TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Prill 2024, 18:08

Nëse bota do të ketë rend apo kaos, kjo do të varet nga rezultati i luftës në Ukrainë

Shkruar nga Luciano Bozzo

 

Nëse bota do të ketë rend apo kaos, kjo do të varet nga
Ushtar ukrainas /

Lufta do të vazhdojë. Rezultati do të përcaktohet nga konsumi i burimeve materiale dhe njerëzore. Pavarësish se cili do të jetë fundi, pasojat do të kenë një ndikim të madh mbi rendin (apo kaosin) e ardhshëm ndërkombëtar...

Gjatë muajit të fundit, janë bërë shumë deklarata publike nga udhëheqës kombëtarë dhe të institucioneve evropiane, duke filluar me atë më të bujshmen të presidentit francez Emmanuel Macron për dërgimin e mundshëm të trupave të NATO-s në frontin ukrainas.

Ato kanë “zbuluar” atë që ishte tashmë e dukshme. Ajo që po ndodh prej më shumë se 2 vjetësh nuk është vetëm apo kryesisht një luftë klasike agresioni nga një fuqi kundër një vendi fqinj.

Përkundrazi, është një përplasje e re midis fuqive të mëdha, e cila filloi ashtu si ato të ngjashme me të gjatë shekullit të kaluar, me agresionin e njërës prej tyre kundër një kundërshtari më të vogël rajonal. Një agresion i shoqëruar me nënvlerësim të reagimeve të fuqive të tjera por edhe të pasojave të mundshme.

I tillë ishte edhe rasti i Luftës së Parë Botërore, me sulmin e Perandorisë Austro-Hungareze mbi Serbinë, dhe Luftës së Dytë me sulmin e Gjermanisë naziste ndaj Polonisë. I ngjashëm është edhe rasti i Luftës së Krimesë, e cila filloi në 1853 me sulmin e Perandorisë Ruse ndaj Perandorisë Osmane, duke e çuar këtë të fundit drejt krizës së saj përfundimtare.

Vitin që pasoi, Franca, Britania e Madhe dhe Mbretëria e Sardenjës ndërhynë përkrah turqve, me mbështetjen politike të Austrisë. Kështu lufta u shndërrua në një përballje midis fuqive të mëdha, e cila si të gjitha konfliktet e këtij lloji, i dha fund rendit ndërkombëtar ekzistues, të ashtuquajturit Koncert.

Nga ana tjetër, kjo e fundit ishte rezultat i fazës së mëparshme, të gjatë dhe të dhunshme të konfliktit midis fuqive: Luftërave Revolucionare dhe Napoleonike. Sot, ashtu si dje, fuqitë e mëdha janë rreshtuar me njërën apo tjetrën palë ndërluftuese.

Nga njëra anë janë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s, para së gjithash Britania e Madhe. Nga ana tjetër është Irani, Koreja e Veriut dhe Kina. Në një aspekt, kjo e fundit po sillet si Austria në vitin 1854. Ndryshimi i dukshëm sot vërehet nga mungesa e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të fuqive në konflikt.

Ky ndryshim shpjegohet me rrezikun e dukshëm të përshkallëzimit të konfliktit drejt një lufte globale dhe bërthamore, që është përmendur vazhdimisht edhe nga udhëheqja ruse. Por kësaj i shtojmë edhe mungesën e përgatitjes së Perëndimit, më parë psikologjike dhe më pas materiale, përballë vetë hipotezës së rikthimit të luftës.

Në dallim nga ajo që ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë, sot kërcënimi bërthamor nuk kontribuon në stabilizimin e marrëdhënieve midis fuqive, dhe nuk çon në përcaktimin e një “rendi të ri bërthamor”, pra të një sistemi të ri të sigurisë globale. Në vend të kësaj, ky kërcënim parandalon një goditje të thellë ndaj burimeve të mbështetjes logjistike të pretendentëve apo vendosjen e një “zone të ndalim fluturimit” mbi qiellin e Ukrainës.

