
Polonia ka nxituar të ngrejë avionët e saj dhe ata aleatë në orët e para të mëngjesit të sotëm për të garantuar sigurinë e hapësirës së saj ajrore.
“Avionët polakë dhe të aleatëve po operojnë në hapësirën tonë ajrore, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe sistemet e radarëve të zbulimit janë vendosur në nivelin më të lartë të zbulimit”, është shprehur komanda e operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm Polak nëpërmjet X.
Avionët luftarakë u ngritën rreth orës 5:40 kur u dha alarmi për kërcënime sulmesh ruse, ndërkohë rreth 3 orë më pas operacioni i forcave ajrore polake dhe aleate u ndërpre, ndërsa sulmet e Moskës në Ukrainë pushuan.
“Veprimet tona ishin parandaluese në natyrë dhe synonin sigurimin e hapësirës ajrore në zonat ngjitur me zonën e kërcënuar”, tha Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake në një mesazh të kohëve të fundit.
Tensionet në Poloni vijnë vetëm pak orë pasi tre avionë rusë MIG-31 shkelën hapësirën ajrore të Estonisë, çka detyroi Talinin të kërkojë konsultime me aleatët për aktivizimin e NENIT 4 të Protokollit të NATO-s.
Ministria ruse e Mbrojtjes, nga ana tjetër, mohoi që avionët rusë të kenë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, ndërsa theksoi se ata kryen një fluturim të planifikuar dhe në përputhje të rreptë me rregullat ndërkombëtare për përdorimin e hapësirës ajrore, pa shkelur kufijtë e shteteve të tjera.
Lidhur me incidentin reagoi edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, i cili tha se ishte i pakënaqur me incidentet, ndërsa theksoi se ato mund të krijojnë një problem shumë të madh.
Ndërsa presidenti francez, Emanuel Makron, teksa theksoi se shkeljet përfaqësojnë një hap tjetër në akumulimin e veprimeve të papërgjegjshme të Rusisë, paralajmëroi se shumë shpejt do të miratohet një qëndrim sigurie në përgjigje të këtyre provokimeve të përsëritura.
Lini një Përgjigje