TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Gusht 2024, 20:00

Një luftë si ‘lojë shahu’; çfarë pritet të ndodhë në fushëbetejë mes Izraelit, Hezbollahut, Iranit dhe SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Një luftë si ‘lojë shahu’; çfarë pritet

Pas sulmeve më të fundit, IDF-ja izraelite duket se arriti të godiste e para. Hezbollah deklaron fitore strategjike, duke synuar qendrat kibernetiko-informative dhe bazat e Mossad-it. SHBA lëviz arsenalin e rëndë në rajon dhe luan ‘kartën e paqes’, Irani mbështet libanezët

Një tjetër raund lufte dhe katër lojtarë në fushëbetejë: Izraeli, Hezbollahu, Irani dhe SHBA-të.

Një përplasje ku të gjithë pretendojnë fitore dhe po aq me shpejtësi deklarojnë se nuk duan konflikt total. Edhe nëse goditjet janë të forta.

Izraeli                         

Izraeli luajti paraprakisht i pari dhe nuk priti që armiku të bënte lëvizjen e parë. IDF, vazhdoi në një shkallë të gjerë atë që ka bërë që nga 7 tetori: shkatërrimin e hierarkisë ushtarake të Hezbollahut, eliminimin e oficerëve dhe drejtuesve.

Sot zgjeroi aksionin duke shënjestruar pozicionet e lëvizjes libaneze, një numër shumë të lartë biznesesh, godinash dhe bunkerësh.

Mospërfillja që doli në New York Times është interesante: inteligjenca izraelite e dinte se sulmi i armikut ishte planifikuar në orën 05:00 të mëngjesit dhe kështu, u përpoq ta kapte armikun në befasi. Do të ishte një provë sesi spiunazhi arriti të depërtonte në dislokim (loja e 007-ve).

Hezbollah

Aleati i Teheranit "duhej" t'i përgjigjej vrasjes së liderit të saj të lartë Fuad Shukr. Organizata libaneze ushtarake kishte premtuar hakmarrje, por u përmbajt dhe e ngadalësoi për arsye diplomatike.

Më pas, filloi vala e betejës. Plumba, raketa dhe dronë. Disa qindra dronë dhe raketa u lëshuan edhe me ndihmën e Republikës Islamike iraniane. Thuhet se ndër objektivat e zgjedhur ishin komanda e Mossad-it dhe ajo e Njësisë 8200 (inteligjencë elektronike), por nuk ka të dhëna për rezultatet dhe nuk është e qartë nëse "zbulimi" është pjesë e “betejës psikologjike".

Guerilët deklaruan se "faza e parë" e hakmarrjes ka përfunduar, një frazë që mund të tregojë dëshirën për ta kufizuar. Ministri i Jashtëm izraelit Katz u shpreh se: "Ne nuk duam një luftë të përgjithshme".

“As Teherani nuk dëshiron përshkallëzim, ka rregulla të pashkruara për të shmangur më të keqen, por si zakonisht ekziston rreziku që gjithçka të dalë jashtë kontrollit”, shkruan “Corriere della sera”, duke iu referuar burimeve dhe autoriteteve nga vendngjarja.

SHBA

Pentagoni ka përsëritur se është në anën e Tel Avivit dhe për ditë të tëra ka mobilizuar pajisjet e tij në zona të shumta: Mesdheu lindor, bazat midis Jordanisë dhe Gjirit Persik, Deti i Kuq, Gjiri i Omanit.

Dy aeroplanmbajtëse - Roosevelt dhe Lincoln, të cilat sapo kanë mbërritur, anije që veprojnë si mburoja kundër raketave, marinsat, një nëndetëse (Gjeorgji) me anije lundrimi dhe komando, qindra luftëtarë, avionë zbulimi dhe dronë.

Sipas burimeve, disa njësi, do të kishin lëvizur për të siguruar mbrojtje më të madhe. Uashingtoni lëviz në tre nivele: Ndërmjetëson për të arritur një armëpushim në Gaza, mbron aleatin e tij, paralajmëron (por gjithashtu bisedon në mënyrë konfidenciale) me Iranin.

Ajatollahët

Ata kanë gjithmonë një llogari të hapur me Izraelin për vrasjen e Ismael Haniyeh, liderit të Hamasit të vrarë në Teheran më 28 Korrik. Pasdaran kanë përsëritur se do të ketë një hakmarrje të kalibruar, të menduar dhe ndoshta ndryshe nga ajo që presin të gjithë.

Deklarata që i përgjigjen një sërë nevojash: shmangia e një përplasjeje gjithëpërfshirëse, mbrojtja e instalimeve të veta nga një kundërpërgjigje nga shteti hebre, loja me faktorin "surprizë", mbajtja e izraelitëve nën presion, për të menaxhuar një situatë të paqëndrueshme të brendshme politike.

Për këtë arsye ata deri më tani kanë shmangur “të shtënat” duke ia lënë detyrën Hezbollahut, i cili vepron në koordinim me Iranin dhe njëkohësisht ndjek axhendën e tij.

“Ajatollahët tregojnë se kanë durim “strategjik" marrin pjesë në duel verbal, janë të vetëdijshëm për rreziqet, por janë të bindur se mund të ndikojnë në të gjithë lojën e shahut”, shkruan gazeta italiane.

Pjesëmarrje e lartë e ushtrive, të gjitha të pajisura me sisteme me rreze të gjatë dhe që janë të pranishme në Irak, Siri, Liban dhe Jemen.

lufte loje shahu izrael hezbollah iran shba fushebeteje

Lini një Përgjigje