“Kemi informacion se Rusia po planifikon të kryejë atentate terroriste brenda vendeve të NATO-s”.
Është ky alarmi më i fundit që vjen nga ministri i jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, i lëshuar në Këshillin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian.
Ai këshillon që reagimi duhet të jetë përmes ndihmës së Ukrainës, në mënyrë që të fitojë luftën, pasi sipas tij, kjo është mënyra për të ndaluar Rusinë.
“Të braktisim frikën tonë për të reaguar kundër Moskës”, thekson ministri për kaanlin francez LCI.
Kjo vjen në një kohë kur presidenti Vladimir Putin është larguar nga vendi i tij, Rusia. Shefi i Kremlinit po zhvillon vizitën e tretë jashtë shtetit në mandatin e sapo nisur.
Pas Kinës ku foli për rend të ri botëror, Bjellorusisë ku ka zhvendosur armë bërthamore, Putin gjendet në Uzbekistan për të thelluar raportet dhe për ekonominë. Por në terren lufta mes ushtrive në Ukrainë nuk ka ndalur.
Një dron i lëshuar nga inteligjenca ushtarake e Kievit ka udhëtuar për një distancë rekord, plot 1800 kilometra, për të goditur stacionin e radarëve në qytetin rus të Orsk në rajonin e Orenburgut.
Gjithashtu është lëshuar dhe një dron tjetër që ka goditur një bazë, duke lënë të vdekur një person dhe plagosur tre të tjerë në rajonin Oryol, 450 kilometra nga Moska.
Vazhdon, ndërkohë, debati për deklaratën e kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg, që kërkoi nga aleatët heqjen e ndalimit për Kievin që të përdorë armët perëndimore për të sulmuar brenda territorit të Rusisë.
Nga Moska ka folur edhe Dmitry Medvedev, zyrtar i lartë në Këshillin e Sigurisë të Federatës, që kërcënon drejtpërdrejtë se nëse godisni shënjestra në tokën ruse me armë amerikane, kjo nënkupton nisjen e një lufte botërore”.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, përsërit thirrjen e vazhdueshme ndaj perëndimit që ta furnizojnë ushtrinë e tij me armë dhe sisteme të mbrojtjes.
Lini një Përgjigje