
27 Nëntor 1095 - Papa Urbani II urdhëron fillimin e Kryqëzatës së Parë
Papa Urbani II mban ndoshta fjalimin më me ndikim të Mesjetës, duke nxitur fillimin e Kryqëzatave. Ai i bëri thirrje të gjithë të krishterëve në Evropë që të luftojnë kundër myslimanëve për të rimarrë Tokën e Shenjtë, duke thënë “Deus vult!”, Këtë e do Zoti.
I lindur si Odo i Lagerit, Urbani ishte një i mbrojtur nga reformatori i madh Papa Gregori VII. Ashtu si Gregori, edhe ai e bëri fokusin e tij kryesor reformën e brendshme të Kishës, duke kundërshtuar simoninë (shitjen e posteve kishtare) dhe abuzimet e tjera klerikale shumë të përhapura gjatë Mesjetës.
Urbani e tregoi veten si një klerik i aftë dhe i fuqishëm, dhe kur u zgjodh papë në vitin 1088. Ai e përdori udhëheqjen e tij mjeshtërore për të dobësuar mbështetjen për rivalët e tij, veçanërisht Klementin III. Nga fundi shekullit XI-të, Toka e Shenjtë - zona që tani njihet zakonisht si Lindja e Mesme - ishte bërë një pikë konflikti për të krishterët evropianë.
Që nga shekulli VI-të, të krishterët bënin shpesh pelegrinazhe në vendlindjen e fesë së tyre, por kur turqit morën kontrollin e Jerusalemit, të krishterët u ndaluan të hynin në Qytetin e Shenjtë. Kur turqit kërcënuan të pushtonin Perandorinë Bizantine dhe Kostandinopojën, perandori bizantin Aleksi I i bëri një thirrje të veçantë Urbanit për ndihmë.
Ky nuk ishte apeli i parë i këtij lloji, por erdhi në një kohë të rëndësishme për Urbanin.
Duke dashur të përforconte pushtetin e papatit, ai shfrytëzoi rastin për të bashkuar nën veten e tij Evropën e krishterë, ndërsa luftonte për të rimarrë Tokën e Shenjtë nga turqit. Në Këshillin e Klermontit, në Francë, në të cilin u mblodhën disa qindra klerikë dhe fisnikë, Urbani mbajti një fjalim nxitës, duke iu bërë thirrje të pasurve dhe të varfërve që të ndalonin grindjet e tyre të brendshme dhe të nisnin luftën për të ndihmuar të krishterët e tjerë në Lindje dhe për të rimarrë Jerusalemin.
Urbani i denigroi myslimanët, duke i zmadhuar historitë e veprimeve të tyre anti-kristiane dhe premtoi falje dhe falje të mëkateve për të gjithë ata që do vdisnin në shërbim të Krishtit. Apeli i tij pati shumë jehonë, duke mobilizuar klerikët për të mbledhur mbështetje në të gjithë Evropën për kryqëzatën kundër myslimanëve.
Midis 60.000-100.000 njerëz iu përgjigjën thirrjes së Urbanit për të marshuar drejt Jerusalemit. Por jo të gjithë ata që iu përgjigjën e bënë këtë nga devotshmëria: fisnikët evropianë u tunduan nga perspektiva e shtimit së pronave dhe pasurive përmes pushtimit.
Ata ishin përgjegjës për vdekjen e shumë të pafajshmëve, si gjatë rrugës për në Tokën e Shenjtë ashtu edhe kur shkuan atje, duke përvetësuar pasuritë dhe pronat e atyre që ata i konsideronin me lehtësi si kundërshtarë të kauzës së tyre.
Ajo që shtonte numrin e viktimave, ishte mungesa e përvojës dhe disiplinës së fshatarëve të krishterë kundër ushtrive të trajnuara dhe profesioniste të myslimanëve. Për këto arsye, në fillim të krishterët u mundën, dhe vetëm falë forcës së madhe të numrave ia dolën në fund të triumfonin.
Papa Urbani vdiq në vitin 1099, dy javë pas rënies së Jerusalemit, por përpara se të mbërrinte në Evropë lajmi për fitoren e të krishterëve. E tija ishte e para nga shtatë fushatat e mëdha ushtarake të zhvilluara gjatë dy shekujve të ardhshëm, të njohura si Kryqëzatat, pasojat e përgjakshme të të cilave ndihen edhe sot. Urbani u shenjtërua nga Kisha Katolike në vitin 1881.
Ngjarje të tjera të rëndësishme:
27 Nëntor 1895 - Alfred Nobel, shpikësi dhe industrialisti suedez, nënshkruan testamentin e tij, duke ia lënë pjesën më të madhe të pasurisë së tij krijimit të Çmimeve Nobel. Në këtë dokument, ai urdhëroi që çmimet të jepen çdo vit për kontribut të shquar në mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe paqe.
27 Nëntor 1901 - Në Uashington themelohet Kolegji Ushtarak i Luftës i Ushtrisë Amerikane.
27 Nëntor 1940 - Lindi në San Francisko Brus Li, aktor i famshëm dhe mjeshtër i arteve marciale.
27 Nëntor 1942 - Marina franceze e përmbyti flotën e saj në Tulon, që anijet të mos binin në duart e Gjermanisë Naziste pas rrëzimit të qeverisë kolaboracioniste të Vishisë.
27 Nëntor 1971 - Sonda hapësinore sovjetike “Mars 2”, bëhet objekti i parë i krijuar nga njeriu që arrin në Mars. Por ajo u përplas fort në sipërfaqen e planetit të kuq, duke mos arritur të rikthehej në Tokë.
27 Nëntor 2001 - Një bombë me hidrogjen, bie aksidentalisht nga një avion bombardues i Forcave Ajrore Amerikane pak pas nisjes nga një bazë në Dakotën e Veriut. Për fat të mirë bomba nuk shpërtheu.
27 Nëntor 2001 - Forcat speciale amerikane nisin operacionin e parë të madh tokësor në Afganistan. Ai ishte një kundërpërgjigje ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe synonte shkatërrimin e regjimit të talebanëve.
27 Nëntor 2006 - Parlamenti kanadez miraton një rezolutë, e cila i njeh kebekasit frëngjishtfolës si një komb brenda një Kanadeje të bashkuar./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje