Andrew Puzder tha se Bashkimi Evropian duhet ta miratojë marrëveshjen tregtare të Turnberry-t pa ndryshime të mëdha.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian, Andrew Puzder, i kërkoi të enjten BE-së që të miratojë pa ndryshime të mëdha marrëveshjen tregtare BE-SHBA. “Qëndrimi ynë është se një marrëveshje është marrëveshje”, tha ai për POLITICO.
Tri institucionet e BE-së, Këshilli Evropian, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, po zhvillojnë bisedime për të përmbyllur legjislacionin zbatues të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar në resortin e golfit Turnberry të presidentit Donald Trump në Skoci. Marrëveshja parashikon që blloku të heqë tarifat për mallrat industriale amerikane sapo ajo të hyjë në fuqi.
Parlamenti Evropian dhe Franca kërkojnë të shtojnë disa garanci në marrëveshje, por përballen me kundërshtimin e vendeve të udhëhequra nga Gjermania, të cilat preferojnë që teksti të mbetet i pandryshuar. Raundi i ardhshëm i negociatave ndërinstitucionale, të njohura si trilogë, është caktuar për 6 maj.
“Shpresojmë që në procesin e trilogut rezultati të jetë pranimi i faktit se një marrëveshje është marrëveshje”, tha Puzder gjatë një interviste në Forumin Ekonomik të Delfit.
Amendamentet e propozuara përfshijnë një klauzolë “sunrise”, e cila do ta kushtëzonte heqjen e tarifave për mallrat amerikane me uljen e tarifave amerikane për derivatet e çelikut, si edhe një klauzolë “sunset”, sipas së cilës marrëveshja do të skadonte më 31 mars 2028, rreth 10 muaj para se Trump të largohet nga detyra.
“Nuk dua të ndikoj në procedurën e trilogut duke komentuar amendamentet apo rezultatin përfundimtar”, tha Puzder, duke shtuar “nëse ata duan të negociojnë një marrëveshje të re, atëherë besoj se do të negociojmë një marrëveshje të re.”
Edhe Komisioni Evropian kërkon që legjislacioni të miratohet sa më shpejt dhe pa ndryshime të mëdha. Komisioneri për Tregtinë, Maroš Šefčovič, i cili ndodhet aktualisht në Uashington, përdori të njëjtën shprehje javën e kaluar: “Një marrëveshje është marrëveshje”.
Sipas Politico, eurodeputetët dhe Franca argumentojnë se marrëveshja duhet të ndryshohet për shkak të kërcënimeve të Trumpit më herët këtë vit për aneksimin e Groenlandës. Një vendim i Gjykatës së Lartë, që rrëzoi një pjesë të tarifave të tij fillestare, nënkupton gjithashtu se BE-ja nuk gëzon më avantazhet që ofronte marrëveshja e Turnberry-t, pasi tashmë edhe tregje të tjera kanë kushte të ngjashme.
Lini një Përgjigje