TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Nëntor 2025, 18:05

Pas një paqeje të padrejtë në Ukrainë, a i kanë mbetur Europës vetëm 5 vite para luftës së madhe?

Shkruar nga Pamfleti

Pas një paqeje të padrejtë në Ukrainë, a i kanë

Paqja që çon në katastrofë: Moska po planifikon kontinentin pas Ukrainës...

A ekzistojnë sot kushtet reale, ushtarake apo diplomatike, për një paqe të drejtë në Ukrainë, një paqe që rikthen parimet e së drejtës ndërkombëtare? Me shumë gjasë jo.

Donald Trump po administron në mënyrë të paqartë dhe shqetësuese një situatë tashmë të rëndë, e cila u ndërtua mbi gabimet e grumbulluara të dy dekadave të fundit: Europa e dorëzuar ndaj Putinit (me Angela Merkel në krye), dhe tre presidentë amerikanë që dështuan ta frenonin agresivitetin rus: Bush, Obama dhe Biden.

Nëse e pranojmë këtë realitet të ftohtë, atëherë duhet të pranojmë edhe se çdo armëpushim apo paqe e përkohshme, nëse ndodh, do të kërkojë koncesione serioze ndaj agresorit. Kjo nënkupton se Europa duhet të përgatitet për fazën tjetër: planet e Putinit pas Ukrainës. Sepse nëse Kremlini arrin të marrë edhe gjysmën e asaj që kërkon, mesazhi është i qartë, krimi shpërblehet, dhe apetiti rus për zgjerim do të kërkojë objektiva të rinj. Në këtë pikë lind pyetja: si do të mbrohet Europa?

Në verën e vitit 2025, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte paralajmëroi se Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën kundër Europës brenda pesë viteve. Ai theksoi se Perëndimi nuk po përballet me një hipotetikë, por me një “të ardhme të njohur”, një skenar real lufte që sot kërkon planifikim konkret. Moska e diskuton hapur, gjeneralët rusë po përgatiten dhe doktrinat e tyre nuk kufizohen në operacione të vogla apo “speciale”, por përfshijnë luftë të gjerë, potencialisht kontinentale, kundër NATO-s dhe aleatëve të saj. Analistët Florence Gaub dhe Andrew Monaghan, në studimin “How Russia sees the next war”, theksojnë se Rusia e sheh konfliktin si një proces afatgjatë, ku shteti mobilizon të gjitha burimet fizike dhe shpirtërore për të arritur objektivat strategjike.

Në anën tjetër, Perëndimi ka dështuar më herët në leximin e Putinit. Pushtimi i Gjeorgjisë në 2008 u nënvlerësua nga Bush, aneksimi i Krimesë në 2014 u minimizua nga Obama, ndërsa Biden, në prag të pushtimit të 2022-shit, nënvizoi aq shumë mos-ndërhyrjen direkte të SHBA-NATO-s, sa mesazhi i tij u interpretua nga Kremlini si tolerancë. Europa, veçanërisht Gjermania, vazhdoi për vite të mbështeste ekonominë ruse dhe të financonte, në mënyrë indirekte, makinerinë e saj ushtarake. Po ashtu u nënvlerësuan aftësitë e Rusisë për t’i rezistuar sanksioneve dhe u ushqye iluzioni se Xi Jinping do të ushtronte rol stabilizues.

Pas një paqeje të keqe në Ukrainë, Europa rrezikon të ngecë në skenarë të paracaktuar, si pushtimi i vendeve baltike brenda 36-60 orëve ose sulme masive me dronë, duke harruar se Rusia po planifikon mundësi edhe më të gjera, që përfshijnë konflikt të hapur në të gjithë kontinentin, madje edhe dimension indo-paqësor.

