TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Maj 2024, 18:13

Mision për të zbutur marrëdhëniet me Perëndimin? Çfarë do të kërkojë Xi Jinping në Francë, Serbi dhe Hungari

Shkruar nga Pamfleti
Mision për të zbutur marrëdhëniet me Perëndimin?
Xi Jinping-Macron

Xi po i kryen vizitat e tij shtetërore në Francë, Serbi dhe Hungari me 3 qëllime kryesore. Së pari, për riparimin e marrëdhënieve në Evropë, të dëmtuara nga mbështetja e Kinës për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës. Se dyti, për të zbehur agjendën e sigurisë ekonomike të BE-së përkundrejt Kinës. Dhe se treti, për të treguar lidhjet e forta të Pekinit me partnerët e tij të fortë, Serbinë dhe Hungarinë.

Tani ashtu si atëherë gjithçka nis me Parisin. Në majin e vitit 1975, zëvendëskryeministri kinez Deng Xiaoping vizitoi Francën, në vizitën e parë zyrtare të një udhëheqësi komunist kinez në një vend perëndimor. Ai do të vazhdonte ta hapte Kinën ndaj botës.

Dyzet e nëntë vjet më vonë, dhe thuajse deri në atë ditë, një udhëheqës shumë i ndryshëm kinez, Xi Jinping, do të udhëtojë në Paris, Beograd dhe Budapest, në një kohë kur po dobësohen marrëdhëniet e Pekinit me Perëndimin.

Turi i Xi në datat 5-10 maj vjen një vit pasi Bashkimi Evropian filloi të “shmangë rreziqe” në raportet e tij ekonomike me Kinën. Lëvizja pasoi zbulimin e rasteve të spiunazhit të dyshuar kinez në Evropë. Ja çfarë mendojnë ekspertët mbi secilën nga ndalesat gjatë turit të madh evropian të Xi.
 
Franca

Javën e kaluar, Macron paralajmëroi rrezikun shpërbërjes së BE, nëse unioni nuk forcon dimensionet e tij politike dhe të sigurisë. Në vizitën e tij në Pekin në vitin 2019, Macron shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar partneritetin për “çështjet globale” dhe “për të bërë gjithçka që mundemi për ta bindur Kinën të sillet përputhje me rregullat ndërkombëtare”.
Por 2024-a nuk është 2019-a, dhe sot ka shumë më tepër qartësi në lidhje me kufijtë e shikimit të Kinës si një partnere e besuar. Që nga ajo kohë unioni i ka përforcuar instrumentet e mbrojtjes tregtare, dhe ka qenë më aktiv në korrigjimin e shtrembërimeve ekonomike dhe konkurrencës.

Franca e ka nxitur hetimin e KE mbi subvencionet e automjeteve elektrike kineze. Teksa Kina po përballet tani me një rënie ekonomike, problemet e mbi-kapacitetit strukturor, sidomos në sektorët që krijojnë shtrembërim të konkurrencës për Evropën dhe Francën, kjo do të jetë padyshim tema kryesore e vizitës.

Për më tepër, besueshmëria e gatishmërisë së Macron për të qenë në krye të udhëheqjes politike për Ukrainën dhe sigurinë evropiane, kërkon një qëndrim të fortë kundër mbështetjes së Kinës për Rusinë. Ne kushtet kur presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Kinën në fund të këtij muaji, Macron ka të ngjarë t’i kërkojë sërish Xi si në vitin 2023, të mos dërgojë armë në Rusi. Gjithsesi që atëherë, mbështetja kineze për Rusinë vetëm sa është rritur.
 
Léonie Allard, ish-këshilltare në Ministrinë Franceze të Forcave të Armatosura.

Serbia

Gjatë 15 viteve të fundit, Serbia ka zhvilluar një partneritet gjithëpërfshirës strategjik me Kinën, bazuar në një marrëdhënie të ngushtë ekonomike dhe politike. Kina ka qenë investitori i dytë më i madh, partneri i dytë më i madh tregtar pas BE-së, dhe një partner kyç në zhvillimin e infrastrukturës shumë të nevojshme.

Ndaj vizita e Xi në Beograd, përbën një mundësi për të dyja palët që të mburren me arritjet e bashkëpunimit të tyre gjatë një dekade e gjysmë. Por nuk ka gjasa që udhëheqësit të adresojnë sfidat që kanë lindur nga prania e shtuar kineze në vend.

Këtu përfshihet ndikimi mjedisor negativ i veprimtarisë së kompanive kineze, mungesa e transparencës në negocimin e projekteve të infrastrukturës, dhe kritikat nga partnerët perëndimorë të Serbisë, të cilët e shohin vendin si një qendër kineze në portën e BE-së.

Vizita e Xi do të jetë e dyta në 8 vitet e fundit, dhe bart shumë simbolika. E planifikuar për në datat 7-8 maj, ajo përkon me 25- vjetorin e bombardimit të NATO-s ndaj ambasadës kineze në Beograd gjatë ndërhyrjes në Jugosllavi, e cila përfundimisht çoi në rënien e regjimit të presidentit serb Slobodan Milosević.

Kjo ngjarje ndikoi shumë edhe në qëndrimin e kinezëve ndaj NATO-s dhe sistemit të qeverisjes globale që u shfaq pas rënies së Murit të Berlinit. Sot, bombardimi mbetet një temë e rëndësishme për zyrtarët kinezë, të cilët e përdorin atë për të mbështetur narrativat që vënë në dyshim vlerat e demokracive liberale. Për Serbinë, vizita paraqet një shans për të forcuar pozicionin e saj si partnerja kryesore e Kinës në Ballkanin Perëndimor.
 
