TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Maj 2025, 22:31

Negociatat mbi Ukrainën ende larg, armëpushimet i shërbejnë Rusisë për përçarjen e Perëndimit

Shkruar nga Ettore Sequi

Negociatat mbi Ukrainën ende larg, armëpushimet i shërbejnë

Putin nuk po ofron një armëpushim për të ndaluar luftën: ai po ofron një armëpushim për ta përshtatur atë sipas interesave të tij.

9 maji i këtij viti, nuk do të jetë vetëm dita në të cilën Moska do të festojë 80-vjetorin e fitores mbi nazizmin. Ai do të jetë edhe skena e një ndryshimi thelbësor në luftën ukrainase, sigurisht jo në fushën e betejës, por në perceptimin e të gjithë aktorëve të përfshirë.

Propozimi rus për një armëpushim 72-orësh, i lidhur ngushtë me këtë ditë përkujtimore, nuk përfaqëson një hap të vërtetë drejt paqes. Ai është një gjest i përllogaritur, i projektuar për të përforcuar narrativën e brendshme dhe për të dërguar sinjale pajtuese në Shtëpinë e Bardhë, në një përpjekje për të qetësuar Uashingtonin, që ditët e fundit është shfaqur nervoz ndaj sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë ruse mbi zonat e banuara nga civilët.

Vladimir Putin synon që të kënaqë nevojat e brendshme (të sigurojë zhvillimin normal të paradës së 9 majit), dhe t’i dërgojë një sinjal të paqartë Shteteve të Bashkuara: një gjest i mjaftueshëm për t’u dukur bashkëpunues, por shumë i dobët për të sjellë ndryshime të vërteta.

Për Trumpin, armëpushimi ka kuptim vetëm nëse mund të paraqet si një ndërprerje e armiqësive. Jo thjesht si një gjest simbolik, por si një trofe për t’u shfaqur dhe mjaftueshëm jetëgjatë sa ta lejojë presidentin amerikan ta shpallë atë si një sukses të tijin.

Në këto kushte, një pezullim vetëm 3-ditor i luftimeve, pa mekanizma verifikimi në terren, dhe pa një angazhim konkret për negociata serioze, nuk mund të jetë kurrsesi i mjaftueshëm. Ndërsa për Kievin, një armëpushim i shkurtër përfaqëson më tepër një rrezik sesa një mundësi.

Zelensky e di se një pezullim i shkurtër i luftimeve, rrezikon të favorizojë vetëm propagandën e Moskës, por duke forcuar edhe tundimin e SHBA-së për t’u shkëputur plotësisht nga ndihma ndaj Kievit, skenar me të cilin Uashingtoni ka kërcënuar tashmë disa herë në rast se dështon arritja e një marrëveshjeje midis rusëve dhe ukrainasve.

Për këtë arsye, që nga momenti i parë, Ukraina e ka ripërsëritur kërkesën e saj për një armëpushim të paktën 30-ditor, pa kushte, dhe me qëllim konsolidimin e mbrojtjes së brendshme, forcimin e mbështetjes perëndimore dhe kënaqjen e administratës Trump.

Nga ana tjetër për Moskën, armëpushimi është një mjet politik në shërbim të strategjisë së saj të përgjithshme. Prandaj, Putini e shoqëron çdo pezullim të luftimeve me kërkesa që lidhen me marrëveshjet e paqes: njohje pushtimesh territoriale, heqje graduale e sanksioneve, kufizim i përhershëm i garancive të sigurisë për Ukrainën. 

Deklaratat e Lavrov, sipas të cilave “armëpushimi 3-ditor përfaqëson fillimin e negociatave të drejtpërdrejta me Kievin pa parakushte”, duhet të interpretohen saktësisht kështu: Për Rusinë termi “pa parakushte” do të thotë se negociatat s’mund të bazohen tek kërkesat paraprake nga Kievi.

Madje fjalët e Lavrov bartin edhe një mesazh tjetër: për Moskën, është e mundur të negociohet edhe pa një armëpushim zyrtar. Pra konflikti mund të vazhdojë, edhe me një intensitet të ulët, ndërsa janë duke u negociuar kushtet e një marrëveshjeje.

Pra sipas vizionin rus, lufta vazhdon të jetë një instrument i përhershëm presioni, i cili nuk i pengon, por i shoqëron dhe mbështet negociatat. Dallimi është shumë i madh. SHBA-ja e sheh armëpushimin si një pakësim të dhunës, dhe si një prelud për negociatat e paqes.

Trump ka dëshpërimisht nevojë për një armëpushim të qëndrueshëm dhe të dukshëm, për të shpallur fundin e misionit të tij. Jo për të shpëtuar Ukrainën, por për t’u çliruar prej saj, dhe për të qenë në gjendje të ripozicionojë strategjinë kryesore të Amerikës në rajonin e Paqësorit.

Rusia e sheh atë si një element të vetë konfliktit, që do të përdoret për të konsoliduar dhe zgjeruar pozicionet e saj, si dhe për të prishur kohezionin e frontit perëndimor. Pra jo si një gjest humanitar, por një levë për konsolidim strategjik.

Putin nuk po ofron një armëpushim për të ndaluar luftën: ai po ofron një armëpushim për ta përshtatur atë sipas interesave të tij. Kievit i duhet një armëpushim i vërtetë dhe i gjatë, që do të garantojë ekuilibrin në terren.

Presidenti ukrainas Zelensky e di se pa garanci të vërteta, çdo armëpushim i shkurtër është vetëm një parathënie e një vale të re shkatërrimesh. Moskës i duhet një armëpushim, vetëm si një mjet taktik i dobishëm për të përfituar disa lëshime, për të forcuar presionin mbi Kievin dhe për të ndikuar në narrativën ndërkombëtare.

Ndërkohë, Uashingtoni dhe Moska po i dërgojnë sinjale njëri-tjetrit. Moska po e forcon aleancën me Teheranin, konsolidon lidhjet me Pekinin, dhe po reklamon gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e ngushta me Korenë e Veriut.

Oferta shumë e madhe e amerikanëve për shitjen e armëve Arabisë Saudite, sinjalizon se nëse është e nevojshme, Uashingtoni nuk do të hezitojë të përdorë leva indirekte, si për shembull presionin mbi tregun e energjisë, për të kundërshtuar rezistencën ruse.

Kësisoj, konflikti ukrainas i përshtatet një gjeometrie më të gjerë, të fragmentuar dhe të paqëndrueshme, ku çdo armëpushim, çdo pauzë, çdo propozim, lexohet menjëherë jo vetëm për atë që pohon, por edhe për atë që lë jashtë, që e nënkupton apo përpiqet ta ngrijë.

Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, 9 maji nuk do të shënojë fillimin e një rruge të pakthyeshme drejt paqes. Përkundrazi, do të shënojë përpjekjen e Rusisë për ta normalizuar konfliktin, për ta bërë atë më pak të dukshëm, më të tolerueshëm, por jo më pak të rrezikshëm./Përshtati "Pamfleti" nga “La Stampa”

*Shënim: Ettore Sequi, ish-ambasador i Bashkimit Evropian në Tiranë.

Lini një Përgjigje