
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, tha se Parlamenti i vendit të tij nuk do ta ratifikojë kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO së paku deri në tetor.
Pasi mori ‘OK’ nga SHBA për shitjen e avionëve luftarak F-16, Erdogan mesa duket ka nisur të bëj disa manovra të vogla për të vonuar disi ratifikimin e kërkesës së Suedisë.
Duke folur për gazetarët në Vilnius, pas samitit të NATO-s, Erdogan tha se Parlamenti i Turqisë është në pushim për dy muaj dhe më pas “ka shumë propozime [të tjera] legjislative për të diskutuar”.
Turqia u pajtua që Suedia t’i bashkohej aleancës ushtarake në fillim të kësaj jave. Ajo kundërshtoi me muaj, duke pretenduar se Suedia strehon anëtarë të grupeve militante, që Ankaraja i konsideron terroriste. Për të hyrë në NATO një vend, kandidatura e tij duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare. Hungaria ka shtyrë, po ashtu, ratifikimin e kandidaturës suedeze deri në vjeshtë.
Suedia, ashtu sikurse edhe Finlanda, braktisi politikën shumëvjeçare të neutralitetit ushtarak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Finlanda u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s në muajin prill.
Lini një Përgjigje