TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Qershor 2026, 18:00

Mrekulli në Venezuelë! 12-vjeçari shpëtohet i gjallë pas pesë ditësh nën rrënojat e tërmetit

Shkruar nga Pamfleti

Mrekulli në Venezuelë! 12-vjeçari shpëtohet i gjallë

Pesë ditë pas tërmetit shkatërrues që goditi Venezuelën, ekipet ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit kanë arritur të nxjerrin të gjallë një djalë 12-vjeçar, i cili kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja.

Operacioni i shpëtimit u zhvillua në lagjen Macuto, në qytetin bregdetar të La Guaira, nga ekipi Usar Ecuy-01 në bashkëpunim me ekipin e Republikës Dominikane. Lajmi u bë publik nga Shërbimi Zjarrfikës i Distriktit Metropolitan të Quito-s përmes një njoftimi në platformën X.

“Pas orësh të tëra pune në Venezuelë, ekipi ynë Usar Ecuy-01, në bashkëpunim me ekipin e Republikës Dominikane, arriti të shpëtojë Carlosin, një djalë 12-vjeçar që kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja në lagjen Macuto të La Guairas për pesë ditë pas tërmetit”, thuhet në njoftimin e ekipit të shpëtimit.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat më të goditura nga dy lëkundjet sizmike me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që shkaktuan dëme të mëdha, veçanërisht në La Guaira.

Në momentin e tërmetit, më shumë se 100 shtetas venezuelianë të riatdhesuar së fundmi nga Shtetet e Bashkuara ndodheshin të akomoduar në një hotel në La Guaira. Fluturimi i deportimit nga Miami kishte mbërritur vetëm pak orë më parë me 146 persona në bord, mes tyre 19 gra dhe shtatë fëmijë.

Disa prej të mbijetuarve kanë rrëfyer skena kaotike nga momentet e tërmetit, duke treguar se shumë persona mbetën të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave.

Sipas bilancit paraprak të autoriteteve venezueliane, numri i viktimave ka kaluar 1.700, ndërsa mijëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur ose janë zhvendosur nga banesat e tyre.

venezuele 12-vjeçari termeti viktima

Lini një Përgjigje