Ndërkohë në Evropë, edhe në vende me traditë ushtarake, tema e mbrojtjes shkakton refuzim e panik. Reagimi i ashpër politik dhe publik në Francë, pas deklaratës së gjeneral Fabien Mandon se vendi duhet të jetë i gatshëm të pranojë humbje njerëzore dhe sakrifica ekonomike, tregon hendekun mes atyre që e kuptojnë realitetin e rrezikut dhe shoqërisë civile që nuk dëshiron t’i dëgjojë këto fjalë. Fakti që qeveria franceze nxitoi të qetësonte opinionin publik duke insistuar se “fëmijët tanë nuk do të shkojnë në Ukrainë”, tregon në vetvete krizën kulturore të Europës: një kontinent që e ka kthyer ushtrinë nga një mjet i domosdoshëm i sigurisë, në një të keqe që duhet minimizuar me çdo kusht. Ky mentalitet shihet edhe në Gjermani, ku kancelari Merz po përballet me rezistencë të ashpër vetëm pse propozoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Rasti francez zbulon dy probleme të mëdha të Europës: mungesa e sinkronit mes elitave ushtarake dhe qytetarëve, ku ushtria e kupton rrezikun, por populli nuk dëshiron ta pranojë, si dhe vonesa dramatike në rindërtimin e industrisë së mbrojtjes dhe kapaciteteve të mobilizimit. Është njerëzore që europianët të mos duan të mendojnë për humbje njerëzore; por po aq e vërtetë është se protestojnë pa fund edhe për çështje shumë më pak ekzistenciale, si mosha e pensionit.

Në këtë situatë, shembulli i industrisë ruse të dronëve jep një mësim praktik. Pavarësisht dështimit të fillimit të luftës, Rusia ka rindërtuar një strukturë teknologjike agresive dhe efikase. Qendra “Rubicon”, njëkohësisht njësi luftarake, start-up inovacioni dhe laborator kërkimi, ka bashkuar kërkimin shkencor, industrinë dhe ushtrinë në një zinxhir të shkurtuar ku çdo ide e re testohet menjëherë në terren. Automatizimi dhe robotizimi janë shtylla qendrore të strategjisë ruse, e cila synon ta ulë rolin e njeriut në vijën e parë dhe ta rrisë ritmin e luftës përmes sistemeve autonome.

Përballë këtij realiteti, Perëndimi ka nevojë për një riarmatim inteligjent: më shumë teknologji, më pak burokraci; më shumë sisteme të automatizuara, më pak struktura të kushtueshme dhe të ngadalta të epokës së Luftës së Ftohtë. Burimet njerëzore janë gjithnjë e më të pakta, demografia dhe kultura nuk ndihmojnë, prandaj njeriu duhet të jetë më pak i ekspozuar në terren dhe makina më shumë prezente.

Nëse doktrinat ruse parashikojnë përdorimin e forcës brenda pesë viteve, atëherë pyetja nuk është nëse Europa do të duhet të mbrohet, por nëse do të arrijë të jetë e përgatitur me mjete të mjaftueshme, me strategji të qarta dhe me vullnetin politik që sot mungon dukshëm. Pa këtë kapërcim, çdo paqe e keqe në Ukrainë mund të kthehet shumë shpejt në hyrjen e një krize më të madhe që do të prekë vetë kontinentin. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

2 Komente

  1. T
    Tony Politiqeni

    Kam pas nje maçok shume hileqar ne shtepi dikur. Kur grindej më ndonje maçok tjeter luante rrolin e qyrrsit e frikacakut e kur ai tjetri kujtonte se e vuri perpara e nuk e kishte mendjen maçoku I’m I poshter i vervitej ne pabesi dhe e fitonte betejen. Keta Europianet janë shume hileqare e luajne lojen e frikacakut e duan t’i nxjerrin geshtenjat me duart sllaveve të tjerë. Po që se duan të behen bashke e hane të gjalle rusin e me kullat e Kremlinit do kruajne mishrat e ruseve nga dhembet. Mos harroni se tre here I kane vajtur rusit ne dyert e Moskes nje nga nje Britannia, Franca, Gjermania. Mos harroni se Gjermania Po luftonte me tere boten kur i vajti deri afer Moskes. Po luhet nje loje e madhe e mjere ne bretbocat e vogla qe do na shkelin më kembe buajte e medhenj kur të perplasen.

    1. B
      Bero

      Sa lule të bukura në fushë na kanë çelur.... Kanë shkuar edhe bashkë Perëndimi në dyert e Moskës në kohën e Leninit dhe kanë marrë hurin në bythë.. Nuk e ke idenë fare se çfarë thua,sepse nuk munden rusët në tokën e tyre o Arab! Europa është një bashkim nga frika,jo frika nga Rusia apo kushdo tjetër por frikë nga njëri tjetri.. Pastaj sa i takon kruarjes së mishit të rusëve nga dhëmbët mund të marrësh parasysh se një bombë atomike perëndimore në Moskë e ndez luftën,një bombë atomike ruse në Londër, Paris apo Berlin e shuan luftën. Kujton ti se do qëndronte dot në këmbë çdo qeveri në Europë pas kësaj!? Çfarë i ofron botës Europa sot? Ka dështuar

    Lini një Përgjigje