
Nga konflikti që ka nisur në Izrael, ka vetëm një person të fituar dhe ai është Vladimir Putin...
Çfarë pasojash ka lufta në Lindjen e Mesme për fuqitë e mëdha? Çfarë dëmi apo përfitimesh marrin prej saj Amerika, Evropa, Kina apo Rusia? Një vlerësim fillestar shumë i shkurtër e sheh të gjithë Perëndimin në vështirësi, Vladimir Putin në një situatë më të mirë, Kinën në ekuilibrin midis përfitimeve gjeostrategjike dhe rreziqeve të menjëhershme të energjisë. Një analizë e këtij lloji është natyrisht subjekt i ndryshimit në varësi të zhvillimeve të konfliktit dhe do të kërkojë përditësime të vazhdueshme. Por një pasqyrim mund të bëhet.

Shtetet e Bashkuara
Ajo që është quajtur "11 shtatori izraelit" mund të shkaktojë një efekt të ngjashëm (ndonëse në një shkallë më të vogël) me 11 shtatorin 2001 që goditi Amerikën në zemër. Kjo do të thotë, për të thithur edhe një herë vëmendjen dhe burimet strategjike të Uashingtonit drejt një Lindje të Mesme në të cilën do të kishte dashur të angazhohej më pak dhe të përqendrohej në sfidën me Kinën.
Masakrat e Hamasit, pastaj ajo që do të pësojë popullata palestineze në Gaza, e vënë në rrezik trekëndëshin SHBA-Izrael-Saudi, e cila duhej të stabilizonte ndikimin e jashtëm të diplomacisë amerikane në Lindjen e Mesme dhe të ndërtonte një kordon izraelito-sunitë për të frenuar Iranin. Për më tepër, të gjitha krizat ndërkombëtare nxjerrin në sipërfaqe ndarjet e brendshme politike: politika e jashtme e SHBA-së po copëtohet nga rryma që variojnë nga e djathta izolacioniste, deri tek e majta pro-palestineze.

Evropa
Kontinenti i Vjetër, shumë më tepër se Shtetet e Bashkuara, është i prekshëm në dy fronte: islamizmi i brendshëm dhe varësia nga energjia. Lufta Izrael-Hamas rindez frymën pro-palestineze të segmenteve të ndryshme të së majtës evropiane, por mbi të gjitha mund të ringjallë tensionet me pakicat myslimane emigrante.
Nga banliet franceze te komunitetet islame në Mbretërinë e Bashkuar, nga turqit në Gjermani te afganët në Suedi, e kështu me radhë: urrejtja ndaj Izraelit ka një bazë të fortë sociale në Evropë. Në planin ekonomik, skenarët apokaliptikë duhet të shmangen: 11 shtatori 2001 pati një ndikim shumë më të vogël se frika, pati një mini-recesion, i cili u harrua shpejt. Pasojat gjeopolitike ishin të mëdha. Megjithatë, çështja e energjisë është ajo që mund të krijojë probleme për evropianët. Teksa Amerika ka rezerva të energjinë fosile, Evropa varet nga krahu i saj jugor dhe juglindor pas mbylljes së marrëdhënieve me Rusinë. Një përshkallëzim i luftës mund të krijojë ndërprerje të furnizimit nga Lindja e Mesme, veçanërisht nëse ky konflikt do të përhapej disi drejt Gjirit Persik.

Rusia
Vladimir Putin fiton në të gjitha aspektet për momentin. Lufta në Ukrainë zë një vend të dytë. Arsenalet e armëve dhe municioneve amerikane, tashmë shumë të pakta, tani duhet t'i vijnë në ndihmë edhe Izraelit, që do të thotë se pjesa e rezervuar për Kievin do të pësojë përgjysmim. Një Perëndim që duhet të ndajë vëmendjen e tij politike dhe burimet ushtarake nëpër fronte të shumta është më pak solid për t'iu kundërvënë Rusisë. Edhe në frontin e energjisë, Moska ka gjithçka të fituar: çdo tension në Lindjen e Mesme mund të krijojë mundësi të reja për eksportet e naftës bruto dhe gazit natyror rus.

Kina
E parë nga Pekini, situata është më komplekse sesa shihet nga Moska. Kina është importuesi më i madh në botë i energjisë fosile. Ajo ka një interes strukturor për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik, megjithëse rriti ndjeshëm blerjet e saj nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës. Nëse lindin probleme në flukset e ofertës, kjo do të ishte e dëmshme për ekonominë kineze, e cila tashmë është në gjendje të rëndë (më së fundi me falimentimin e një gjiganti tjetër të pasurive të paluajtshme). Kriza në Lindjen e Mesme është gjithashtu një dështim për diplomacinë kineze, e cila kohët e fundit kishte ndërmjetësuar midis Arabisë Saudite dhe Iranit për rihapjen dypalëshe të ambasadave të tyre përkatëse. Megjithatë, në aspektin afatgjatë, Xi Jinping mund të gëzohet vetëm nëse Amerika ngatërrohet sërish në Lindjen e Mesme dhe rrjedhimisht ul prezencën në Indo-Paqësorin. /Përshtati “Pamfleti” nga ‘Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje