Vreri popullor ka vetëm një drejtim: qeverinë e presidentit Vuçiç, udhëheqësit nacionalist që e udhëheq Serbinë që nga viti 2014.
“Pumpaj! Pumpaj!”. Në serbisht do të thotë “të shtysh, të frysh”. Të gjithë e thonë me zë të lartë në shesh. Të rinj e të moshuar, studentë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, kanë pushtuar prej 5 muajsh rrugët e Serbisë.
Në Beograd, marshimi gjigant kundër korrupsionit ka paralizuar gjithçka në zonat qendrore. Mijëra njerëzit mblidhen kështu çdo ditë, në të gjithë vendin. Në parulla të improvizuara shkruhet “Nuk do të lejojmë askënd që të ulë tensionet!”.
Të rinjtë janë angazhuar për muaj të tërë në këtë lëvizje të madhe dhe kanë arritur disa rezultate. Por jo gjithçka që synohet. Dhe ndërkohë arrestimet vazhdojnë. Pritshmëria më e madhe është për të shtunën e ardhshme. Më 15 mars nuk përjashtohen përleshjet e forta.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kërcënon me një kundërpërgjigje të fortë. Gjallëria e Beogradit të bie menjëherë në sy. Atmosfera është elektrizuese. Kur hyn në qytet duke kaluar lumin Danub dhe degën e tij Sava, të bëjnë përshtypje disa imazhe: zgjerimi i ndërtimeve të reja, ku lulëzojnë rrokaqiejt e post-Jugosllavisë që kanë zaptuar hapësirat dikur të gjelbra dhe prania e studentëve thuajse kudo ku protestohet.
Është e pamundur të mos shohësh shenjat e asaj që mund të ndodhë të shtunën. Në taksinë me të cilën lëviza, pashë të ngjitur diku simbolin e dorës të përgjakur. “Unë i mbështes të rinjtë”- më shpjegon udhërrëfyesi im në këtë vizitë. Këtë simbol të protestës do ta shohim shpesh përgjatë rrugëve të Beogradit.
Në godinën luksoze me ngjyrë të verdhë dhe të gjelbër të Hotel Moskva, turistët ndërpresin konsumin e pijeve. Po kalojnë protestuesit. Dikush mban në duar flamujt e mëdhenj me ngjyrat e simboleve kombëtare. Zhurma është e vazhdueshme. Mijëra bilbila, që ndërpriten nga vuvuzelat buçitëse trengjyrëshe.
Turma vazhdon marshimin, ndalet për një moment dhe fillon sërish të lëvizë. Nga një kinema dalin aktivistë të tjerë. Që të gjithë kanë në duar simbolin e dorës së përgjakur. Të rrëmbyer nga britmat dhe entuziazmi, gjendemi poshtë një skene.
Ka konfuzion, demonstrata e të shtunës që kaloi përkoi me ditën e të drejtave të grave. Shumë vajza serbe mbanin një trëndafil të kuq në dorë. Durimi u ka sosur: “Nuk duam trëndafila, por revolucion!", shkruhet në një parullë.
Vreri popullor ka vetëm një drejtim: qeverinë e presidentit Vuçiç, udhëheqësit nacionalist që e udhëheq Serbinë që nga viti 2014. Zemra e protestës së përditshme është si gjithmonë në Trg Republike, sheshi qendror i ish-kryeqytetit jugosllav.
Në qendër bie në sy statuja e Mihailo III, princit të vrarë në një atentat në gjysmën e dytë të shekullit XIX. “Ata po i ndalojnë jo shumë larg nga këtu!”. Nga celulari i tij Kostas po më tregon videot që po çmendin në rrjetet sociale. Një radhë e gjatë fermerësh protestues është ndalur nga policia në Novi Beograd, pjesën e re të qytetit. Hipur mbi traktorët e tyre, fermerët dhe blegtorët kanë vendosur të mbështesin të rinjtë që po sfidojnë pushtetin qendror. Por forcat qeveritare nuk mendojnë njëlloj.
Nga skena e madhe bëhet vazhdimisht thirrje për unitet mes studentëve dhe profesorëve, sipërmarrësve dhe fermerëve. “Më pas do t’u bashkohemi të gjithëve në Ušće në periferi, ku raportohej për tensione më të mëdha midis protestuesve dhe policisë.
