
Me mijëra mbështetës të Ekrem Imamgolu janë mbledhur para gjykatës, ku po mbahet seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Stambollit. Sot në mbrëmje ai doli para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë dhe sonte do vendoset në se do rrijë në burg, apo do lirohet. Edhe pse Erdogan ka ndalur protestat, me mijëra qytetarë janë përplasur me policinë duke u tubuar para gjykatës.
Kjo ka irrituar Erdoganin, i cili ka nisur sulmet.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se “CHP-ja është bërë loja jo vetëm e hajdutëve, por edhe e organizatave të majta”.
“Qindra mijëra të rinj janë mashtruar dhe shumë pisllëqe po shpërndahen përtej kufijve të logjikës, ndërgjegjes dhe moralit. Topa parash, dollarësh dhe eurosh po derdhen majtas e djathtas. Por kryetari i CHP-së dhe shokët e tij nuk mund t’i përgjigjen asnjërës. Ata nuk mund të qëndrojnë para popullit dhe të thonë: “Nuk ka mashtrim, vjedhje, korrupsion, favorizim”.

Ata nuk mund të garantojnë për kryetarët e tyre, për administratorët e tyre komunalë, për miqtë e tyre me të cilët kanë bërë biznes dhe kanë udhëtuar së bashku për vite me radhë. Në vend që të dalin dhe t’u përgjigjen ankesave si luanë, ata po përpiqen të shtypin krimin duke na sulmuar, duke u fshehur pas rinisë, duke vënë përpara organizata të majta”, tha ai.

Sipas tij, ka katër ditë që po bëjnë gjithçka në emër të prishjes së qetësisë së kombit dhe polarizimit të popullit tonë. “Nga ofendimi i të gjithëve përballë tyre deri te sulmet ndaj policëve tanë që thjesht po kryejnë detyrën, nga intimidimi i punonjësve tanë të drejtësisë që hetojnë akuzat për korrupsion e deri te shtypja e vullnetit kombëtar me terrorizëm në rrugë”, tha ai.

“Ne mund ta shohim shumë qartë se në administratën aktuale, CHP është kthyer në një mekanizëm që pastron paratë e një grushti grabitësish bashkiakë, grabitqarë parash, jo një parti që çon në Parlament kërkesat e votuesve të saj. Rrjetet e interesit që përfitojnë nga bashkitë e kanë futur CHP-në në pisllëk, ndryshk, baltë, korrupsion dhe paligjshmëri”, argumentoi ai.
Në fund ai tha se ‘CHP nuk mund të rifitojë reputacionin e saj politik apo identitetin e saj si parti politike nëse nuk pastrohet nga këta hajdutë dhe grabitës që e kanë mbështjellë si dredhkë helmuese’.
Lini një Përgjigje