Luftërat midis fuqive të mëdha kanë një tipar të përbashkët shpeshherë të injoruar nga një letërsi ushtarake, që e ka bërë të sajën një narrativë evokuese, në të cilin rezultati i konfliktit varet nga sulmi, në mos nga beteja vendimtare. Në realitet, këto lloj luftërash - shih shembujt e përmendur - janë ose gjithsesi shndërrohen në luftëra rrënimi.

Fuqitë që në një periudhë afatgjatë mund të angazhojnë burime më të mëdha financiare, ekonomike dhe demografike për luftën, përfundojnë në krye. Kjo është arsyeja pse unë e theksova që në fillim të luftës në Ukrainë se konflikti do të ishte i gjatë dhe se pritshmëria për një sulm vendimtar ishte kryesisht iluzore.

Natyrisht, përveç rezultatit të përcaktuar nga efektet e luftimeve të gjata (konsumi i burimeve dhe njerëzve), fuqia e përfshirë në një luftë të tillë mund të shembet për arsye të brendshme. I tillë ishte rasti i Rusisë Cariste dhe i Perandorisë Austro-Hungareze në Luftën e Parë Botërore. Por rënia e së parës, u shkaktua edhe nga humbjet e mëdha të pësuara në 3 vitet e para të konfliktit, ndërsa ajo e së dytës u shkaktua nga shpërthimi i forcave centrifugale nacionaliste.

Viti i Revolucionit Bolshevik, ishte gjithashtu ai i disfatës së Caporettos dhe e dezertimeve të shumë-përhapura në mesin e trupave franceze. Prandaj, është e mundur dhe me ndonjë arsye të fortë të hipotetizohet se ekziston një nivel i caktuar kostosh, dhe mbi të gjitha humbjesh njerëzore, të cilat nuk mund të paracaktohen, dhe përtej të cilave vazhdimi i luftës bëhet jashtëzakonisht i vështirë për çdo palë ndërluftuese.

Gjithsesi, nuk mund të përjashtohet mundësia që një nivel i ngjashëm është i afërt në Rusi, ashtu si në Ukrainë. Aftësia për të rikthyer sistemin e prodhimit të Federatës ruse në një ekonomi lufte, efekti i kufizuar i “anashkalimit” të sanksioneve dhe blerësit e rinj - më së pari në listë është India - të karburanteve fosile ruse e lejojnë Moskën të vazhdojë luftën. E njëjta gjë mund të thuhet për rekrutimin  e ushtarëve të rinj në rajonet periferike dhe për grupime mercenare të llojeve të ndryshme, të cilat e zbusin efektin e humbjeve në qytetet e mëdha, ku jetojnë segmentet më të perëndimorizuara të shoqërisë ruse.

As konsolidimi i udhëheqjes së Putinit, rezultati i eliminimit apo i largimit të kundërshtarëve të tij, sukseset e fundit taktike në front, rezultati i zgjedhjeve presidenciale dhe sulmi terrorist në Moskën, nuk na lejojnë të besojmë se do ketë së shpejti një puç të brendshëm.

Lufta do të vazhdojë. Rezultati do të përcaktohet nga konsumi i burimeve materiale dhe njerëzore. Pavarësish se cili do të jetë fundi, pasojat do të kenë një ndikim të madh mbi rendin (apo kaosin) e ardhshëm ndërkombëtar. Rezistenca e Ukrainës është vendimtare dhe e mundshme, por kjo varet padyshim nga mbështetja e jashtme.

Këtë duhet ta kenë parasysh të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të paktën ta konsiderojnë realisht si “skenarin më të keq”. Kjo nuk do të thotë, siç përsëritet shpesh, të krijohen kushtet për një “luftë të pashmangshme”. Përkundrazi fjala është për rindërtimin e një kapaciteti të besueshëm parandalues ​​konvencional, i cili përmes një garancie bërthamore, e bën të shmangshme luftën./Përshtati Pamfleti nga “‘Formiche.net”

rend kaos rezultati i luftës ukraina

Lini një Përgjigje