
“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga sa herë jam rrëzuar dhe jam ngritur përsëri”- Nelson Mandela, ish-udhëheqësi i Afrikës së Jugut
Smogu i Madh i Londrës: Si vdiqën mbi 12.000 njerëz brenda 5 ditësh?
Smogu preku rëndë një zonë të gjerë të kryeqytetit të Mbretërisë së Bashkuar. Ishte një mjegull e dendur dhe toksike, që konsiderohet ende sot si një nga rastet më të këqija të ndotjes së ajrit në histori…
Më 5 dhjetor 1952, një shtresë mjegulle jashtëzakonisht e dendur ra mbi qytetin e Londrës. Por shumica nuk e vuri re ndryshimin, dhe dita nuk kaloi shumë ndryshe nga të mëparshmet.
Megjithatë, shumë shpejt banorët filluan të ndjenin se këtë herë mjegulla ishte jashtëzakonisht e dendur, dukshmëria ishte reduktuar në minimum, dhe mbi të gjitha numri i rasteve të problemeve me frymëmarrjen dhe arresteve kardiake të lidhura me të, filloi që të rritej ndjeshëm.
Gjatë 5 ditëve në vijim, një perde e ulët mjegulle dhe tymi ra mbi Londër, dhe qyteti u bë një skenë aksidentesh, krimi dhe kaosi. Katastrofa, e cila mori jetën e 12.000 njerëzve, u shkaktua nga disa faktorë: para së gjithash nga ndotja e rëndë e ajrit që kishte pllakosur kryeqytetin për njëfarë kohe, kryesisht për shkak të përdorimit të tepërt të qymyrit si lëndë djegëse industriale dhe nga banorët për ngrohje.
Për më tepër, një fazë anticiklonike, ose e presionit të lartë atmosferik e pengoi shpërndarjen e substancave të dëmshme në ajër, duke e mbingarkuar qytetin dhe duke shkaktuar katastrofën, që sot 73 vjet më vonë kujtohet si “Smogu i Madh i Londrës”.
Vetë termi “smog” u shpik në vitin 1905 nga mjeku Henri Dë Voua në Kongresin e Shëndetit Publik në Londër, për të përshkruar kushtet e veçanta atmosferike që preknin kryeqytetin britanik dhe në përgjithësi qytetet e mëdha në atë kohë.
Smogu i Madh i Londrës, është studiuar gjerësisht përgjatë viteve dhe mbahet mend si një nga rastet më të këqija të ndotjes së ajrit në botë. Pasojat e atyre 5 ditëve smog mbi shëndetin publik, vazhduan të ndiheshin në muajt dhe madje vitet që pasuan.
Në aspektin kimik, Smogu i Madh i Londrës i vitit 1952 ishte një përqendrim ndotësish të lëshuar në atmosferë dhe të mbajtur mbi qytet nga një anticiklon. Nëse po pyesni veten se si funksionon, imagjinoni një zonë me presion të lartë që shtyn ajrin poshtë, drejt sipërfaqes së Tokës, duke krijuar një lloj “batanijeje” me ajër të ngrohtë.
Inversioni i temperaturës që shkaktohet midis ajrit të ngrohtë dhe temperaturës më të ftohtë të tokës, krijon natyrshëm tym dhe mjegull. Kësaj i shtoheshin ndotësit dhe emetimet nga përdorimi i qymyrit, i cili në atë kohë përdorej si në shtëpi ashtu edhe në fabrika.
Po ashtu, duhet të kujtojmë se Londra ishte një qytet industrial dhe përgjatë lumit Tamiz, lumit që rrjedh nëpër qendrën e metropolit, kishte dikur fabrika dhe termocentrale që përdornin qymyr. Të ndikuar nga temperaturat e ulëta të fundvjeshtës, banorët e shtuan ngrohjen në shtëpitë e tyre.
Ky reaksion zinxhir, shkaktoi ngecjen e sasive të mëdha të substancave toksike. Rrth1.000 ton tym, 2.000 ton dioksid karboni dhe 370 ton dioksid squfuri, çliroheshin në mjedis çdo ditë. Diapazoni i vlerave të konsideruara normale për Londrën në vitin 1952 ishte një sasi tymi midis 0.44 dhe 0.12 miligramë për metër kub ajër (mg/m³).
