
Një ndihmës i lartë i Presidentit Donald Trump akuzoi të dielën Indinë se po financon në mënyrë efektive luftën e Rusisë në Ukrainë duke blerë naftë nga Moska, pasi udhëheqësi amerikan përshkallëzoi presionin mbi Nju Delhi për të ndaluar blerjen e naftës ruse.
“Ajo që ai (Trump) tha shumë qartë është se nuk është e pranueshme që India të vazhdojë të financojë këtë luftë duke blerë naftë nga Rusia”, tha Stephen Miller, zëvendësshef i stafit në Shtëpinë e Bardhë dhe një nga ndihmësit më me ndikim të Trump.
Kritikat e Millerit ishin ndër më të ashpra deri më tani nga administrata Trump ndaj njërit prej partnerëve kryesorë të Shteteve të Bashkuara në Indo-Paqësor.
“Njerëzit do të tronditen kur të mësojnë se India është në thelb e lidhur me Kinën në blerjen e naftës ruse. Ky është një fakt i habitshëm”, tha Miller në emisionin “Sunday Morning Futures” të Fox News.
Ambasada indiane në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Burime qeveritare indiane i thanë Reuters të shtunën se New Delhi do të vazhdojë të blejë naftë nga Moska pavarësisht kërcënimeve të SHBA-së.
Një tarifë prej 25% për produktet indiane hyri në fuqi të premten si rezultat i blerjes së pajisjeve ushtarake dhe energjisë nga Rusia. Trump ka kërcënuar gjithashtu me tarifa 100% për importet amerikane nga vendet që blejnë naftë ruse, nëse Moska nuk arrin një marrëveshje të madhe paqeje me Ukrainën.
Lini një Përgjigje