
Supozohej të ishte një "kurrë më" përfundimtare: Srebrenica është gjenocidi i vetëm i njohur nga të gjitha luftërat jugosllave. Që atëherë, e drejta ndërkombëtare ka vazhduar të tërhiqet përballë egoizmit të shteteve individuale, dhe koncepti i gjenocidit është trivializuar.
Jean-Daniel Ruch, ish-këshilltar politik i Carla Del Pontes, Prokurores Speciale të Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) nga viti 2003 deri në vitin 2007, i cili shërbeu si ambasador i Zvicrës në Serbi, Izrael dhe Turqi, diskuton konceptin dhe njohjen ligjore të gjenocidit, nga Srebrenica në Gaza, si dhe gabimet dhe mosveprimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Intervsta e botuar nga 'Le Courrier des Balkans':
Në korrik të vitit 1995, ju ishit një diplomat i ri. Si reaguat ndaj lajmit për masakrën e Srebrenicës? A ju kishte zënë në befasi përmasat e jashtëzakonshme të ngjarjes?
Jean-Daniel Ruch: Në atë kohë, unë punoja në selinë e OSBE-së në Vjenë dhe, natyrisht, pati shumë diskutime rreth situatës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Më vjen ndërmend një imazh: një takim që, siç ndodh shpesh, përfundoi me miratimin e një rezolute të kotë. As Alija Izetbegović, Presidenti i atëhershëm i Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe as Haris Silajdžić, Ministri i Jashtëm, nuk kishin arritur të shpëtonin nga Sarajeva e rrethuar. Kështu, i pranishëm ishte vetëm ambasadori boshnjak, një burrë i shkurtër, të cilin kancelari gjerman i gjatë dhe i shëndoshë Kohl e kishte ushtruar gjithnjë e më shumë presion për ta pranuar dokumentin.
Ky imazh, i cili ka mbetur i ngulitur në kujtesën time, përmbledh të gjitha vuajtjet dhe mjerimin e popullit boshnjak i cili, ashtu si populli palestinez sot, u detyrua t'i nënshtrohej diktatit të fuqive të mëdha. Këto fuqi ngurronin të merrnin vendimet e duhura shpejt dhe si rezultat, masakrat vazhduan të shumoheshin.
Të them të drejtën, duke kërkuar nëpër kujtime, nuk mendoj se e kuptova menjëherë shkallën e jashtëzakonshme të krimit të Srebrenicës. Dinamika e asaj ngjarjeje nuk është e krahasueshme me 11 shtatorin, veçantia e së cilës ishte menjëherë e dukshme. Përkundrazi, ato janë të ngjashme me atë që po ndodh sot në Gaza, ku njëpasnjëshmëria e masakrave, litania e pafundme e tmerreve na pengon të kuptojmë menjëherë se një krim dallohet nga të gjithë të tjerët për shkallën e tij.
Në vitin 2003, ju u emëruat këshilltar politik i Carla Del Pontes, atëherë Kryeprokurore e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish- Jugosllavinë (ICTY). Srebrenica ishte në qendër të procedurave penale të tribunalit …
Jean-Daniel Ruch: Në fakt, rasti i Srebrenicës ishte gjyqi ynë më i rëndësishëm, jo vetëm për shkak të madhësisë së krimit dhe rëndësisë së të pandehurve, por edhe për shkak të numrit dhe rëndësisë së dokumenteve dhe provave në dispozicionin tonë. Rasti i Srebrenicës ishte vendimtar për ne, aq sa zëvendësprokurorët më të mirë punuan në të.
Në Srebrenicë, ishte e mundur dhe relativisht e lehtë të provohej qëllimi gjenocidal, një parakusht për njohjen ligjore të krimit të gjenocidit. Ishte shumë më e vështirë të provohej kjo për krime të tjera të kryera në Bosnjën lindore. Në total, Tribunali dënoi tetëmbëdhjetë persona për krimin e Srebrenicës, dhe për shumë prej këtyre individëve, akuza për gjenocid u mbështet. Srebrenica është një shembull kryesor i pamundësisë së asaj që atëherë quhej ende "bashkësia ndërkombëtare" - një koncept tani i lirë nga çdo kuptim, për të parandaluar një masakër gjenocidale.
Një masakër gjenocidale e njohur dhe e dokumentuar në kohë reale, nga lëvizjet e trupave serbe deri te varret masive...
Jean-Daniel Ruch: Po, jam në dijeni të teorisë se ne qëllimisht e lejuam atë që ndodhi në Srebrenicë të ndodhte për të lejuar nënshkrimin e Marrëveshjeve të Paqes së Dejtonit, duke lejuar kështu përfundimin e ndarjes etnike të territorit, një projekt i penguar nga prania e enklavave në Bosnjën lindore. Megjithatë, nuk kam prova përfundimtare për këtë. E diskutova këtë me ambasadorin e SHBA-së për krimet e luftës, i cili konfirmoi se vendi i tij kishte imazhe të lëvizjeve të trupave serbe, por ato nuk ishin të mjaftueshme për të kuptuar qartë se çfarë do të ndodhte. Besoj se do të jetë e vështirë të arrihen përfundime përfundimtare derisa të deklasifikohen arkivat amerikane.