Por nuk pati përplasje të mëdha. Vetëm disa përleshje sporadike. Në qendër të qytetit, protesta ishte e qetë. “Duhet bërë diçka më shumë. Fakti që kjo lëvizje s’ka udhëheqës është një gjë e mirë, sepse qeveria nuk di se cilin të arrestojë. Por nga ana tjetër, gjithçka është më kaotike dhe organizimi nuk është aq i mirë”- ankohet Kostas.
“A kemi marrë ndonjë përgjigje për kërkesat tona? Na premtojnë, por nuk na japin asgjë”- thotë Nina, studente për drejtësi. “Kemi kërkuar shumë gjëra. Lëvizja jonë është gjithnjë e më e madhe dhe nuk do të ndalemi derisa të mësojnë se cilët janë përgjegjësit e vërtetë për ngjarjen e Novi Sadit”- shton ajo.
Më 1 nëntor 2024 në Novi Sad, qytet në Serbinë Veriore, shembja e çatisë së stacionit hekurudhor i mori jetën 15 personave. Ai ishte rindërtuar së kohët e fundit, dhe shembja tregon se deri në çfarë nivele ka arritur korrupsioni në sektorë të caktuar të ekonomisë serbe.
Kompanitë kineze kontraktojnë punë nga kompani franceze me financim hungarez. Një rreth vicioz, ku mungojnë kontrollet, që shihen si pengesë për sektorin e ndërtimit. “Kjo tragjedi mund t’i kishte ndodhur kujtdo. Masakra ua bëri të qartë të gjithëve se korrupsioni drejton gjithçka në Serbi. Kjo ka zgjuar nga gjumi shumë njerëz”- thotë Nikola Ristiç, një nga udhëheqësit e Sviče, lëvizjes që nisi protestat.
Kur kanë kaluar mbi 5 muaj nga fillimi i demonstratave dhe bllokimit të autostradave pushteti i Vuçiç është destabilizuar, megjithatë mbetet ende në këmbë. Disa ministra dhanë dorëheqjen, dhe në fund të janarit edhe kryeministri Millosh Vuçeviç.
Presidenti duhet të shpallë zgjedhjet e reja. Në parlament ka shumë debate, por protestuesit nuk ndihen të përfaqësuar nga forcat opozitare. Rreth 15 persona u arrestuan për ngjarjen e Novi Sadit me akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Po çfarë duan më shumë?. “Ju duhet t’i pyesni të rinjtëmë thotë një arkitekt që takojmë në shesh bashkë gruan dhe fëmijën e tij.
Ndërkohë nga skena mbërrijnë kërkesa të të gjitha llojeve: drejtësi sociale, një pagë minimale e mirë; më shumë strehim për nxënësit. Duke folur me disa nga mijëra të rinjtë në shesh, platforma duket mjaft e qartë: “Duam të vërtetën mbi ngjarjen. Na tregoni dokumentet mbi Novi Sadin; duam të ndalen arrestimet dhe të dënohen ata që na rrahën; duam më shumë fonde për studim”.
Ky është qëllimi, gjithçka tjetër është mashtruese. Nuk jemi në Tbilisi të Gjeorgjisë, që po lufton për Evropën duke marshuar me flamujt verdhe-blu. Dhe as në Rumani, ku favoriti për presidencën është një mbështetës pro-Putinit i ndaluar nga policia dhe i përjashtuar nga zgjedhjet.
Këtu duhen hequr lentet perëndimore. S’ka asnjë referencë për Federatën Ruse; por në shesh nuk shohim as flamujt evropianë. “Duhet të ktheheni këtu në datën 15. Të shtunën, demonstrata e radhës do të jetë e madhe”- shpjegon një djalë, të cilit sytë shkëlqejnë nga eksitimi dhe frika.
“Mund të jetë akti përfundimtar. Të gjithë në Beograd e kanë shënuar datën në kalendarët e tyre. Si e dimë këtë gjë? E di edhe Vuçiç”- thekson ai. Në fillim presidenti u përpoq të largonte vëmendjen nga protestat. Por tani i është sosur durimi.
Së fundmi ka folur për “radikalizimin” e lëvizjes se të rinjve, që thuhet se do të “planifikojnë përplasjet” për javën tjetër. Vuçiç ka paralajmëruar: “Të gjithë ata që do të marrin pjesë do të arrestohen!”.
Turma përpiqet të mos ketë frikë. E gjithë kjo përpjekje nuk mund të shkojë kot. Të shtunën, me bilbilat në dorë, ata do të përsëritin kërkesat e tyre./Përshtati "Pamfleti", nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje