Përmbysja e regjimeve është më e lehtë të synohet sesa të arrihet. Historia tregon se ndërhyrjet e jashtme shpesh përfundojnë në kaos kur mungon një plan i qartë për atë që vjen pas rënies së diktatorëve. Sot, Uashingtoni gjendet përsëri përballë dilemës nëse duhet të detyrojë ndryshimin nga jashtë apo të presë kolapsin e brendshëm të kundërshtarëve të tij…
Për të paktën një dekadë, ka mbizotëruar mendimi se përpjekjet e drejtpërdrejta të Shteteve të Bashkuara për ndryshimin e regjimeve kanë përfunduar në dështim. Dhe kjo për arsye të forta. Në Afganistan, talibanët që u dëbuan në vitin 2001, u rikthyen në pushtet në vitin 2021 pas dy dekadash përpjekjesh të kota nga amerikanët.
Në Irak, forcat amerikane arritën të rrëzonin njëherë e mirë regjimin e Sadam Huseinit, por rezultati nuk ishte në përpjesëtim me kostot njerëzore, ekonomike, strategjike dhe politike. Pastaj në Libi, një ndërhyrje e NATO-s e udhëhequr nga SHBA-ja, e synuar për të parandaluar një masakër nga diktatori Muammar al-Gaddafi, përfundoi me ekzekutimin e tij dhe kolapsin e regjimit. Por nuk pati asnjë plan vijues, dhe rënia e regjimit prodhoi kaos dhe atë që mund të përshkruhet më së miri si një shtet i dështuar.
Ky bilanc i dobët bie ndesh me ringjalljen e papritur të debatit mbi ndryshimin e regjimeve. Historia më e gjatë e politikave dhe operacioneve të tilla amerikane hedh dritë mbi premtimet dhe rreziqet që ato përfshijnë, duke ofruar disa mësime të vlefshme.
Dhe është e qartë se ndryshimi i regjimit është më i lehtë të synohet sesa të arrihet. Të mos pasurit e një plani për atë që ndodh pas përmbysjes së një regjimi, do të thotë të nxisësh dështimin. Së fundi, dhe ndoshta më e rëndësishmja, Uashingtoni duhet të bëjë dallimin midis ndryshimit të regjimit si një fenomen që kërkon një reagim, dhe ndryshimit të regjimit si një politikë e qëllimshme që synon të sjellë një rezultat të caktuar.
Është gjithashtu e rëndësishme të pranohet se kalimi i kohës, kujtesa e dobët dhe politika e brendshme mund të bashkëpunojnë për të fshehur realitetin e përpjekjeve të kaluara. Ndërsa administrata Trump po shqyrton një numër opsionesh për Venezuelën pas kapjes së sundimtarit të saj, Nikolas Maduro, shumë analistë po e drejtojnë gishtin nga operacioni amerikan i vitit 1989 në Panama si një shembull suksesi.
Në realitet, të dyja operacionet ndryshonin në thelbin e tyre dhe kostoja e Panamasë ishte shumë më e lartë nga sa kuptohet sot. Kjo ishte edhe arsyeja pse administrata e Xhorxh H. W. Bush zgjodhi të mos ndiqte ndryshimin e regjimit në Irak në vitin 1991, një vendim që u vërtetua i drejtë nga gjithçka që ndodhi kur i biri, Xhorxh W. Bush, bëri zgjedhjen e kundërt në vitin 2003.
Sukseset e hershme dhe Lufta e Ftohtë
Ndryshimi i regjimit mund të marrë disa forma dhe mund të provokohet nga forca të brendshme, të jashtme, ose të dyja bashkë. Kur ky ndryshim nxitet nga jashtë, ai shpesh shoqërohet me “ndërtimin e kombit”.
Shembujt më të suksesshëm ndodhën pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani dhe Japoni. Qëllimi ishte të sigurohej që asnjëri prej këtyre vendeve të mos kërcënonte më botën, duke i transformuar ata politikisht dhe ekonomikisht që të kontribuonin në sfidën ndaj Bashkimit Sovjetik.
Këto përpjekje prodhuan suksese mahnitëse, por ato kërkuan pushtime ushtarake të gjata dhe një përfshirje të madhe të Uashingtonit. Gjermania dhe Japonia ishin shoqëri homogjene dhe të mirëorganizuara, që ishin mposhtur vendosmërisht, gjë që e lehtësoi procesin.
Ndërkohë, në lidhje me Bashkimin Sovjetik, SHBA-ja hodhi poshtë idenë e ndryshimit të detyruar të regjimit, duke e konsideruar shumë të rrezikshme në epokën bërthamore. Në vend të kësaj, u adoptua qasja e “përmbajtjes”, një politikë e duruar që synonte të kufizonte ekspansionin rus.
