TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Prill 2026, 17:33

“Nëse do të varej nga unë, do merrja naftën”, Trump: Iranin mund ta shfarosim, por amerikanët duan fundin e luftës!

Shkruar nga Pamfleti

 

“Nëse do të varej nga unë, do merrja naftën”,
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se propozimet për armëpushim me Iranin janë një hap përpara, por ende të pamjaftueshme. Ai theksoi se, nëse do të varej prej tij, do të ndiqte një qasje më të ashpër, duke përmendur edhe kontrollin e naftës iraniane. Trump paralajmëroi për mundësi përshkallëzimi, duke përfshirë goditje ndaj infrastrukturës si ura dhe termocentrale. Ai ritheksoi se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe përdori tone të ashpra ndaj udhëheqjes iraniane. Gjithashtu, ai kritikoi amerikanët që kundërshtojnë luftën, duke i cilësuar “budallenj”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump është shprehur për mediat se propozimet aktuale për armëpushim mbeten të pamjaftueshme.

Gjatë një komunikimi me gazetarët në një aktivitet për Pashkët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se marrëveshjet e propozuara për armëpushim përbëjnë “një hap shumë të rëndësishëm përpara”, por nuk janë ende në nivelin e dëshiruar.

Ai shtoi se, nëse vendimmarrja do të varej prej tij, do të kishte ndjekur një qasje më të ashpër ekonomike ndaj Iranit.

“Nëse do të varej nga unë, do ta merrja naftën, do ta mbaja dhe do të përfitonim shumë financiarisht”, u shpreh ai.

Megjithatë, Trump theksoi se qytetarët amerikanë kërkojnë përfundimin e konfliktit dhe se kjo mbetet një faktor i rëndësishëm në qëndrimin e tij publik.

I pyetur për dy pilotët amerikanë të shpëtuar nga Irani, ai deklaroi se ata “janë mirë”.

Sipas Trump, lufta mund të përfundojë “shumë shpejt” nëse qeveria iraniane ndërmerr hapat e duhur, pa dhënë detaje konkrete mbi këto veprime.

Në një koment mbi politikën ndërkombëtare, ai bëri një krahasim historik duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ndjekin një qasje të ngjashme me atë të ish-kryeministrit britanik Neville Chamberlain, i njohur për politikën e paqësimit ndaj Gjermanisë naziste para Luftës së Dytë Botërore.

Trump, po ashtu deklaroi se Irani nuk duhet të ketë akses në armë bërthamore, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj udhëheqjes së mëparshme iraniane.

 “Nuk mund t’u japësh armë bërthamore të çmendurve”, tha ai.

Trump vijoi më tej kërcënimet ndaj Iranit, duke paralajmëruar goditje ndaj infrastrukturës së vendit.

Ai u shpreh se SHBA-të po “e shkatërrojnë” Iranin, duke shtuar: “E urrej ta bëj, por ne po e zhdukim”.

Trump deklaroi se objektivat mund të përfshijnë ura dhe termocentrale, duke lënë të kuptohet për një përshkallëzim të mëtejshëm.

“Ata nuk do të kenë ura, as termocentrale. Nuk do të kenë asgjë”, tha ai, pa dhënë detaje konkrete mbi veprimet e mundshme.

Ai shtoi se ekzistojnë edhe opsione të tjera më të ashpra, por nuk pranoi të elaborojë më tej.

Ndër të tjera, Trump, i cilësoi “budallenj” amerikanët që kundërshtojnë luftën me Iranin.

I pyetur se çfarë do t’u thoshte qytetarëve që janë kundër përfshirjes në konflikt, ai u përgjigj shkurt: “Ata janë budallenj.”

Trump argumentoi se qëndrimi i tij lidhet drejtpërdrejt me çështjen e sigurisë bërthamore. “Lufta ka të bëjë me një gjë, Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore”, u shpreh ai./ Pamfleti

donald trump lufta irani

2 Komente

  1. T
    Tony

    Ja nje President bujar e zemer bute qe bota nuk e ka pare ne historine e saj.

    1. A
      A. Baçe

      Thonë Trampi nuk është Amerika. Jo Trampi është Amerika. Shekuj larg nga Amerika e Linkolnit, Uillsonit, Kenedit. Një kongres i ngordhur që nuk arrin ti kundërvihet një paçaueje si Trampi që ja kanë zili për gojën e ndyrë dhe fshesaxhijet e natës. Romakët i vrisnin perandorët e marrë a të rrezikshëm duke ja çghendur emrin nga çdo gur dhe fshirë nga çdo letër. Amerika e Trampit nuk është Amerika e Kenedit, ashti si dhe Shqipëria e Rilindësve nuk ka pikë afrije me Shqipërinë çka qenë dhe çdo jetë

      Lini një Përgjigje