TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Janar 2024, 12:46

Nis seanca për zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, opozita bojkoton votimin

Shkruar nga Pamfleti
Nis seanca për zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër i
Talat Xhaferi

Po zhvillohet seanca plenare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ku pritet të votohet për kryeministrin e qeverisë teknike. Me 66 vota pro u votua rendi i ditës me një pikë vetme, atë të zgjedhjes së Qeverisë së re teknike me Kryeministër Talat Xhaferin.

Në seancën e sotme nuk do të marrë pjesë opozita shqiptare nën arsyetimin se nuk i lejohet ta ketë një anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), ndërsa opozita maqedonase ndonëse do të jetë prezentë në Kuvend, nuk do të votoj për Qeverinë e re.

Fillimisht deputetëve iu drejtua Talat Xhaferi që publikoi kabinetin e tij qeveritar me ministrat e propozuar nga partitë pjesë e koalicionit. Ai u shpreh se fokusi i qeverisë së tij do të jenë prioritetet strategjike dhe shtetërore ku ndër to është edhe ajo e organizimit të zgjedhjeve më 8 Maj. 

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën deri në zgjedhjen e qeverisë së ardhshme politike do të fokusohet në prioritetet strategjike dhe shtetërore të veta konkrete. Në lidhje me prioritetin e lartë të qeverisë që është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të lira, ‘fair’ (të drejta) dhe demokratike, qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore e në bashkëpunim me Kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe misionin e OSBE/ODIHR, BE dhe SHBA do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve duke synuar mundësimin e standardeve më të larta europiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë, konsensualitet dhe pranim konsensual të vullnetit elektoral të qytetarëve”, u shpreh Xhaferi para deputetëve të pranishëm.

Më pas fjalim do të kenë edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se Talat Xhaferi do të pasojë Dimitar Kocaçevskin në këtë detyrë dhe sipas ligjit do të ketë një mandat prej 100 ditësh. Fokus i qeverisjes do të jetë organizimi dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor më 8 Maj ku krahas zgjedhjeve parlamentare do të zhvillohen edhe ato presidenciale.

talat xhaferi maqedonia e veriut

Lini një Përgjigje