Lavrov deklaroi se Uashingtoni dhe BE po e kërcënojnë me grusht shteti qeverinë serbe, nëse ajo nuk pranon vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe njohje e Kosovës.
Kreu i diplomacisë ruse ka marrë në mbrojtje qeverinë Serbe pas kritikave nga perëndimi për problemet me zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale.
Në një intervistë për median Ruse, Sergei Lavrov deklaroi se Uashingtoni dhe BE po e kërcënojnë me grusht shteti qeverinë serbe, nëse ajo nuk pranon vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe njohje e Kosovës.
“Uashingtoni veproi në Ukrainë me sloganin ose me ne ose me Rusinë…Shikoni Serbinë, tani ata po u kërkojnë të njëjtën gjë; vendosni sanksione ndaj Rusisë, jepni Kosovën, njihni pavarësinë e saj dhe më pas ne do t’u ndihmojnë të hyni në Bashkimin Europian. Dhe nëse nuk pranojnë, ata që do të organizojnë një grusht shteti”, deklaroi Lavrov.
Më herët, në një konferencë për mediat, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme në Moskë, ka dërguar një paralajmërim në drejtim të Serbisë. Maria Zaharova e bëri të qartë se nëse Serbia pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, do të kthehej në një shtet skllav, të privuar nga ndihma e Moskës.
“Nëse Serbia do të kishte pranuar të vendoste sanksione ndaj Rusisë, tani do të ishte një shtet skllav, i privuar nga ndihma e dhënë nga Rusia, përfshirë atë në sektorin e energjisë. Në këmbim, ajo do të merrte vetëm kërkesa të reja nga Perëndimi, por pa asnjë ndihmë", deklaroi ndër të tjera, diplomatja ruse.
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse akuzoi Perëndimin se po tenton te rrëzojë presidentin serb Aleksander Vuçiç nga pushteti me të njëjtin skenar të përdorur në Ukrainë në vitin 2014.
"Përpjekjet e Perëndimit kolektiv për të ndezur situatën në vend, duke përdorur teknikat e 'grusht-shtetit të stilit Maidan' janë të dukshme. Reagimi i vetëm i mundshëm është t'i përmbahemi gërmës dhe frymës së Kushtetutës së vendit dhe të respektojmë zgjedhjen e popullit serb, i cili votoi për interesat kombëtare të vendit të tij", shtoi ajo.
Gjithashtu në të njëjtën linjë me Moskën ishte edhe ish-kreu i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit Serb, Aleksandër Vulin, i shpallur tashmë non-grata nga SHBA-ja.
Në një intervistë të dhënë dy ditë më parë median ruse, ‘RIA Novosti’, ai deklaroi se pas protestave të dhunshme në Beograd, qëndron Perëndimi i cili po tenton të largojë Vuçiçin nga pushteti.
“Nuk është më presion, sepse Perëndimit e ka të qartë se përderisa Vuçiç të jetë në krye të Serbisë, nuk do të ketë njohje të Kosovës dhe vendosje sanksionesh kundër Rusisë. Ky është një sulm për përmbysjen e Vuçiçit. Presioni për të më hequr nga posti i kreut të BIA-s shërbeu për të sjellë 'revolucionin me ngjyra' dhe ishte hapi i parë drejt qëllimit përfundimtar. Dorëheqja ime na dha kohë për të reduktuar sulmet gjatë fushatës zgjedhore, por ne e dinim që menjëherë pas disfatës, partia pro NATO-s do të niste një mekanizëm për të rrëzuar Vuçiçin”, shprehej Vulin./Pamfleti
Lini një Përgjigje