TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Shtator 2025, 17:44

Moldavia akuza Serbisë: Po trajnon njerëz për të shkaktuar trazira në zgjedhje!

Shkruar nga Pamfleti

Moldavia akuza Serbisë: Po trajnon njerëz për të shkaktuar

Autoritetet moldaviane kanë njoftuar se kanë zbuluar një rrjet të dyshuar të koordinuar nga Rusia, i cili përfshin trajnime të qytetarëve moldavianë në Serbi për të nxitur “trazira masive” para zgjedhjeve parlamentare të parashikuara për të dielën, më 28 shtator.

Ky veprim vjen si pjesë e një hetimi të gjerë, ku më 22 shtator u kryen 250 bastisje në të gjithë vendin, duke rezultuar në arrestimin e 74 personave të dyshuar për pjesëmarrje në një plan destabilizues të mbështetur nga Moska përmes grupeve kriminale. Sipas njoftimit zyrtar të policisë dhe shërbimeve të sigurisë moldaviane, shumica e të arrestuarve kishin marrë trajnim në qytetin e Nishit në Serbi, ku persona të dyshuar ruse u përfshinë në organizimin e këtyre sesioneve.

Autoritetet në Kishinë akuzojnë qeverinë serbe se është në dijeni të këtyre aktiviteteve, por Beogradi zyrtar nuk ka dhënë ende asnjë reagim zyrtar, as mohim, as pranim.

“Kjo është një përpjekje e drejtpërdrejtë për të penguar vullnetin demokratik të popullit tonë”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë moldave, duke theksuar se hetimi ka zbuluar lidhje me elementë pro-kremlinë që synojnë të krijojnë kaos gjatë ditës së votimit.

Kjo nuk është hera e parë që Moldavia bën akuza të tilla ndaj Serbisë. Në tetor të vitit 2024, para zgjedhjeve parlamentare dhe një referendumi të rëndësishëm, autoritetet kishin pretenduar se qytetarë moldavianë po trajnoheshin në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë për të organizuar protesta të dhunshme.

Atëherë, Bosnja e kishte dëbuar një shtetas rus të dyshuar për koordinimin e këtyre kampeve trajnimi. Sot, situata duket edhe më e tensionuar, me zgjedhjet e ardhshme që mund të jenë vendimtare për rrugën e Moldavisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Komisionarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka konfirmuar se Komisioni Evropian është plotësisht në dijeni të përpjekjeve ruse për të ndikuar në procesin zgjedhor moldavian.

“Rusia po përdor taktikën e blerjes së votave, dezinformimit dhe organizimit të trazirave për të penguar integrimin evropian të Moldavisë”, tha ajo në një deklaratë të publikuar të mërkurën.

Lini një Përgjigje