
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy deklaroi se qeveria britanike ka pasur “kontakte diplomatike” me grupin rebel sirian që përmbysi regjimin e Bashar Al Assad.
Lammy tha se Hayat Tahrir al-Sham (HTS) mbetet një organizatë terroriste e ndaluar, por Mbretëria e Bashkuar “mund të ketë kontakt diplomatik dhe kështu ne kemi kontakt diplomatik, ashtu siç prisnit”.
“Ne duam të shohim një qeveri përfaqësuese, një qeveri gjithëpërfshirëse. Ne duam të shohim rezervat e armëve kimike të siguruara dhe jo të përdorura dhe duam të sigurojmë që të mos ketë dhunë të vazhdueshme. Për të gjitha këto arsye, duke përdorur të gjitha kanalet që kemi në dispozicion, dhe ato janë kanale diplomatike dhe natyrisht të udhëhequra nga inteligjenca, ne kërkojmë të merremi me HTS aty ku duhet”, u shpreh Lammy.
Homologu i tij amerikan Antony Blinken tha se SHBA kishte pasur “kontakt të drejtpërdrejtë” me rebelët e HTS që tani kontrollojnë Sirinë. Si Britania e Madhe ashtu edhe SHBA-ja, kanë një interes të veçantë për atë që do të ndodhë më pas në Siri.
Mbretëria e Bashkuar mbylli ambasadën e saj në Damask në vitin 2013, dy vite pasi protestat e Pranverës Arabe filluan të shtypeshin brutalisht nga regjimi i Asadit.
I pyetur nëse HTS mund të hiqet nga lista e Britanisë së Madhe të grupeve terroriste të ndaluara, sekretari i jashtëm tha se grupi rebel mbetet një organizatë e ndaluar që doli nga Al-Kaeda.
“Al-Kaeda është përgjegjëse për një humbje të jashtëzakonshme jetësh në tokën britanike”, tha Lammy, duke shtuar se do t’i gjykojmë (HTS) për veprimet e tyre.
Lini një Përgjigje