Srebrenica mbetet i vetmi rast gjenocidi i njohur ligjërisht jo vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, por në të gjitha territoret e përfshira në luftërat jugosllave …
Jean-Daniel Ruch: Të vërtetosh qëllimin gjenocidal, dhe për rrjedhojë gjenocidin, është shumë komplekse nga një perspektivë ligjore. Srebrenica ishte i vetmi rast në të cilin ishin të pranishëm të gjithë elementët [e krimit të gjenocidit].
Si arriti Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë të arrestojë dhe ekstradojë [në Hagë] të gjithë ata që akuzohen për gjenocidin e Srebrenicës?
Jean-Daniel Ruch: Kur mora detyrën në vitin 2003, kishim shumë të pandehur, por pak të burgosur. Prandaj, përdorëm burimin tonë kryesor, duke u mbështetur në mekanizmat e presionit të Shteteve të Bashkuara dhe veçanërisht të Bashkimit Evropian. Shpejt e kuptuam se Shtetet e Bashkuara, pas 11 shtatorit, kishin përparësi të tjera përveç Ballkanit dhe do të bënin minimumin e nevojshëm [për të mbështetur punën e gjykatës]. Nga ana tjetër, evropianët e bënë bashkëpunimin e plotë me Gjykatën një kusht për procesin e zgjerimit dhe ky kushtëzim politik funksionoi shumë mirë.
Brenda Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, ne punuam në tre drejtime: duke ushtruar presion diplomatik mbi vendet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që ato të ushtronin presion mbi vendet e Ballkanit; pastaj komunikimin e jashtëm; dhe së fundmi, një strategji operative që përfshinte bashkëpunimin me shërbimet e inteligjencës përgjegjëse për arrestimin e të akuzuarve, edhe pse në shumicën e rasteve kjo nënkuptonte denoncimin e mungesës së bashkëpunimit!
Ndërkohë që kushtëzimi politik ka funksionuar, jam i trishtuar që shoh Bashkimin Evropian që nuk e mban fjalën e dhënë, pavarësisht se Serbia bëri gjithçka që iu kërkua. Serbia ende nuk është anëtarësuar në Bashkim: një shkelje e marrëveshjes që shpjegon shumë nga frustrimet e sotme.
Tribunali arriti të arrestojë dhe ekstradojë të gjithë të akuzuarit. Pra, gota është gjysmë plot. Por a nuk është gjithashtu e vërtetë se mund ta shohim si gjysmë të zbrazët? Deri më sot, gjenocidi i Srebrenicës nuk është njohur ende nga të gjithë ,duke vazhduar të ndajë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Ballkanin në tërësi ...
Jean-Daniel Ruch: Mbani mend, sot askush, madje as nacionalistët serbë, nuk e kundërshton realitetin dhe shkallën e krimit të kryer në Srebrenicë. Polemika ka të bëjë vetëm me klasifikimin e tij si "gjenocid", siç e tregoi edhe qëndrimi i Serbisë vitin e kaluar, kur OKB-ja vendosi një ditë ndërkombëtare përkujtimore për gjenocidin.
Unë besoj se pa punën e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, vetë realiteti i masakrës do të vihej ende në dyshim. Disa qarqe serbe, për fat të keq, vazhdojnë të vënë në pikëpyetje numrin e viktimave. Megjithatë, edhe avokatët e Millosheviqit pranojnë faktin se mijëra njerëz u ekzekutuan atë javë në korrik 1995. Çështja e "etiketës" së gjenocidit është në thelb një fiksim artificial. Asnjë shtet nuk e pranon lehtë të shpallet fajtor për gjenocid. Njohja ligjore e krimit dhe natyra e tij gjenocidale shërbejnë si një paralajmërim për Ballkanin dhe për të gjithë njerëzimin.
Pas gjenocideve në Srebrenicë dhe Ruandë , dhe dënimeve që rezultuan nga gjykatat penale ndërkombëtare ad hoc , ne jemi rikthyer te retorika e "kurrë më". Megjithatë, sot po flasim përsëri për një gjenocid në Gaza ...
Jean-Daniel Ruch: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), në një vendim, njohu mundësinë që në Gaza po ndodh gjenocid, pavarësisht se dihej se aktakuza e ngritur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) kundër Benjamin Netanyahut dhe Yoav Gallant, ish-Ministër i Mbrojtjes së Izraelit, përmend vetëm akuzën për "krime lufte", jo "gjenocid".
Edhe pse e drejta ndërkombëtare është teorikisht në fuqi, sot më shumë se kurrë bota qeveriset nga fuqitë e mëdha, të cilat i vënë strategjitë dhe interesat e tyre të veçanta përpara ligjit, përpara Konventës Ndërkombëtare për Parandalimin e Krimit të Gjenocidit, të cilën të gjithë e kanë nënshkruar.
