TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Gusht 2025, 21:46

Mbledhje në Shtëpinë e Bardhë për ta mbushur Gazën me resorte? Pas Kushner, në takim edhe Tony Blair

Shkruar nga Pamfleti

Mbledhje në Shtëpinë e Bardhë për ta mbushur Gazën

Dalin të tjera detaje nga takimi në Shtëpinë e Bardhë për të ardhmen e Gazës. Pas Jared Kushner, mësohet se ka marrë pjesë edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.

Plani, sipas emisarit amerikan Steve Ëitkoff, përshkruhet si “shumë gjithëpërfshirës” dhe me pretendime humanitare, por ndërkohë në terren, Izraeli vazhdon të shtyjë trupat e tij drejt Gazës, duke shkatërruar lagje të tëra dhe duke detyruar mijëra palestinezë të zhvendosen në mes të urisë dhe mungesës së ndihmave.

Pjesëmarrja e Blair-it ngre dilema të tjera. Kujtojmë se emri i tij dhe i institutit të tij Tony Blair Institute for Global Change (TBI) ishte lidhur vitin e kaluar me një projekt kontrovers të zhvilluar nga biznesmenë izraelitë dhe firma amerikane e konsulencës BCG, që parashikonte zhvendosjen me pagesë të qindra mijëra palestinezëve dhe kthimin e Gazës në një “Rivierë të Lindjes së Mesme”, me resorte turistike, autostrada të emërtuara sipas princërve të Gjirit dhe një zonë prodhimi teknologjik që do të mbante emrin e Elon Musk. Vetë instituti i Blair-it e ka mohuar që të ketë qenë autor i këtij projekti, duke pranuar vetëm pjesëmarrjen e disa punonjësve në disa thirrje telefonike dhe shkëmbime idesh “pa angazhim formal”. Por fakti që dokumente me logon e TBI-së qarkulluan mes organizatorëve të planit e bëri që shumë analistë ta shihnin Blair-in si pjesë të një loje shumë më të madhe për “ri-dizenjimin” e Gazës sipas shijeve të Trump-it dhe aleatëve të tij izraelitë.

Vetë Trump, muaj më parë, e kishte hedhur publikisht idenë për një “Middel Eastern Riviera” në Gaza, që do të ndërtohej pas largimit të banorëve palestinezë. Në atë kohë, deklarata shkaktoi tronditje dhe u duk si një provokim. Por fakti që sot, në tryezën e Shtëpisë së Bardhë për Gazën, përveç Kushner-it u ul edhe Blair, i cili për gati një dekadë ka qenë i përfshirë në proceset e paqes në Lindjen e Mesme si i dërguar i Kuartetit Ndërkombëtar, e bën këtë vizion shumë më të afërt se një fantazi.

Blair ka insistuar se puna e tij dhe e institutit që drejton është fokusuar gjithmonë në “ndërtimin e një të ardhme më të mirë për palestinezët në Gaza” dhe se nuk ka mbështetur kurrë plane për zhvendosje të popullsisë. Por kritikat nuk mungojnë: siç thonë shumë analistë, vetë pranimi i Blair-it në një tryezë ku diskutohet për “zhbërjen” e Gazës siç e njohim sot, është një mesazh i qartë se ish-kryeministri britanik nuk është më vetëm një ndërmjetës i vjetër, por pjesë e një vizioni të ri, ku pushteti, biznesi dhe politika gërshetohen mbi kurrizin e një populli që po mbijeton mes shkatërrimit.

Në terren, ndërkohë, tanket izraelite vazhdojnë të shkatërrojnë shtëpi dhe UN paralajmëron se ofensiva e re në Gaza City, ku uria është tashmë realitet i shpallur, do të ketë “pasoja katastrofike humanitare”. Dhe pikërisht në këtë sfond tragjik, diskutimet e Shtëpisë së Bardhë me Trump, Kushner dhe Blair duken më shumë si plane për rikonfigurimin e një toke të boshatisur sesa si projekte për shpëtimin e jetëve të njerëzve që sot po zhduken në rrënoja.

Lini një Përgjigje