
Në ditën e parë të samitit të NATO-s që u mbajt në Vilnius të Lituanisë, udhëheqësit e vendeve të Aleancës së Atlantikut u shprehën se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë rëndësie strategjike për aleancën dhe konfirmuan përkushtimin e tyre për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Ata thanë se i mbështesin reformat që i forcojnë aspiratat e vendeve të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
"Ne do të vazhdojmë ta përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik, me qëllim të mbështetjes së reformave, të paqes dhe të sigurisë rajonale, dhe kundër ndikimeve keqdashëse, përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, që paraqesin aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë", thanë liderët e organizatës më të madhe ushtarake në botë.
Udhëheqësit theksuan se rajoni kërkon vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm nga Aleanca dhe komuniteti ndërkombëtar për t'iu kundërvënë këtyre sfidave.
“Vlerat demokratike, shteti i së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik, dhe ne presim përparim të vazhdueshëm në këtë drejtim”, shtuan liderët.
Gjithashtu liderët e vendeve të NATO-s i bënë thirrje Serbisë, e cila ka status neutral sa u përket aleancave ushtarake, që të angazhohet në mënyrë konstruktive me NATO-n dhe fqinjët e saj.
Ata argumentuan se forcimi i marrëdhënieve NATO-Serbi do të ishte në dobi si për aleancën, ashtu edhe për Serbinë dhe gjithë rajonin.
Ndërkohë sa i takon tensioneve në Kosovë, ata thanë se mbështesin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe i ftuan palët që ta shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen në mirëbesim, drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike.
Gjithashtu ata dënuan dhunën në veri të Kosovës, si dhe “sulmet e paprovokuara ndaj ushtarëve të NATO-s, të cilët pësuan lëndime të rënda”.
“Ne e kemi rritur praninë e trupave të [misionit të NATO-s] KFOR për t'iu përgjigjur tensioneve të përsëritura. Çdo ndryshim në pozicionin e forcave tona në KFOR, do të bëhet në bazë të kushteve”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve të NATO-s.
Ndërkohë që gjatë një interviste në Samitin e NATO-s Stoltenberg shprehu gatishmëri për t'u takuar me Vuçiçin.
Gjithashtu NATO mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të një Bosnje dhe Hercegovine të qëndrueshme dhe të sigurt.
“Ne inkurajojmë pajtimin e brendshëm dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të përmbahen nga retorika dhe veprimet përçarëse dhe secesioniste. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj aspiratave euroatlantike të vendit”, thanë liderët e NATO-s në një deklaratë të përbashkët.
Ata u zotuan të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për reforma, duke përfshirë paketën e sapo rënë dakord për Ndërtimin e Kapacitetit të Mbrojtjes, shtabin e NATO-s në Sarajevë dhe mjetet e bashkëpunimit të gjerë të sigurisë dhe partneritetit, si dhe përmes Programit të Reformës së vendit me NATO-n.
“Ne inkurajojmë Bosnjën dhe Hercegovinën që të përfitojë nga mbështetja e NATO-s dhe të intensifikojë përpjekjet për të bërë përparim në reformat në fushat kyçe, duke përfshirë reformat shumë të nevojshme politike, zgjedhore, sundimin e ligjit, ekonomike dhe të mbrojtjes, pa paragjykuar një vendim përfundimtar mbi Anëtarësimi në NATO”, thuhej në deklaratën e përbashkët të liderëve të NATO-s/Pamfleti.
Lini një Përgjigje