Raison d'état përdoret për të justifikuar mosveprimin dhe mbizotëron mbi të drejtën ndërkombëtare, e cila, ndërsa ofron ende një busull të vlefshme, nuk është më detyruese në botën ku jetojmë. Shtetet e Bashkuara - të cilat sot kanë përparësi të tjera përveç detyrimit për të parandaluar krimet e gjenocidit - nuk janë të gatshme të përdorin mjetet e shtrëngimit që kanë në dispozicion për të ushtruar presion mbi Izraelin, dhe evropianët edhe më pak. Nga sa kuptoj unë, Shtetet e Bashkuara furnizojnë 60% të armëve të dërguara në Izrael, Gjermania 30%, dhe pjesa tjetër vjen kryesisht nga Franca dhe Italia. Vitin e kaluar, Zvicra shiti gjithashtu të ashtuquajturat "mallra me përdorim të dyfishtë" me vlerë 17 milionë franga. Disa nga këto mallra kontribuojnë në krimet e Izraelit në Gaza.
Ne menduam se po agonte një epokë e re, e bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, sot ky optimizëm nuk ka më asnjë bazë në realitet...
Jean-Daniel Ruch: Unë besoj se pika e kthesës erdhi në vitin 2003, me pushtimin amerikan të Irakut. Ishte një akt i hapur agresioni, shumë larg të gjitha kritereve të përdorura për të justifikuar një luftë me një kërcënim të menjëhershëm. Që atëherë, të gjitha bisedat për supremacinë e së drejtës ndërkombëtare, për ekzistencën e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, janë dukur të kota. Shiraku dhe kancelari gjerman Shrëder kishin të drejtë që refuzuan të merrnin pjesë në pushtimin e vitit 2003. Pas rënies së Murit të Berlinit, na bënë të besonim se mund të lindte një botë e re, e qeverisur nga ligji dhe jo nga forca: një botë e qeverisur nga një ekzekutiv, Këshilli i Sigurimit, dhe një organ legjislativ global, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, dhe gjithashtu e pajisur me një gjyqësor. Ky iluzion vdiq në vitin 2003.
Shtetet e Bashkuara, lindja e të cilave bazohet në pohimin e parimeve kushtetuese të liberalizmit politik, ishin të parat që shkelën të drejtën ndërkombëtare. Që nga Bushi, çdo president amerikan, përfshirë Barack Obamën, është përfshirë në luftëra të konsideruara të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. I vetmi përjashtim ishte Donald Trump, derisa ai nisi bombardimet ndaj Iranit, një ndërhyrje që shkeli të gjitha kriteret ligjore, megjithëse e kryer për të shmangur një përshkallëzim që askush nuk e donte, përveç ndoshta Izraelit.
Është e vështirë të mos i kujtosh vitet '90 ... Luftën në ish- Jugosllavi , Ruandën...
Jean-Daniel Ruch: Është e vërtetë që bashkësia ndërkombëtare nuk është treguar e aftë të parandalojë këto konflikte, por të paktën ka arritur t'u japë fund atyre, edhe nëse Marrëveshjet e Dejtonit janë larg të qenit një zgjidhje ideale. Pas gabimeve të bëra në fillim të dekadës, u vendos që të prioritizohej zbatimi i së drejtës penale ndërkombëtare. Ky trend çoi në krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e konceptuar si një instrument i parandalimit universal, gurthemeli i sistemit ndërkombëtar të ripërtërirë që po rindërtohej. Statuti i Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale u miratua në vitin 1998 dhe më në fund në vitin 2002. Në atë kohë, ne ende besonim në të.
Pavarësisht luftës së Kosovës ?
Jean-Daniel Ruch: Lufta e Kosovës ka çuar në dy interpretime diametralisht të kundërta. Rusia pretendon se NATO dhe Shtetet e Bashkuara ndërhynë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, duke shkelur kështu ligjin ndërkombëtar. Nga ana tjetër, Perëndimi beson se ndërhyri në përputhje me detyrimin e tij për të parandaluar masakrat.
Sot jemi kthyer te Grotius: nuk po flasim më për ligjshmërinë e një lufte, të përcaktuar nga kritere të njohura universalisht, por përkundrazi për luftëra "të drejta", edhe nëse ato janë të paligjshme. Izraeli e pohon këtë, por edhe kancelari gjerman Merz e pohon këtë kur, duke folur për sulmin ndaj Iranit, deklaron se Izraeli "bëri punën tonë të ndyrë".
Nëse Perëndimi do të binte në këtë kurth retorik, nuk do të isha shumë optimist për të ardhmen e tij. Sigurisht, ai ende ka burime të mëdha ekonomike dhe ushtarake për të siguruar dominimin e tij, por për të bërë çfarë? Çfarë do të thotë pretendimi i Emmanuel Macron për autonomi strategjike evropiane? Flitet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së, dhe përmenden shifra astronomike prej 500 miliardë eurosh ose dollarësh, por për çfarë qëllimi? Për të izoluar Rusinë dhe për të ndarë Evropën me një Perde të re të Hekurt? Nuk jam i sigurt nëse kjo strategji mund t'i sjellë Evropës përfitime afatgjata./Përshtati "Pamfleti" nga "Osservatorio balcani e caucaso transeuropa"
Lini një Përgjigje