Ngërçi mbi Ukrainën, tregon gjithashtu se kalbja e sistemit politik amerikan shtrihet më thellë se sa fyerjet e një presidenti problematik...
Është një nga thënie më të famshme në historinë e kinemasë amerikane. Në filmat “Butch Cassidy and the Sundance Kid”, aktorët e njohur Paul Newman dhe Robert Redford gjenden në një moment të rrethuar nga një sherif dhe e vetmja rrugëdalje është të hidhen nga një shkëmb në lumin aty poshtë.
Kur Sundance thotë se nuk do të hidhet sepse nuk di të notojë, Butch e “qetëson” duke i thënë: “Ndoshta do të vritesh që gjatë hedhjes”. Është një metaforë e trishtueshme mbi politikën e jashtme amerikane.
Ndërsa Donald Trump po marshon drejt nominimit presidencial nga Partia Republikane, është e natyrshme të pyesim veten se çfarë do të ndodhë nëse SHBA-ja drejtohet sërish nga një president me një sjellje të çrregullt, impulsiv dhe shpeshherë shkatërrues.
Por të spekulosh sot mbi ndikimin e Trump, është njëlloj si të pyesësh se çfarë ndodh pas një rënieje të shpejtë nga lartësia. Kriza më e madhe e politikës së jashtme amerikane, nuk është diçka që do të materializohet vetëm nëse Trump fiton në zgjedhjet e nëntorit. Ajo po shfaqet pikërisht tani, ndërsa Amerika po përpiqet të sigurojë ndihmën që i duhet Ukrainës për të mbijetuar si shtet përballë pushtimit rus.
Në Capitol Hill, nuk duket se ka ndonjë urgjencë e madhe. Paketa e re dhe shumë e rëndësishme e ndihmës është shtyrë, së pari për shkak të negociatave të stërzgjatura në Senat - për shkak të një marrëveshje që e kushtëzon forcimin e sigurisë kufitare me ndihmën ndaj Ukrainës - dhe që në fund nuk çoi askund.
Më pas nga një shtyrje 2-javore që kërkoi Kongresi i udhëhequr nga republikanët në lidhje me këtë çështje. Dhe në fund, vonesa solli edhe përpjekja për të mbajtur qeverinë amerikane në funksion edhe për disa javë të tjera. Ndërsa Uashingtoni po luhatet në qasjen e tij ndaj Ukrainës, në fushën e betejën po shtohen efektet e dëmshme.
Qyteti lindor ukrainas Avdiivka ra në fund të muajit të kaluar në duart e rusëve, sepse forcave ukrainase u mungonin predhat dhe plumbat e nevojshëm për të ndaluar sulmet e pafundme të pushtuesve. Tani Moska po përparon gjithnjë e më shumë.
Forca ajrore ruse, e cila më parë luajti një rol të kufizuar dhe jo mbresëlënës në këtë luftë, po angazhohet më shumë duke rrafshuar zonat në të cilat ushtria ruse mund të avancojë. Natyrisht, avionët e presidentit Vladimir Putin do të ishin shumë të cenueshëm ndaj mbrojtjes ajrore të Ukrainës, nëse ajo do të kishte ende mjaftueshëm nga sistemet mbrojtëse perëndimore.
Për Ukrainën, kostot e mungesës së ndihmës nga SHBA nuk janë të mundshme apo hipotetike. Ato janë reale dhe po shtohen dita-ditës, në jetë njerëzish, dhe territore të humbura. E thënë troç, ne po shohim se si Ukraina po e humb këtë luftë, jo për shkak të ndonjë sulmi rus të shkëlqyer nga ana taktike, por për shkak të akumulimit në rritje të pengesave që e privojnë vendin nga çdo shpresë për fitore.
Në këtë mënyrë po e detyrojmë atë të pranojë një paqe që është de fakto një disfatë strategjike. Dhe kjo na rikthen tek politika amerikane. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih muajin e kaluar, dhe në kryeqytetet anembanë botës, fantazma e një mandati të dytë të Donald Trumpit ka trazuar jo pak aleatët e SHBA-së.
Arsyet janë të kuptueshme, duke qenë se Trump po bën të njëjtat gjëra - duke folur për tradhtimin e aleatëve, dhe duke fantazuar për një sulm ndaj institucioneve demokratike të Amerikës - deklarata të cilat në fillim alarmuan shumë miq të Amerikës gjatë mandatit të tij të parë.
Por ngërçi mbi Ukrainën, duhet të jetë edhe më alarmues për ata që varen nga SHBA për sigurinë e tyre. Kjo sepse është e vështirë të besohet, se Amerika do të dërgojë burrat dhe gratë e saj për të mbrojtur aleatët e SHBA-së kur të mbërrijë kriza e ardhshme, se nuk do të dërgojë as para dhe as armë për të mbështetur Ukrainën në një konflikt që nuk ka vrarë asnjë pjesëtar të ushtrisë amerikane.
Ngërçi mbi Ukrainën, tregon gjithashtu se kalbja e sistemit politik amerikan shtrihet më thellë se sa fyerjet e një presidenti problematik. Është e vërtetë: Trump ka luajtur rolin e tij të turpshëm në debatin për Ukrainën.
Rezistenca e tij kundër një pakti mbi masat e sigurisë në kufirit jugor të Amerikës, sepse ai dëshiron ta përdorë atë si një “kalë beteje” në zgjedhjet e nëntorit, ndihmoi në shmangien e marrëveshjes dypartiake që u arrit më parë në Senat. Kundërshtimi i tij ndaj ndihmës për Ukrainën, po i inkurajon aleatët e tij në fraksionin MAGA dhe po frikëson republikanët në Kongres që janë pro një politike të jashtme më aktive.
Por debati aktual tregon se sistemi politik i SHBA-së mund të paralizohet për çështje strategjike jetike edhe kur presidenti i Amerikës e ka përshkruar Ukrainën si frontin qendror në një luftë të madhe midis autokracisë dhe demokracisë, dhe kur edhe një shumicë e qëndrueshme ligjvënësish në Kongres dhe Senat janë në favor të mbështetjes së atij vendi.
Nëse kjo është më e mira që mund të bëjë SHBA nën drejtimin e Joe Biden, nuk do të duhet një presidencë e dytë e Trump për të vënë në dyshim rolin global të Amerikës. Në një artikull të kohëve të fundit botuar në “Foreign Affairs”, ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates, argumentoi se mosfunksionimi politik në SHBA po nxit paqëndrueshmërinë gjeopolitike, se një Amerike të ndarë i mungon qëndrueshmëria dhe angazhimi i nevojshëm për të frenuar forcat e çrregullimit global.
Sa më gjatë të vazhdojë ngërçi në Ukrainë, aq më i parashikueshëm duket ky paralajmërim.
Ne jetojmë sot në një epokë kur po vihen në pikëpyetje shumë të vërteta shumëvjeçare të çështjeve globale: përparimi i demokracisë, mungesa e luftës së fuqive të mëdha, stabiliteti relativ i rajoneve kyçe.
Po kështu është e vërteta e përgjithshme ajo që mbështet të gjitha të tjerat: që me të gjitha mangësitë dhe absurditetet e tij, sistemi politik i Amerikës do të prodhojë në fund politika
që do e shtyjnë botën në një drejtim pozitiv. Çfarëdo që të ndodhë në nëntor, bllokimi i ndihmës ndaj Ukrainës është një shembull shumë domethënës, pasi u jep miqve të Amerikës dhe armiqve të saj një panoramë paraprake të mënyrës se si do të duket bota kur të mos jetë më kështu. Mund të jetë një rrugë drejt epoke të zymtë./Përshtati Pamfleti nga “Bloomberg”
Shënim:Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhons Hopkins, SHBA.
Lini një Përgjigje