
Pas zjarrit që përfshiu kompleksin e pallateve, policia kontrolloi kompaninë e mirëmbajtjes së ndërtesave, duke sekuestruar dokumente që përmendnin Wang Fuk Court.
Kompleksi në qarkun verior Tai Po ka 2.000 apartamente në tetë blloqe, ku jetojnë më shumë se 4.600 persona.
Mëngjesin e sotëm, autoritetet njoftuan se kishin vënë nën kontroll zjarrin në katër nga shtatë blloqet, ndërsa operacionet vijonin në tri blloqet e tjera. Pamjet nga vendngjarja, rreth 22 orë pasi kishte nisur zjarri, tregojnë se flakët po vazhdojnë në të paktën dy kulla 32-katëshe që janë të mbështjella me një rrjet të gjelbër ndërtimi dhe me skelë prej bambuje.
Skela prej bambuje është një element tradicional i arkitekturës kineze, por ka nisur të hiqet gradualisht në Hong Kong që nga muaji mars, për arsye sigurie.
Policia raportoi se një zjarrfikës është mes 55 të vrarëve, ndërsa 45 persona ndodhen në spital në gjendje kritike.
“Prioriteti ynë është shuarja e zjarrit dhe shpëtimi i banorëve të bllokuar. Së dyti, të mbështesim të plagosurit. Së treti, të ofrojmë mbështetje dhe rikuperim. Më pas, do të fillojmë një hetim të plotë”, u tha gazetarëve udhëheqësi i Hong Kongut, John Lee.
Ai shtoi se rreth 279 persona konsiderohen të zhdukur dhe 900 të tjerë gjenden në tetë strehimore.
Numri i viktimave nga kjo ngjarje është më i larti i shkaktuar nga zjarri në Hong Kong që nga viti 1948, kur 176 persona u vranë pasi një zjarr shpërtheu në një depo.
Lini një Përgjigje