Ajo funksionoi aq mirë sa krijoi kushtet për një ndryshim regjimi nga brenda. Në fundin e viteve ’80, regjimi sovjetik u shemb jo nga sulmet e drejtpërdrejta perëndimore, por nga forcat e brendshme, rritja e nacionalizmit dhe politikat e Mihail Gorbaçov. Ky mbetet një mësim kyç edhe për sot: ndryshimi më i qëndrueshëm është ai që buron nga brenda, i ndihmuar tërthorazi nga presioni dhe shembulli i jashtëm.
Një krahasim i rrezikshëm
Sot po i kushtohet shumë vëmendje ndërhyrjes në Panama në vitin 1989 si një model për Venezuelën. Bush e hoqi nga pushteti Manuel Noriegën, i cili, ashtu si Maduro, ishte i përfshirë në trafik droge dhe kishte anuluar zgjedhjet në vend.
Por suksesi në Panama erdhi sepse SHBA-ja dërgoi atje 25.000 trupa, pati një prani të fortë diplomatike dhe kontrollin e Kanalit të Panamasë. Për më tepër, Panamaja ishte sa një e dhjeta e Venezuelës në sipërfaqe dhe popullsi. Edhe me këto avantazhe, ndryshimi i regjimit nuk ishte pa kosto.
Pati qindra viktima në radhët e amerikanëve dhe vështirësitë në kapjen e Noriegës ishin të turpshme. Ajo përvojë e bëri administratën Bush të kuptonte se forcat e armatosura mund të shkatërrojnë objekte ose të vrasin liderë, por nuk mund të zëvendësojnë lehtësisht një sistem politik me një tjetër.
Ky kujdes u harrua pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, kur SHBA-ja u zhyt në procesin e “ndërtimit të kombit” në Afganistan dhe Irak, me kosto triliona dollarë dhe me humbje masive në njerëz, duke vërtetuar se çlirimtarët mund të kthehen shpejt në pushtues të padëshiruar.
Rastet aktuale: Venezuela, Gaza dhe Irani
Pas katastrofave në Irak dhe Afganistan, pritej që Uashingtoni të qëndronte larg këtyre projekteve. Megjithatë, situatat në Venezuelë, Gaza dhe Iran e kanë rikthyer ndryshimin e regjimit në tryezë.
Në Venezuelë, administrata Trump po ndjek një rrugë të ndryshme nga ajo e Irakut. Nuk ka dërgim trupash apo shpërbërje të ushtrisë. Përkundrazi, po synohet një ndryshim udhëheqësie (nga Maduro te Delcy Rodríguez) dhe sigurimi i qasjes tek nafta.
Megjithatë, mungon një plan i qartë për tranzicionin demokratik. Trump e refuzon procesin e “ndërtimit të kombeve”, por nëse ndryshimet e dëshiruara të politikave nuk ndodhin, ai do të përballet me dilemën: si të marrë përfitimet e ndryshimit të regjimit pa u ndeshur me rreziqet e tij?
Në Gazë, Izraeli dhe SHBA-ja synojnë fundin e dominimit të Hamasit. Por Izraeli ka ndjekur një strategji ushtarake njëdimensionale, duke refuzuar të prezantojë një alternativë politike si Autoriteti Palestinez.
Pa një entitet alternativ që popullsia mund ta mbështesë, ndryshimi i regjimit mbetet i paarritshëm dhe vetëm ushtarak. Irani paraqet rastin më kompleks. Regjimi aktual erdhi në pushtet në vitin 1979 përmes një ndryshimi të brendshëm.
Sot, ky regjim përballet me presion masiv nga poshtë. Trump ka kërcënuar me ndërhyrje nëse vriten protestuesit. Por një sulm ushtarak amerikan mund të provokojë një reagim nacionalist që e bashkon popullin rreth regjimit.
Uashingtoni duhet të jetë i kujdesshëm: ndryshimi në Iran është i dëshirueshëm, por ai duhet të nxitet përmes sanksioneve dhe ndihmës teknike për opozitën, duke ofruar lehtësime vetëm në këmbim të ndryshimit të sjelljes strategjike të Teheranit.
Në muajt në vijim, Uashingtoni duhet të bëjë një dallim vendimtar ndërmjet reagimit ndaj një ndryshimi regjimi që është duke u zhvilluar nga brenda dhe një politike proaktive për ta detyruar atë nga jashtë.
Kur një regjim shembet vetvetiu, siç ndodhi në Bashkimin Sovjetik, pyetja është se si të përdoren mjetet diplomatike për të ndikuar në rezultat. Qasja më e mirë është ofrimi i ndihmës ekonomike të kushtëzuar me reforma specifike./Përshtati "Pamfleti", nga “Foreign Affairs”
Lini një Përgjigje