto anije mund të shkaktojnë qëllimisht aksidente, për të identifikuar dobësitë në gatishmërinë apo reagimin e autoriteteve norvegjeze. Dhe kjo rëndësi sepse Norvegjia është shndërruar në një furnizuese kryesore të energjisë në Evropë, sidomos që nga pushtimi i Ukrainës dhe shkatërrimi  tubacioneve të gaszjellësit “Nord Stream”.

Nafta dhe gazi pompohen nga platformat në det të hapur, dhe më pas transportohen përmes tubacioneve që përshkojnë ujërat evropiane. “Rusia e ka hartuar infrastrukturën kritike të naftës dhe gazit të Norvegjisë përgjatë disa viteve. Një proces i tillë vazhdon, si fizikisht ashtu edhe në hapësirën dixhitale.

“Këto të dhëna mund të jetë shumë të rëndësishme në një situatë konfliktuale”- vëren më tej shërbimi sekret ushtarak i Norvegjisë. Përpara se të sabotohej “Nord Stream”, dikush dinte me saktësi koordinatat e tij. Një vëmendje e vazhdueshme po u kushtohet edhe kabllove të komunikimit nënujor.

Vendndodhja e tyre është e njohur nga publiku, e paraqitur në hartat që përdorin peshkatarët dhe të tjerët. Por në realitet, kabllot individuale janë të vështira për t’u gjetur, pasi shtrati i detit mund të bëjë që ato të lëvizin paksa në një drejtim apo tjetrin.

Në këtë sfond, nuk është ndoshta e habitshme që anijet ushtarake dhe civile ruse janë “parkuar” disa herë në brigjet e Irlandës, në ujërat ku ndodhet një përqendrim i madh kabllosh nënujore që lidhin Evropën Veriore dhe Bregun Lindor të SHBA-së.

“Armiqtë tanë po ushtrojnë presion nga çdo anë”- thuhet në përkthimin në anglisht të njërit prej rreshtave në lutjen e famshme të Shën Agustinit “O Salutaris Hostia”. Spiunazhi që po kryhet kundër nesh sot, është gjithëpërfshirës në ambiciet, metodat dhe mjetet që përdor.

Edhe vendet perëndimore nuk janë engjëj, por të paktën ato nuk po shënjestrojnë vendet e tjera me një egërsi të madhe. Megjithëse raportet nga 3 agjencitë norvegjeze kanë të bëjnë natyrisht me Norvegjinë, gjetjet e tyre vlejnë për të gjitha vendet perëndimore.

A mund të jetë kolegu i radhës si Jose Assis Giammaria? A mundet që një anije që lundron pranë një tubacioni nafte apo gazi, të jetë duke e vëzhguar atë apo duke udhëtuar pa ndonjë synim dashakeq drejt saj? A është vetëm i tillë një kontakt biznesi, apo ai mund të veprojë sipas urdhrit të Kinës?

Njohja e aktivitetit të madh të spiunimit që po ndodh mund të na bëjë paranojakë. Por kundër-masa më e mirë ndaj spiunazhit të përhapur nuk është frika, por ndërgjegjësimi. Dhe tani që tre agjencitë norvegjeze të inteligjencës, i kanë treguar publikut seriozitetin e situatës, me siguri që norvegjezët do të jenë më të kujdesshëm. Por të tillë duhet të jemi edhe ne të tjerët./ Përshtati Pamfleti nga “Politico.eu”

spiunët e rusisë perëndimi irani kina

Lini një Përgjigje