
Presidentja e Komisionit kritikon luftën tregtare të udhëheqësit amerikan, qasjen ndaj vendeve të tjera dhe shënjestrimin e universiteteve…
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kritikoi disa herë Donald Trumpin, në një fjalim që nxori në pah antagonizmin në rritje përtej Atlantikut.
Bashkimi Evropian dhe e gjithë bota do të vuajnë si rezultat i “politikës së paparashikueshme tarifore të administratës amerikane”, taksat e së cilës janë “më të lartat në një shekull”, tha ajo në kongresin e Partisë Popullore Evropiane në Valencia të Spanjës.
«Miliona qytetarë do të përballen me fatura më të larta ushqimore, ilaçet do të kushtojnë më shumë, transporti do të kushtojë më shumë, inflacioni do të rritet», tha ajo.
Tarifat e Trump - 10 përqind për shumicën e vendeve, 145 % për Kinën dhe 25 % për çelikun, aluminin dhe makinat - tronditën tregjet globale kur ai i njoftoi ato në fillim të muajit.
Organizata Botërore e Tregtisë parashikon që tregtia globale do të tkurret deri në 1.5 % nëse Trump rivendos tarifat e tij më të larta "reciproke" të përcaktuara për BE-në në 20 përqind, të cilat ai i pezulloi më parë për 90 ditë.
Edhe pse nuk e përmendi presidentin e SHBA-së, von der Leyen kritikoi udhëheqësit e fortë në mbarë Botën, por që lehtësisht i drejtoheshin stilit agresiv diplomatik të Trump ose, në të njëjtën kohë, presidentit rus Vladimir Putin. “Ne nuk i pushtojmë fqinjët tanë dhe nuk i ndëshkojmë ata”, tha ajo.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë Grenlandën, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake. Ai gjithashtu ka shprehur dëshirën e tij për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të amerikan dhe është zotuar të vendosë dënime dërrmuese financiare nëse Ottawa e sfidon atë dhe bashkëpunon me Bashkimin Evropian për të vendosur kundër-tarifa ndaj SHBA-së.
Von der Leyen nënvizoi përkushtimin e Evropës ndaj lirisë akademike, duke këmbëngulur se “debatet polemike në universitetet tona janë të mirëseardhura”, mes fushatës së paprecedentë të Trump kundër disa prej universiteteve më prestigjioze të vendit të tij.
Presidenti amerikan ka futur rregullore më të rrepta dhe ka kërcënuar të ngrijë ose shkurtojë fondet federale nëse institucionet nuk i përmbushin kërkesat e administratës së tij, duke përfshirë edhe shuarjen e ideologjisë progresive.
Evropa nga ana tjetër ka nisur një fushatë të koordinuar për të joshur talentin amerikan, duke u pozicionuar si një strehë për studiuesit që ikin nga masat e rrepta të Trump.
“Ne e konsiderojmë lirinë e shkencës dhe kërkimit si themelore. Ne duam që shkencëtarët dhe studiuesit nga e gjithë bota ta bëjnë Evropën shtëpinë e tyre”, tha von der Leyen. Ajo shtoi se “Evropa do të bëhet përsëri shtëpia e inovacionit.”
Von der Leyen foli shkurt me Trump në Vatikan gjatë funeralit të Papa Françeskut të shtunën dhe të dy ranë dakord të kishin një takim të rregullt në një datë të mëvonshme. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje