TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Dhjetor 2025, 14:10

Nga sulmet terroriste në Itali tek presidencialet në SHBA, ngjarjet kryesore të datës 12 dhjetor

Shkruar nga Pamfleti
Nga sulmet terroriste në Itali tek presidencialet në SHBA, ngjarjet
Al Gore dhe Xhorxh W. Bush /

12 Dhjetor 2000 - Gjykata e Lartë vendos fituesin e presidencialeve në SHBA

Në çështjen “Bush vs Al Gor” Gjykata e Lartë në SHBA-së, vendos të ndalojë një rinumërim me duar të votave manuale në Florida, duke i siguruar fitoren presidenciale kandidatit republikan Xhorxh W.Bush.

Procesi nisi pas zgjedhjeve të 7 nëntorit, të cilat prodhuan një rezultat shumë të ngushtë, dhe ku rezultati i Floridës, me një diferencë prej më pak se 600 votash, kërkoi një rinumërim automatik sipas ligjit.

Me përfundimin e tij, epërsia e Bushit u reduktua në vetëm 327 vota, duke çuar në një seri padish dhe kundërshtimesh për mënyrën dhe standardet e rinumërimeve manuale në qarqe të ndryshme. Gjykata e Lartë e Floridës, urdhëroi më 8 dhjetor një rinumërim të menjëhershëm manual në të gjithë shtetin.

Megjithatë, shtabi elektoral i Bush e apeloi menjëherë në Gjykatën e Lartë federale, e cila e pezulloi procesin. Pas argumentimeve, Gjykata vendosi me 5 vota kundër 4 se rinumërimi manual shkeli klauzolën e mbrojtjes së barabartë të Kushtetutës për shkak të mungesës së standardeve uniforme ndërmjet qarqeve.

Për më tepër, Gjykata vendosi se nuk kishte kohë të mjaftueshme për të kryer një rinumërim të ri që të përmbushte afatin e fundit federal të 12 dhjetorit. Ndërkohë gjyqtarët që ishin kundër, argumentuan se Gjykata federale nuk duhej të ndërhynte në çështje shtetërore zgjedhore, dhe se parimi i drejtësisë kërkonte numërimin e të gjitha votave të ligjshme.

Ata theksuan se afati i 12 dhjetorit ishte procedural dhe jo një pengesë absolute, duke lënë hapësirë për të përcaktuar një fitues të saktë. Pasojat e menjëhershme të atij vendimi ishin përfundimtare. Pas vendimit, 25 votat elektorale të Floridës iu dhanë Bushit, duke i siguruar atij fitoren në Kolegjin Zgjedhor.

Kandidati demokrat Al Gor e pranoi humbjen më 13 dhjetor, duke i dhënë kështu fund një periudhe 36-ditore pasigurie kombëtare. Ajo ngjarje ndikoi thellësisht në sistemin zgjedhor dhe debatin politik në SHBA.

Ngjarje të tjera të rëndësishme:

12 Dhjetor 1821 - Lindi në Ruen shkrimtari i famshëm francez Gustav Flober. Ai njihet më së shumti për romanin e tij “Zonja Bovari”, një rrëfim për revoltën e një gruaje kundër shoqërisë së shtresës së mesme.

12 Dhjetor 1870 - Xhozef Reini nga Xhorxhtaun, Karolina e Jugut, u bë afrikano-amerikani i parë që shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.

12 Dhjetor 1901 - Guglielmo Markoni lëshon sinjalin e parë transatlantik me anë të radios (shkronja “S” në Kodin Mors), në Signal Hill, Njufundlend.

12 Dhjetor 1913 - Dy vjet pasi ishte vjedhur nga Muzeu i Luvrit në Paris, kryevepra e Leonardo Da Vinçit, “Mona Liza” gjendet në dhomën e një hoteli Italian në Firence, ku jetonte Vinçenzo Peruxhia. Peruxhia kishte punuar më parë në Luvër, dhe e kishte grabitur pikturën e famshme mëngjesin e 21 gushtit 1911, në bashkëpunim me disa të tjerë të veshur si punonjës të muzeut.

12 Dhjetor 1917 - Më shumë se 500 ushtarë francezë gjetën vdekjen teksa treni me të cilin udhëtonin doli jashtë shinave pranë qytetit të Modan në Francë. Më shumë se 1200 ushtarët francezë po ktheheshin në shtëpi për Krishtlindje nga fronti italian i Luftës së Parë Botërore. Shkak i katastrofës ishte bashkëngjitja e shumë vagonëve në një lokomotivë të vetme.

12 Dhjetor 1925 - Në Iran, Reza Khani emërohet si Shahu i ri i Iranit, duke filluar sundimin e dinastisë Pahlavi.

12 Dhjetor 1935 - Udhëheqësi nazist, Hajnrih Himler, harton Projektin Lebensborn, një program që parashikonte lindjen e programuar të fëmijëve të racës së pastër Ariane.

12 Dhjetor 1969 - Një sulm terrorist ndodhi kur një bombë shpërtheu në selinë e Banca Nazionale dell’Agricoltura (Banka Kombëtare Bujqësore) në Piazza Fontana (pranë Duomo) në Milano, Itali, duke vrarë 17 persona dhe duke plagosur 88 të tjerë.

Nga sulmet terroriste në Itali tek presidencialet në SHBA, ngjarjet
Pamje nga sulmi terrorist në Bankën Kombëtare Bujqësore në Milano...

Po atë pasdite, një bombë tjetër shpërtheu në një bankë në Romë, dhe një tjetër u gjet e pashpërthyer në Varrin e Ushtarit të Panjohur. Sulmi u krye nga grupi terrorist paraushtarak neofashist Ordine Nuovo, dhe nga bashkëpunëtorë të tjerë.

Pas mbi 80 arrestimeve, i dyshuari Xhuzepe Pineli, një punëtor hekurudhash, ithtar i anarkistëve, vdiq pasi ra nga dritarja e katit të katërt të stacionit policor ku po mbahej. Në fillim, policia tha se Pineli kishte kryer vetëvrasje duke u hedhur nga dritarja gjatë një seance rutinë marrjeje në pyetje, megjithatë ekzistonin disa mospërputhje serioze

12 Dhjetor 1998 - Komiteti Gjyqësor i Kongresit Amerikan miratoi nenin e katërt dhe të fundit të shkarkimit nga detyra kundër presidentit Bill Klinton, duke e akuzuar atë për dhënien e deklaratave të rreme në përgjigjet e tij ndaj pyetjeve me shkrim nga Kongresi./Përgatiti Pamfleti

sulmet terroriste në itali zgjedhjet presidenciale në amerikë 12 dhjetor

1 Komente

  1. O
    Opionisti

    A. Mund te hetohete nga prokuroria

    Lini një Përgjigje