TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Nëntor 2025, 10:52

Si e përdor Rusia migracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës për të destabilizuar Evropën

Shkruar nga Pamfleti

Si e përdor Rusia migracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës

Shefi i Mbrojtjes së Suedisë, gjenerallejtënant Mikael Klaeson, deklaroi së fundmi se aktet e luftës hibride të Rusisë kundër Perëndimit, nuk kufizohen vetëm në vendosjen e dronëve, kryerjen e sulmeve kibernetike dhe kryerjen e akteve të sabotimit.

Moska ka vendosur nën kontroll edhe rrugët e migracionit të paligjshëm dhe trafikut të drogës në Evropë përmes Afrikës së Veriut, si pjesë e një strategjie më të gjerë për ta destabilizuar kontinentin. Sipas tij, udhëheqja e NATO-s duhet ta neutralizojë aktivitetin e Rusisë në rajonin e Afrikës së Veriut.

“Lëvizja e drogës, emigrantëve të paligjshëm dhe aktivitetet e tjera kriminale, po përhapen shumë shpejt në të gjithë Evropën dhe territorin e NATO-s”- theksoi Shefi i Mbrojtjes Suedeze. Sipas Frontex, agjencisë kufitare dhe bregdetare të BE-së, numri i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Evropë përmes Mesdheut qendror dhe perëndimor është rritur me 1.5 herë këtë vit. Vetëm numri i emigrantëve që udhëtojnë në Evropë përmes Libisë, është rritur me 50 për qind gjatë 9 muajve të parë të këtij viti. Shumica e mbërritjeve përgjatë kësaj rruge, vijnë nga Bangladeshi, Eritrea dhe Egjipti. Mesdheu Qendror mbetet rruga më e ngarkuar, duke përbërë gati 40 për qind të të gjitha hyrjeve të paligjshme.

Në Mesdheun Perëndimor, Algjeria është bërë pika më e zakonshme e nisjes; shtetasit algjerianë përbëjnë pothuajse 3/4 e emigrantëve të zbuluar në këtë rrugë. Frontex raporton se gjatë 3- tremujorit të parë të vitit 2025, kalimet e paligjshme përgjatë këtij korridori u rritën me 28 për qind.

Droga hyn në Evropë kryesisht përmes Gjirit të Guinesë, i cili ndodhet pranë bregdetit të Afrikës Perëndimore. Rajoni shërben si porta kryesore për dërgesat e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë. Muajt e fundit, atje janë zhvilluar disa operacione të mëdha kundër trafikimit të narkotikëve.

Në shtator, Marina Franceze raportoi se 54 ton narkotikë ishin sekuestruar në zonë që nga fillimi i vitit. Në fjalën e tij, Klaeson theksoi gjithashtu se Moska po kombinon “sabotimin, operacionet speciale dhe madje edhe sulmet kundër individëve” me sulme ndaj infrastrukturës kritike dhe “shfrytëzimin e dobësive në mjedisin e informacionit”, në një përpjekje “për të na përçarë” dhe “dëmtuar kohezionin” e komunitetit evropian.

Deklarata e gjeneralit suedez, tregon se Rusia po zgjeron arsenalin e saj të luftës hibride kundër Perëndimit, duke përdorur jo vetëm sulme ushtarake dhe kibernetike, por edhe kontrollin mbi flukset e migracionit të paligjshëm dhe rrugët e narkotrafikut.

Kjo tregon natyrën sistematike të strategjisë së Rusisë, e cila përfshin fusha të shumëfishta: nga siguria kufitare tek stabiliteti social. Në këtë mënyrë, Moska synon të ushtrojë presion shumëdimensional mbi shtetet evropiane. Në këtë kontekst, objektivi i Rusisë është të destabilizojë Evropën dhe të dobësojë aftësinë e saj për të mbështetur Ukrainën.

