
Këto vende mbështeten tek një përzierje ligjesh, zakonesh, vendimesh gjyqësore dhe konventash të përcaktuara në vend të një dokumenti të vetëm të kodifikuar...
Kur mendojmë për kushtetutat, zakonisht imagjinojmë një dokument zyrtar dhe të shkruar, që përshkruan parimet dhe të drejtat ligjore të një vendi. Megjithatë, disa vende kanë një “kushtetutë të pashkruar”.
Këto vende mbështeten tek një përzierje ligjesh, zakonesh, vendimesh gjyqësore dhe konventash të përcaktuara në vend të një dokumenti të vetëm të kodifikuar. Ja cilat janë 10 kombet që përdorin një kushtetutë të pashkruar ose pjesërisht të shkruar:
1. Britania e Madhe
Mbretëria e Bashkuar, është e njohur për kushtetutën e saj të pashkruar. Në vend të një dokumenti të vetëm formal, kushtetuta e saj bazohet në ligje, të drejtën zakonore dhe konventa, si dhe në dokumente historike kyçe si “Magna Carta” dhe Deklarata e të Drejtave e vitit 1689.
Parlamenti ka një rol qendror në sistem, duke lejuar që të bëhen ndryshime përmes ligjeve ose reformave të reja. Në dallim nga vendet që patën revolucione ose kriza që çuan në
një kushtetutë të shkruar, Britania nuk u përball kurrë me një moment që e kërkonte një gjë të tillë. Kjo qasje mbështet edhe fleksibilitetin, pasi struktura qeveritare britanike është projektuar për t’iu përshtatur rrethanave, në vend se të ndjekë rregulla të rrepta.
2. Izraeli
Izraeli përdor një sërë ligjesh bazë të miratuara nga Knesseti (parlamenti i tij), të cilat shërbejnë si një kushtetutë. Në vend të një dokumenti të kodifikuar, këto ligje përcaktojnë strukturën qeveritare, të drejtat e qytetarëve dhe procedurat gjyqësore. Ligjet Themelore të Izraelit mund të ndryshohen ose shtohen, duke lejuar që kushtetuta e tij të mbetet dinamike dhe e adaptueshme.
3. Zelanda e Re
Funksionimi i Zelandës së Re, bazohet në Aktin Kushtetues të vitit 1986, Traktatin e Uaitangit, të drejtën zakonore dhe konventa të ndryshme. Ky kuadër, ofron fleksibilitet dhe lejon përshtatjen ndaj ndryshimeve politike dhe shoqërore me kalimin e kohës. Shqyrtimet gjyqësore, luajnë gjithashtu një rol me rëndësi në interpretimin e normave kushtetuese.
4. Arabia Saudite
Sistemi ligjor i Arabisë Saudite, bazohet kryesisht në ligjin islamik të Sheriatit, i cili, së bashku me dekretet mbretërore, mbështet qeverisjen e saj. Ndërsa vendi ka disa ligje të kodifikuara, ai nuk ka një kushtetutë zyrtare të shkruar. Ligji Bazë i Qeverisjes, shërben si një dokument udhëzues, duke konfirmuar rolin qendror të monarkisë dhe përcaktuar parimet e përgjithshme të qeverisjes.
5. Kanadaja
Kanadaja ka një kushtetutë “pjesërisht të pashkruar”. Dokumentet kryesore janë Aktet Kushtetuese të viteve 1867 dhe 1982. Megjithatë, shumë konventa, veçanërisht në lidhje me rolet e kryeministrit dhe kabinetit, nuk janë të shkruara. Ligji kanadez, njeh gjithashtu zakonet historike, vendimet gjyqësore dhe praktikat nga Britania. Kjo e bën edhe më fleksibël kuadrin e saj kushtetues.
6. Omani
Ashtu si Arabia Saudite, sistemi ligjor i Omanit bazohet në ligjin islamik të Sheriatit. Omani ka një Statut Bazë, që përcakton qeverisjen dhe trashëgiminë, por nuk ka një kushtetutë të kodifikuar plotësisht. Në vend të kësaj, dekretet mbretërore të Sulltanit janë një pjesë e rëndësishme e kuadrit qeverisës të vendit.
7. San Marino
San Marino, një nga republikat më të vogla në botë, nuk ka një kushtetutë të vetme të shkruar. Sistemi i tij qeverisës daton që nga viti 1600, me zakone të pashkruara, praktika tradicionale dhe statute të kaluara gjatë shekujve. Deklarata mbi të Drejtat e Qytetarëve vepron si referencë, ndërsa praktikat zakonore diktojnë qeverisjen.
8. Kuvajti
Kuvajti ka një kushtetutë kombëtare të miratuar në vitin 1962. Megjithatë, disa aspekte të qeverisjes dhe ligjit të tij bazohen në tradita dhe praktika të pashkruara të ndikuara nga ligji dhe monarkia islamike. Ky sistem i dyfishtë lejon fleksibilitet, pasi këto norma të pashkruara funksionojnë së bashku me kushtetutën formale, veçanërisht në proceset politike dhe qeverisjen.
9. Libia
Sistemi ligjor i Libisë përfshin ligje zakonore, parime islamike dhe ligje të ndryshme kombëtare, por i mungon një kushtetutë e shkruar. Edhe pse është propozuar një projektkushtetutë, shumë ligje dhe praktika qeverisjeje, bazohen ende në tradita dhe norma të pashkruara. Kjo është veçanërisht e vërtetë për qeverisjen lokale dhe përkatësitë fisnore.
10. Jordania
Ky vend ka një kushtetutë të shkruar, por jo pak aspekte të qeverisjes dhe vendimmarrjes janë ende të ndikuara nga zakonet e pashkruara, duke përfshirë traditat fisnore dhe mbretërore. Mbreti jordanez ruan një pushtet të konsiderueshëm, dhe disa praktika kushtetuese udhëhiqen nga tradita dhe rregullat e pashkruara, duke çuar në një qasje gjysmë-fleksibël ndaj qeverisjes./Përshtati "Pamfleti" nga "Vanguardngr"
Lini një Përgjigje