
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të takohet sot me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, në një përpjekje për të ruajtur klimën e dialogut mes dy vendeve pas 1 vite e gjysmë pa një takim të drejtpërdrejtë. Lajmi raportohet nga media greke Protothema.gr.
Mitsotakis shoqërohet nga ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis dhe këshilltarë diplomatikë, ndërsa në pjesën kokë më kokë të bisedimeve pritet të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të dy vendeve.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e hapura në Mesdheun Lindor. Athina pritet të ngrejë temën e shpalljeve NAVTEX nga Turqia, si dhe planifikimin hapësinor detar dhe projektet për parqe detare. Nga ana e saj, Ankaraja ka shprehur rezerva për afrimin strategjik të Greqisë me Izraelin dhe përjashtimin nga programe të caktuara evropiane.
Në axhendë përfshihen gjithashtu zhvillimet në Lindjen e Mesme, situata në Iran dhe lufta në Ukrainë, çështje që ndikojnë në arkitekturën e sigurisë rajonale.
Një objektiv i shpallur i takimit është dërgimi i mesazhit se dialogu mund të vazhdojë edhe në kushtet e mospajtimeve, duke shmangur tensionet që kanë karakterizuar periudha të mëparshme në marrëdhëniet greko-turke.
Edhe pse raportet mes Athinës dhe Ankarasë nuk ndodhen në një fazë përshkallëzimi, mbeten episode sporadike dhe dallime që ndikojnë në atmosferën politike.
Pak ditë para takimit, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan vlerësoi qëndrimin e Mitsotakis dhe të homologut të tij grek Gerapetritis si konstruktiv për axhendën dypalëshe, ndërsa kritikoi ish-ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, duke e cilësuar si pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve.
Burime diplomatike greke reaguan duke theksuar se politika e jashtme e Greqisë mbështetet në të drejtën ndërkombëtare dhe se qëndrimi i Athinës ndaj Turqisë është i unifikuar.Paralelisht me takimin e liderëve, disa ministra pritet të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fusha si menaxhimi i fatkeqësive natyrore, kërkimi shkencor, inovacioni dhe ekonomia. Të dy palët synojnë gjithashtu rritjen e shkëmbimeve tregtare, të cilat aktualisht vlerësohen në rreth 5 miliardë euro.
Takimi i sotëm konsiderohet një hap në vijimësinë e përpjekjeve për stabilizimin e marrëdhënieve greko-turke dhe për avancimin e një axhende praktike bashkëpunimi, pavarësisht dallimeve strategjike që mbeten mes dy vendeve.
Lini një Përgjigje