Si është e përfshirë Rusia në trafikimin e drogës në Evropë: Nga operacionet e inteligjencës sovjetike te rrjetet moderne të krimit hibrid

Marrëdhënia e Rusisë me trafikun e narkotikëve është e vjetër, strategjike dhe thellësisht e ndërthurur me shërbimet e saj të inteligjencës. Kjo përfshirje daton që nga Lufta e Ftohtë, kur KGB-ja e përdorte drogën si një mjet për përmbysje, dhe vazhdon edhe sot përmes lidhjes FSB-GRU-krimi i organizuar, e cila i shfrytëzon narkotikët si për fitim ashtu edhe për ndikim politik.

Precedentët e epokës sovjetike: Drogat si armë kundër Perëndimit (1950-1991)

Ndërsa SHBA-ja nisi Operacionin CHAOS për të zbuluar ndikimin e huaj në lëvizjen kundër luftës së Vietnamit, dokumentet e de-klasifikuara të CIA-s dhe FBI-së, tregojnë se KGB-ja e nxiti enkas qarkullimin e drogës brenda qarqeve protestuese perëndimore.

Operativë të lidhur me KGB-në u infiltruan grupet radikale të majta në  Gjermaninë Perëndimore, Itali dhe SHBA. Ata inkurajuan përdorimin e heroinës, kanabisit dhe LSD-së për të diskredituar lëvizjet e Uashingtonit dhe e paraqitën Perëndimin si moralisht të korruptuar.

Edhe pse provat janë pjesërisht indirekte, agjencitë perëndimore arritën në përfundimin se shërbimet sovjetike, e përdorën drogën si një përforcues të fushatave destabilizuese. Në vitet 1970-1980 nuk mungoi edhe bashkëpunimi i KGB-së me sponsorët e narko-sponsorëve të Lindjes së Mesme.

Këtu përfshihej shërbimi sekret sirian, bullgar, kubanez dhe ai gjermano-lindor. Kështu shërbimi bullgar, mbikëqyrte dërgesat e heroinës nga Turqia dhe Libani në Evropën Perëndimore. Ai përdorte linjën shtetërore të transportit detar “Bullgaria Maritime Navigation”.

Ndërkohë regjimi i Asadit i lejoi laboratorët e heroinës në Luginën Bekaa. Grupet e lidhura me sovjetikët, e përdornin drogë për të financuar organizatat militante dhe për të minuar ndikimin perëndimor në Lindjen e Mesme dhe Evropë. Edhe STASI i Gjermanisë Lindore, i mbylli sytë ndaj heroinës që kalonte nga Berlini Lindor në Berlinin Perëndimor si një mjet destabilizimi.

Oficerët e ushtrisë sovjetike dhe të KGB-së, morën pjesë në trafikimin e heroinës në Azinë Qendrore, Iran dhe Evropën Lindore. Synimi ishte financimi i operacioneve të fshehta dhe minimi i forcave perëndimore duke stimuluar varësinë.

Rusia post-sovjetike: Lidhja shërbime sekrete-mafia (nga viti 1991 deri më sot)

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, u zhduk vija ndarëse midis shtetit dhe krimit të organizuar.

Lojtarët kryesorë janë FSB, GRU, Solntsevskaya Bratva, Mafia e Tambovit, grupet kriminale në Dagestan dhe Çeçeni. Në 35 vitet e fundit, strategjia e Rusisë ka kombinuar fitimin, ndikimin politik dhe destabilizimin.

Skemat kryesore të trafikimit rus të drogës në Evropë, kalojnë përmes “Rrugës Veriore”, pra  Afganistan-Rusi-Evropë. 25-35 për qind e heroinës afgane kalon nëpër Rusi dhe Bjellorusi.

Policia ruse, FSB-ja dhe zyrtarët lokalë e lehtësojnë ose e injorojnë trafikun në këmbim të ryshfeteve.

Bandat e krimit të organizuar në Shën Petersburg, Moskë dhe Urale, e kontrollojnë në detaje aktivitetin. Fitimet e mëdha ushqejnë si krimin e organizuar ashtu edhe elementët e korruptuar në strukturat e pushtetit rus. Dhe kjo i jep Moskës ndikim indirekt mbi tregjet kriminale evropiane.

