
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka njoftuar shkarkimin e Ana Bërnabiç nga posti i kryeministres së vendit. Brnabiç nuk do të mbetet pa post, pasi siç njoftoi Vuçiç, tani ajo është kandidate për kryetare të Kuvendit të Serbisë.
Vuçiç nuk dha detaje se kush do ta zëvendësojë Bërnabiçin, në postin e kryeministres së Serbisë, por shtoi se mandati për përbërjen e qeverisë së re do të zgjidhet për shtatë deri në dhjetë ditë.
Por siç flitet nëpër mediat serbe, kryeministri i ardhshëm i Serbisë do të jetë një nga njerëzit më të besuar të Vuçiçt, ministri aktual i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç.
Para se të shpallte këtë vendim të Kryesisë së SNS-së, Vuçiç tha se është diskutuar për formimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin, e cila, sipas tij nuk ishte një “ad hoc” që formohet për zgjedhjet.
Vuçiç la të kuptohet për një situatë katastrofike në mes të majit përsa i përket sigurisë në Evropë, duke theksuar se Serbia është e vogël dhe nuk mund të ndikojë në ato procese.
Ai tha se situata në Kosovë është e rëndë dhe se qeveria po lufton për pozitën e serbëve, gjegjësisht nuk ka përparim në bisedimet mes të dërguarit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, dhe politikanëve të Prishtinës për përdorimin e dinarëve në Kosovë. Ai shtoi se dotë kërkojnë zgjidhje deri në momentin e fundit.
Lini një Përgjigje