Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka paralajmëruar se Rusia mund të jetë në një pozicion për të sulmuar NATO-n brenda pesë vjetësh, duke u bërë thirrje aleatëve të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe të forcojnë mbrojtjen e aleancës.
"Duhet të jemi shumë të qartë rreth kërcënimit. Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë. Mbrojtja e NATO-s mund të mbajë për momentin. Por me ekonominë e saj të dedikuar për luftë, Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën ushtarake kundër NATO-s brenda pesë vjetësh", tha Mark Rutte gjatë fjalimit të tij në një aktivitet të Konferencës së Sigurisë në Mynih në Berlin.
Shefi i NATO-s theksoi se Rusia ka rritur ndjeshëm prodhimin e mbrojtjes gjatë luftës në Ukrainë, duke prodhuar rreth 2,000 raketa kruiz dhe balistike këtë vit dhe duke prodhuar rreth 2,900 dronë sulmues çdo muaj.
Duke akuzuar Rusinë për zhvillimin e një lufte hibride në përshkallëzim kundër vendeve perëndimore, Rutte tha se Moska qëndronte pas fushatave të fshehta, sulmeve sabotuese ndaj infrastrukturës kritike, ndërhyrjeve me dronë dhe shkeljeve të hapësirës ajrore.
“Përgjigja e NATO-s ndaj provokimeve të Rusisë ka qenë e qetë, vendimtare dhe proporcionale. Por ne duhet të jemi të përgatitur për përshkallëzim dhe konfrontim të mëtejshëm”, paralajmëroi Rutte.
“Angazhimi ynë i qëndrueshëm ndaj Nenit 5 të NATO-s, që një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve, dërgon një mesazh të fuqishëm. Çdo agresor duhet ta dijë se ne mundemi dhe do të kundërpërgjigjemi fort”, shtoi ai.
Rutte përshëndeti vendimin e qeverisë gjermane për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe planet e saj për investime të mëdha në mbrojtje. Si ekonomia më e madhe e Evropës, ai theksoi se këto përpjekje ishin të rëndësishme dhe kritikoi ata që i kundërshtojnë këto përpjekje. Rutte shtoi se kërcënimi që paraqet Rusia është real.
“E di që edhe në Gjermani, disa njerëz po pyesin veten, a duhet ta bëjmë vërtet këtë? Po. Nëse e doni gjuhën gjermane dhe nuk doni të flisni rusisht, kjo është thelbësore. Është një kusht i domosdoshëm, sepse përndryshe, ky djalë nuk do të ndalet me Ukrainën. Kjo është, mendoj, ajo për të cilën duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, u shpreh Rutte në diskutimin në panel me Ministrin e Jashtëm gjerman Johann Wadephul.
Lini një Përgjigje