TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Shkurt 2026, 21:05

Miku i Ramës dhe arkitekti i betonizimit të Tiranës përfundon në gjyq!

Shkruar nga Pamfleti
Miku i Ramës dhe arkitekti i betonizimit të Tiranës
Rama & Boeri

Boeri u dërgua në gjyq së bashku me kolegun e tij Cino Paolo Zucchi dhe katër profesionistë të tjerë për konkursin e Bibliotekës Europiane me vlerë 8.6 milionë dollarë...

Arkitekti i njohur italian Stefano Boeri, i famshëm në mbarë botën për projektin e Bosco Verticale dhe lidhjet e tij të të gjata me zyrtarë dhe projekte urbane, përfshirë Shqipërinë ku ka realizuar disa nga ndërtesat më të shquara dhe është konsideruar mik i kryeministrit Edi Rama, është dërguar në gjyq në Itali me akuza për turbullim të garës dhe deklarata të rreme lidhur me konflikt interesi.

Gjykatësi i seancës paraprake në Milano, Fabrizio Filice, vendosi që Boeri – ish-kryetar i Trienales së Milanos, profesor i Fakultetit të Arkitekturës në Politeknikun e Milanos dhe ish-asistent bashkie për Kulturën në qeverinë lokale të Milano­s të periudhës 2011–2013 – të dalë përpara drejtësisë për rolin e tij në komisionin e vlerësimit të një gare ndërkombëtare në vitin 2022. Gara kishte për qëllim zbatimin e projektit të Beic – Bibliotekës Europiane të Informacionit dhe Kulturës, me vlerë rreth 8,6 milionë euro, një bashkëveprim midis institucioneve të mëdha kulturore dhe akademike italiane.

Boeri ka reaguar duke deklaruar se “konfirmon besimin e tij te drejtësia dhe është i bindur se gjatë gjykimit do të provojë pafajësinë e tij dhe mungesën e lidhjeve me faktet që i janë ngarkuar”.

Kush akuzohet së bashku me Boerin?

Përveç Boerit, në gjyq janë dërguar edhe: Cino Paolo Zucchi, arkitekt i njohur dhe anëtar i komisionit; Angelo Raffaele Lunati dhe Giancarlo Floridi, fituesit e projektit nga “Onsitestudio”, të cilët, sipas prokurorisë, kishin lidhje profesionale veçanërisht jashtë universitare me komisionin; Andrea Caputo, i treti në garë, i cili dyshohet se ka komunikuar paraprakisht idetë funksionale të projektit te Boeri për t’i bërë ato “të dallueshme”; Pierpaolo Tamburelli (studio Baukuh), i konsideruar nga prokuroria si ura lidhëse mes komisionit dhe kandidatëve fitues, në shkelje të anonimatit të garës.

Akuzat përfshijnë përdorimin e mesazheve në ËhatsApp dhe Telegram, të cilat, sipas prokurorisë, janë fshirë më pas nga Boeri, por janë rikuperuar pjesërisht nga Guardia di Finanza (policia ekonomike dhe financiare e Milanos).

Masat paraprake dhe akuzat për konflikt interesi

Në fillim të vitit 2025, Boeri dhe Zucchi u vendosën nën masë ndaluese nga një gjykatës italian, jo arrest, por ndalim për të qenë pjesë e komisioneve publike për një periudhë kohore (Boeri për një vit, Zucchi për 8 muaj). Prokuroria kishte kërkuar arrestimin e tyre.

Sipas prokurorisë, Boeri dha në hetimin paraprak “versione jo bindëse” dhe u argumentua se ai, duke u mbështetur në reputacionin e tij ndërkombëtar dhe ndikimin profesional, kishte vepruar jashtë rregullave që sigurojnë paanshmërinë e administratës publike, duke cenuar anonimitetin e konkurrentëve dhe procesin e vlerësimit në garë.

Një projekt i mundimshëm

Projekti i Beic, i menduar për t’u realizuar në Porta Vittoria të Milanos deri në vitin 2026, ka kaluar dekada debatesh dhe ndryshimesh. Ai u konceptua fillimisht në vitet 1990 dhe u rishqyrtua disa herë ndër vite për shkak të kostove dhe dimensioneve të mëdha, duke u rikthyer në fokus të diskutimit në vitet 2020 përmes këtij konkursi të ri.

Bashkia e Milanos nuk është paraqitur si palë civile në këtë proces, ndërsa disa institucione përkatëse fillimisht shprehën mbështetje për komisionin e çështjes.

Boeri, projekti i tij dhe lidhjet me Shqipërinë

Stefano Boeri është një nga arkitektët bashkëkohorë më të njohur ndërkombëtarisht, i njohur për Bosco Verticale në Milano – një nga projektet më ikonike të zhvillimit të qëndrueshëm urban. Në dekadën e fundit, emri i tij është përmendur shpesh edhe në Shqipëri për projektet e mëdha urbane dhe ndërtesat e larta në Tiranë dhe qytete të tjera, ku ai konsiderohet një nga arkistarët kryesorë të ftuar për të dhënë kontributin e tij profesional. Marrëdhëniet e tij me politikëbërësit shqiptarë, sidomos me kryeministrin Edi Rama, janë komentuar shpesh në media, duke ngritur debate për ndikimin e arkitekturës së “yjeve ndërkombëtarë” në zhvillimin urban të kryeqytetit.

Aktualisht, procesi gjyqësor në Itali për Boerin tregon një tjetër faqe të komplikuar në karrierën e një prej emrave më të shquar të arkitekturës bashkëkohore, ndërsa debati mbi konfliktet e interesit, transparencën dhe integritetin profesional vazhdon të zgjerohet. /Pamfleti

boeri rama

Lini një Përgjigje