Ndërkohë gjatë ditëve të Smogut të Madh, përqendrimet u rritën ndjeshëm, veçanërisht në 3 ditët e para, duke arritur një vlerë maksimale prej 4.46 mg/m³ në lagjen qendrore të Lambeth, pranë ndërtesës së Bashkisë së Qarkut.
Smogu ishte aq i trashë dhe i dendur sa që pengonte rrjedhën normale të trafikut.
Avionë uleshin sapo ishin ngritur në ajër, në pamundësi për të vazhduar më tej, dhe trajektoret e atyre që vinin në Londër, u devijuan në aeroportet e qyteteve të tjera.
Pati dhjetëra aksidente, ambulanca që mbërrinin me shumë vonesë, spitale të mbipopulluar dhe madje edhe një rritje të dukshme të grabitjeve dhe krimit, të cilat e transformuan qytetin në një teatër të vërtetë tmerri. Por mbi të gjitha, ekspozimi ndaj ndotësve ishte shkatërrues për shëndetin e qytetarëve.
Fëmijët dhe më të moshuarit filluan të sëmuren, ashtu si të gjithë ata me sëmundje kronike ekzistuese. Kolla, astma, pneumonia dhe arrestet kardiake shkaktuan 4.000
vdekje vetëm në ditët e para. Megjithatë, është vlerësuar se viktimat totale të shkaktuara nga Smogu i Madh i Londrës ishin rreth 12.000.
Më në fund të martën e 9 dhjetorit, në qytet mbërriti një zonë me presion të ulët duke sjellë erë dhe shi. Londra mundi të merrte frymë përsëri. Pas asaj tragjedie u ngrit një komitet për të përcaktuar burimet e ndotjes dhe për të hartuar një sërë rekomandimesh për industrinë dhe qytetarët.
Këto dokumente formuan bazën e Aktit të Ajrit të Pastër, një ligj që mori miratimin mbretëror në vitin 1956 dhe u lejoi autoriteteve të kontrollonin emetimet e ndotësve dhe të krijonin zona pa smog.
Ngjarje të tjera të rëndësishme:
5 Dhjetor 1933 - Shtetet e Bashkuara ratifikojnë Amendamentin e 21-të, i cili anuloi plotësisht Amendamentin e 18-të, dhe e bëri sërish të ligjshëm shitjen dhe konsumin e alkoolit. Ky akt i dha fund epokës të njohur si “Prohibicioni”.
5 Dhjetor 1945 - Gjatë një stërvitjeje rutinë në Atlantik, një skuadron prej 5 avionësh bombardues të Marinës Amerikane, zhduket në mënyrën misterioze në rajonin e quajtur tani “Trekëndëshi i Bermudës”.
5 Dhjetor 1955 - Pas arrestimit të Roza Parks për refuzimin e lirimit të vendit të saj në autobus një burri të bardhë, Martin Luther King Jr. dhe drejtues të tjerë të të drejtave civile nisin një bojkot masiv dhe shumë të suksesshëm të sistemit të autobusëve të Montgomeri, Alabama. Bojkoti zgjat 381 ditë dhe u bë një simbol i fuqishëm i Lëvizjes për të Drejtat Civile.
5 Dhjetor 1978 - Bashkimi Sovjetik nënshkruan një marrëveshje miqësie me Afganistanin, vetëm një ditë përpara se të ndërhynte ushtarakisht në këtë vend, për të vendosur një qeveri pro-komuniste dhe satelite të Moskës.
5 Dhjetor 2013 - Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare Nelson Mandela, ish-president i Afrikës së Jugut. Mandela njihej si luftëtar i lirisë, i burgosur politik, udhëheqës i të drejtave civile, udhëheqës politik dhe simbol i integritetit dhe pajtimit jo vetëm për Afrikën e Jugut, por për të gjithë botën./Përshtati "Pamfleti" nga "Geopop"
Lini një Përgjigje