TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Shkurt 2026, 21:40

Orët vendimtare për Europën

Shkruar nga Godfrey Buccini

Orët vendimtare për Europën

Mungesa këtë vit e JD Vance, i zëvendësuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të sjellë një ton më diplomatik në debat...

Pika e kthesës duket vendimtare, por kërkon kujdes në vlerësim. Njëzet e katër orë ndajnë dy ngjarje që mund të përcaktojnë drejtimin e një Evrope të re. Dje, në kështjellën belge të Alden Biesen, krerët e Komisionit dhe të Këshillit Evropian u takun me njëzet e shtatë udhëheqësit e qeverive të Bashkimit Evropian. Synimi për të zbatuar përfundimisht rekomandimet e paraqitura nga Mario Draghi dhe Enrico Letta mbi vonesat në tregun e përbashkët dhe në konkurrueshmëri është pasuruar gradualisht me perspektiva dhe parulla të reja.

Në tryezë ndodhet edhe hapja ndaj formave të bashkëpunimit të zgjeruar, e përmendur nga vetë Draghi me formulën e “federalizmit pragmatik” dhe tashmë e mbështetur edhe nga Ursula von der Leyen. Gjithashtu, bie në sy një afrimi i paprecedentë mes Romës dhe Berlinit, i cili i kërkon Brukselit thjeshtim procedurash, përshpejtim vendimmarrjeje dhe një rol më të madh për shtetet anëtare në proceset legjislative, edhe me koston e vënies në diskutim, në raste të caktuara, të parimit të unanimitetit. Në këtë kuadër përfshihet edhe një projekt strategjik për mbrojtjen evropiane, si avioni luftarak i gjeneratës së gjashtë GCAP, i zhvilluar me përfshirjen e kompanisë italiane Leonardo dhe që po tërheq interesin e Gjermanisë. Me pak fjalë, pavarësisht ndasive dhe hezitimeve të zakonshme, shfaqen sinjale të një vullneti, për ata që janë të gatshëm, për të ecur me ritmin e një bote që, me rikthimin e Donald Trump në skenë, ka filluar të lëvizë me shpejtësi, duke riformatuar prioritetet përmes presionit të drejtpërdrejtë.

Kjo botë u rikthye në qendër të vëmendjes sot, më pak se 800 kilometra larg, në hotelin Bayerischer Hof në Mynih, ku nisi Konferenca vjetore dyditore e Sigurisë. Ngjarja nuk konsiderohet rutinë. Vitin e kaluar ajo u trondit nga ndërhyrja e Zëvendëspresidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, JD Vance, i cili, në emër të një sovranizmi etno-nacionalist, kritikoi demokracitë liberale evropiane, duke i akuzuar se kufizonin lirinë e shprehjes në dëm të forcave si Alternativa për Gjermaninë (AfD). Ky edicion i 62-të, edhe si pasojë e atij ndërhyrjeje dhe e presionit të mëvonshëm amerikan, do të rihapë dyert për partinë gjermane të ekstremit të djathtë, e cila ishte përjashtuar në vitet e fundit për shkak të dyshimeve për nënkuptime kripto-naziste dhe lidhje me Rusinë.

Ndërlidhja mes dimensionit politik dhe atij të sigurisë është e pashmangshme. Marrëveshja italo-gjermane, rezultat i afrimit gradual mes Giorgia Melonit dhe kancelarit Friedrich Merz, përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme të samitit në Belgjikë. Ajo ka krijuar përkohësisht një distancë me Francën, e cila ndodhet në pozicion të ndryshëm nga Berlini dhe Roma për çështje si borxhi i përbashkët apo projekti alternativ franko-gjerman për avion luftarak, në konkurrencë me GCAP. Megjithatë, kjo marrëveshje mund të tërheqë edhe shtete të tjera, duke formuar një bërthamë fillestare bashkëpunimi të aftë për të çuar përpara disa prej propozimeve të Letta-s dhe Draghi-t, të vlerësuara gjerësisht në vitin 2024, por të lëna më pas në hije nga një Bashkim Evropian që prej vitesh përballet me bllokime rregullatore dhe me përdorimin e vetos.

Urgjenca shtohet nga viti i parë i mandatit të ri të Trump, i shoqëruar me përdorimin e tarifave ndëshkuese dhe me deklarata të forta lidhur me Groenlandën, Evropën dhe NATO-n, që ka shkaktuar tensione të reja.

Megjithatë, një sfidë paradoksale për bashkëpunimin mes Melonit dhe Merz mund të vijë pikërisht nga Mynihu. Mbetet për t’u parë se çfarë peshe do të ketë në të ardhmen legjitimiteti i dhënë AfD-së përpara krerëve të shteteve, ministrave dhe drejtuesve globalë të sigurisë dhe inteligjencës kibernetike. Nëse AfD, aktualisht në rritje në sondazhe, do të arrinte një ditë të merrte pushtetin në Berlin me një mbështetje të tillë ndërkombëtare, kjo do të ndikonte në natyrën e aleancës strategjike mes Italisë dhe Gjermanisë.

AfD është shpallur zyrtarisht organizatë ekstremiste dhe në kundërshtim me rendin demokratik nga Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës. Autoritetet rajonale në Turingi kanë ngritur dyshime për lidhje me Moskën, duke përmendur iniciativa parlamentare të përsëritura mbi çështje të ndjeshme të sigurisë kombëtare. Në nivel evropian, drejtuesi i delegacionit të AfD-së në Bruksel është shprehur publikisht mbështetës i gjeneralit italian Roberto Vannacci dhe, nën sloganin e “remigrimit”, ka sinjalizuar gatishmëri për të afruar figura që në Itali kanë shkaktuar tensione politike për shkak të qëndrimeve ndaj Ukrainës dhe marrëdhënieve me Federatën Ruse.

Mungesa këtë vit e JD Vance, i zëvendësuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të sjellë një ton më diplomatik në debat. Megjithatë, rikthimi i Alternativës për Gjermaninë në një nga forumet më prestigjioze gjeopolitike në botë mbart një peshë simbolike që nuk mund të nënvlerësohet.

Partia e Alice Weidel përfaqëson një rrymë etno-nacionaliste që kundërshton modelin evropian të ndërtuar mbi demokracinë dhe të drejtat. Ekspozimi i saj në një skenë ndërkombëtare ndikon edhe në konkurrencën e brendshme politike në Gjermani, duke prekur drejtpërdrejt partnerin që kryeministrja italiane ka zgjedhur si figurë kyçe për një Evropë të përballur me tensione të shumta, në një kohë kur klima politike globale duket më e favorshme për figura me prirje autoritare.

Christoph Heusgen, diplomati që organizoi edicionet e mëparshme të konferencës dhe që kishte vendosur të mos ftonte AfD-në, kujtoi se Konferenca e Sigurisë u themelua nga Ewald von Kleist, një prej oficerëve të Wehrmacht-it që mori pjesë në përpjekjen për të vrarë Hitlerin në vitin 1944. “Mund ta imagjinoj shumë mirë që von Kleist do ta kishte mbështetur vendimin tim”, deklaroi ai për të përditshmen Tagesspiegel. Por ajo ishte tashmë një botë tjetër./Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”

be pikë kthese

Lini një Përgjigje