
Autoritetet franceze akuzuan të martën grupin e profilit të lartë të hakerave në Rusi për orkestrimin e sulmeve kibernetike ndaj fushatës zgjedhore të Presidentit Emmanuel Macron në vitin 2017.
Kjo është hera e parë që Franca ka akuzuar publikisht Moskën se qëndron pas aferës së njohur si “rrjedhjet e informacionit të Macron”, e cila rezultoi në zbulimin e mijëra dokumenteve që i përkisnin ekipit të fushatës së kandidatit të atëhershëm.
Një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme franceze tha se shërbimi i inteligjencës së Rusisë, GRU, ka kryer sulme për disa vite kundër interesave franceze.
Njësia e akuzuar për kryerjen e sulmeve ishte APT28 famëkeqe, e njohur edhe si Fancy Bear. Ky grup është sanksionuar më parë nga BE për hakimin e Bundestagut gjerman në vitin 2015.
Ai është lidhur gjithashtu me hakimin e Komitetit Kombëtar Demokratik të SHBA-së në vitin 2016 dhe llogarive të email-it që i përkisnin Partisë Socialdemokrate të Kancelarit Olaf Scholz në vitet 2022 dhe 2023.
Ministria franceze tha se grupi i hakerëve është përdorur “për të synuar ose kompromentuar një duzinë entitetesh franceze” që nga viti 2021, dhe gjithashtu po përdoret për të ushtruar presion mbi infrastrukturën e Ukrainës.
Agjencia franceze e sigurisë kibernetike tha në një dokument se agjencitë ministrore franceze ishin në shënjestër, si dhe aktorë të ndryshëm të sektorit privat, përfshirë sektorët e financave dhe hapësirës ajrore.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, postoi një mesazh në X duke thënë se Franca “vëzhgon, bllokon dhe lufton kundërshtarët e saj”, së bashku me një video rreth “luftës së heshtur” të zhvilluar nga Rusia kundër Francës.
Është e rrallë që qeveria franceze t’i përmendë autorët e sulmeve kibernetike në territorin e saj me emër.
Megjithatë, në javët e fundit, Macron ka shtuar retorikën kundër Presidentit rus Vladimir Putin, në një përpjekje për të rritur presionin mbi bisedimet e armëpushimit midis SHBA-së dhe Rusisë.
Javën e kaluar, Macron i bëri thirrje Putinit të “ndalojë së gënjyeri” mbi dëshirën e tij për t’i dhënë fund paqësisht luftës në Ukrainë. Më parë, presidenti francez e paralajmëroi gjithashtu Presidentin e SHBA-së Donald Trump se Putin po luante lojëra në fund të një samiti ndërkombëtar në Paris.
Lini një Përgjigje