Stefan Vladisavljev, drejtor programi në Fondacionin BFPE për një shoqëri të përgjegjshme.

Hungaria

Vizita e Xi në Evropë është pjesë e përpjekjeve të lidershipit kinez për të ndryshuar politikën më të ashpër të Evropës ndaj saj vitet e fundit. Evropa Qendrore dhe Lindore, luan një rol të rëndësishëm në këtë mision, pasi Pekini ka gjetur këtu disa vende që ndajnë të njëjtën qasje, dhje që e sfidojnë gjithashtu strategjinë aktuale gjeopolitike të Uashingtonit (dhe aleatëve të tij më të afërt).

Ato dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta me Kinën dhe Rusinë. Serbia dhe Hungaria janë pjesë kyçe në këtë fushatë diplomatike të Kinës. Në Hungari, Xi do takohet me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, që e ka lidhur politikën e jashtme të Hungarisë me afrimin e madh me Kinën dhe Rusinë gjatë dekadës së fundit.

Budapesti iu bashkua Nismës së Brezit dhe Rrugë (BRI) në vitin 2015, dhe i ka kundërshtuar sulmet ndaj Pekinit brenda Bashkimit Evropian mbi të dhënat e Kinës lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe sjelljen ndaj Tajvanit. Xi pritet të diskutojë me Orbán disa nga projektet e vazhdueshme të infrastrukturës BRI, dhe të arrijë marrëveshje të reja.

Ka të ngjarë që gjatë bisedimeve të tij si në Beograd po ashtu edhe në Budapest, ai të ngrejë çështjen e përshpejtimit të projektit të linjës së shpejt hekurudhore Beograd-Budapest. Projekti nisi në vitin 2019, por ndërtimi në anën hungareze kishte ngecur, derisa qeveria hungareze vendosi të përshpejtojë punën vetëm në fillim të këtij viti.

Në shkurt, Greqia njoftoi se do t’i bashkohej këtij projekti dhe do ta zgjeronte atë në Athinë, duke kundër-balancuar tërheqjen e fundit të Italisë nga BRI dhe duke krijuar një rrugë alternative për eksportet kineze për të arritur në zemër të Evropës nga jugu.

Po ashtu, pritet që Xi dhe Orbán të shpallin projekte të reja të mëdha në kuadër të BRI-së.

Për të mbështetur rritjen e prodhimit industrial në Hungari, Kina do të ndërtojë linjën hekurudhore që lidh aeroportin ndërkombëtar Liszt me Budapestin, si dhe të ashtuquajturën unazë hekurudhore V0, që do të ndihmojë trafikun ndërkombëtar të mallrave jashtë kryeqytetit.

Thuhet se dy udhëheqësit do të bëjnë një vizitë në qytetin jugor të Pécs, për të njoftuar fillimin e një investimi të madh nga prodhuesi kinez i makinave Great Wall Motor, në ngritjen e një fabrike të re në Bicsérd për të prodhuar makina të kategorisë së mesme dhe premium për tregun evropian.

Për më tepër, ka të ngjarë që ata të diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së tyre dypalëshe të bashkëpunimit të sigurisë, të nënshkruar së fundmi, e cila u lejon oficerëve të policisë kineze të punojnë në Hungari në lagje me popullsi të madhe emigrantësh kinezë apo që kanë një prani të lartë të turisteve kinezë.

Zoltán Fehér, anëtar i Qendrës Globale të Kinës në Këshillin Atlantik. Më parë, ka punuar si analist i politikës së jashtme në ambasadën hungareze në Uashington.

Tre synimet kryesore të vizitës së Xi në Evropë

Xi po i kryen vizitat e tij shtetërore në Francë, Serbi dhe Hungari me 3 qëllime kryesore. Së pari, për riparimin e marrëdhënieve në Evropë, të dëmtuara nga mbështetja e Kinës për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës. Se dyti, për të zbehur agjendën e sigurisë ekonomike të BE-së përkundrejt Kinës. Dhe se treti, për të treguar lidhjet e forta të Pekinit me partnerët e tij të fortë, Serbinë dhe Hungarinë.
 
Xi do ta përdorë takimin me Macron për të minimizuar koston e mbështetjes së vazhdueshme të Kinës për makinerinë e luftës së Putinit. Ai do të nënvizojë se Franca dhe vendet e tjera evropiane, vazhdojnë të përfitojnë nga angazhimi ekonomik me Kinën, dhe se ata duhet të ndjekin një kurs të pavarur, në vend se të ndjekin atë të Uashingtonit.

Ky mesazh do të përputhet mirë me të atyre më Francë, që druhen të lidhen shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për këtë por edhe çështje të tjera. Duke ditur dallimet gjithnjë e më të dukshme brenda Evropës, në lidhje me kundërshtimin e subvencioneve të Kinës në industritë kyçe si ajo e makinave elektrike, Xi synon që të krijojë të çara midis shteteve anëtare, për të vështirësuar hetimin mbi këtë çështje.

Po ashtu, Xi mund të shpresojë të përfitojë më tej nga ngurrimi i Francës për të zgjeruar rolin e NATO-s në Azi, dhe për të mos shprehur solidaritet me qasjen e Uashingtonit ndaj Tajvanit. Macron ka sinjalizuar më parë se Franca nuk mund “të ndjekë verbërisht udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara” në raport me Tajvani, dhe duhet “të shmangë zhytjen në kriza” që nuk janë të sajat. 

Matt Geraci, ndihmës/drejtor i Qendrës Globale të Kinës në Këshillin Atlantik. /Përshtati Pamfleti, marrë nga “Atlantic Council”

xi jinping macron

Lini një Përgjigje