Linja e dytë është mafia ruse në bashkëpunim me kartelet e Amerikës Latine, dhe kjo është dokumentuar nga institucionet evropian (Europol, DIA italiane dhe spanjollja Guardia Civil. Kështu në vitin 2018, 389 kg kokainë e cilësisë së parë u zbulua brenda shkollës së Ambasadës Ruse në Buenos Aires të Argjentinës.

Pastaj është edhe bashkëpunimi i Solntsevskaya Bratva me kartelet kolumbiane, teksa paratë e drogës pastrohen nëpërmjet Qipros, Greqisë, Spanjës dhe Austrisë, dhe më pas riinvestohen në Rusi falë mbrojtjes shtetërore. Në vitin 2008, gjatë operacionit “TROIKA”, policia spanjolle vërtetoi se rrjetet mafioze të lidhura me  FSB/GRU, ishin të përfshira në shpërndarjen e kokainës dhe pastrimin e parave.

Nga ana tjetër, duhet kujtuar se Rusia është një prodhuese kryesore e materialeve bazë të metamfetaminës, substancave të reja psikoaktive (NPS) dhe opioidëve sintetikë. Këto hyjnë në BE nëpërmjet Kaliningradit, Bjellorusisë dhe porteve baltike. FSB-ja përdor shpesh kimistë me lidhje historike me laboratorët ushtarakë sovjetikë.

Ndërkaq, ka raporte të besueshme nga inteligjenca perëndimore dhe e Lindjes së Mesme, se policia ushtarake ruse dhe njësitë e lidhura me GRU-në në Siri, kanë lehtësuar eksportin e drogës Captagon në Evropë, një aferë me vlerë mbi 10 miliardë dollarë.

Si e përdor Rusia trafikun e drogës politikisht për të dëmtuar Perëndimin

Së pari, përmes financimit të rrjeteve kriminale besnike në Evropë. Shërbimi sekret rus, mban raport të ngushta me mafien serbe, klanet mafioze malazeze “Kavac” dhe “Skaljari”, përfaqësues të mafies kalabreze Ndrangheta në Itali. Këto rrjete, mund të përdoren për financim politik, operacione ndikimi dhe destabilizim.

Së dyti përmes fragmentimit të bashkëpunimit të zbatimit të ligjit në BE. Rusia përfiton nga korrupsioni në strukturat policore të Ballkanit, ligje e kundërta midis shteteve të BE-së dhe dhënia e azilit për kriminelët rusë. Kjo e zvogëlon kapacitetin e Evropës për të luftuar krimin e organizuar.

Përdorimi i drogës për të destabilizuar shoqëritë, përputhet me doktrinën klasike të KGB-së. Disponueshmëria e lartë e heroinës së lirë ose drogave sintetike, e rrit presionin social, mbingarkon sistemet shëndetësore perëndimore, nxit kriminalitetin dhe krijon narrativa politike të dobishme për lëvizjet e ekstremit të djathtë dhe të ekstremit të majtë (të cilat i mbështet Rusia).

Pse Rusia e përdor migrimin si armë

Migrimi është një mjet hibrid jashtëzakonisht i fuqishëm, sepse shkakton një presion të menjëhershëm politik dhe shoqëror. Konkretisht, ai e polarizon politikën e brendshme, tejngarkon sistemet e mirëqenies dhe sigurinë kufitare dhe fuqizon aktorët e ekstremit të djathtë dhe të ekstremit të majtë (shumë prej të cilëve kanë lidhje financiare ose ideologjike me Moskën).

Kjo krijon presion mbi kohezionin e BE-së dhe vendimmarrjen e përbashkët. Prandaj përfshirja e Rusisë në Libi dhe Sahel i jep asaj ndikim mbi pikat më të ndjeshme të hyrjes në BE, duke përfshirë Lampeduzan në Itali, Ishujt Kanarie në Spanjë dhe korridoret e Mesdheut Perëndimor dhe Qendror./Përgatiti Pamfleti

rusia migracioni droga evropa

Lini një Përgjigje